Kryetarja e LSI Monika Kryemadhi ka bërë një analizë mjaft orgjinale të zgjedhjeve lokale që pritet të zhvillohen vitin e ardhshëm. Ajo thotë se LSI do t’i shkaktojë PS-së humbjen e një sërë bashkish të rëndësishme të vendit, të cilat, sipas Kryemadhit, PS i ka fituar falë LSI-së.
Në fakt, bëhet fjalë për bashki që PS i ka fituar pa qenë fare në koalicionit me LSI-në, të tilla si ajo e Fierit dhe Lushnjes, që konsiderohen si bastione të socialistëve. Por Kryemadhi ka një matematikë të sajën elektorale, thënë ndryshe “i bën hesapet pa hanxhinë”. Duket se këtu i ka varur shpresat edhe kryetari i PD Lulzim Basha, i cili ende nuk ka asgjë në horizont në lidhje me zgjedhjet lokale të 2019.
Ja ‘matematika’ e Kryemadhit:
“Do t’ju jap vetëm një analizë të qarkut të Fierit, që quhet bastion i së majtës. Bashkinë e Fierit e kanë fituar me 1600 vota diferencë ndaj kandidatit Alibeaj, ku ndërkohë ishte edhe LSI. Tani nuk po them për të gjithë votat e LSI-së të 2017-së, por vetëm me gjysmat e tyre, ra Bashkia e Fierit.
Bashkinë e Patosit e kanë fituar me 300-400 vota bashkë me LSI-në. Nuk po të them lëvizin gjithë votat e LSI-së nga Patosi, por me vetëm gjysmat e atyre, iku dhe Bashkia e Patosit. Roskovecin e kanë fituar me 600 vota bashkë me LSI-në, hiqi gjysmat e votave që ka fituar LSI në Roskovec në 2017-ën, ra dhe bashkia e Roskovecit. Po kështu dhe Bashkia e Lushnjes, po kështu dhe bashkia e Divjakës. Pra konkluzioni është, LSI, Partia Demokratike dhe të gjitha partitë e tjera të frontit opozitar, komunistë, demokratë, ballistë, legalistë, se këtu nuk është çështje ideologjie, këtu është çështje fronti kundër krimit dhe kundër drogës, kundër varfërisë së shqiptarëve, të cilët po i kthejnë shqiptarët në skllevër të krimit të organizuar, po i kthejnë shqiptarët në emigrantë në vendin e tyre, do e mundin PS-në.
S’ka më këtu bindje politike. Këtu është një front i përbashkët kundër të keqes më të madhe, që ka një emër Edi Rama, krimi i organizuar. Prandaj ky front pa dallim feje, ideje dhe krahine, ka vetëm një qëllim. Të rrëzohet Edi Rama, sepse ai nuk përfaqëson gjë tjetër, por përfaqëson atë strukturë kriminale që varfëroi Shqipërinë”, tha Kryemadhi në emisionin “Të Paekspozuarit”.
ma.me/javanews.al