Shqipëria po konsolidohet si një destinacion i besueshëm për investimet në energji të ripërtërishme, duke shfrytëzuar potencialin e energjisë diellore dhe të erës.
Në fjalën e tij në “Matchmaker Albania”,Ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi, theksoi se modernizimi i sistemeve energjetike përmes digjitalizimit, matësve të mençur dhe automatizimit po transformon mënyrën e prodhimit dhe shpërndarjes së energjisë në vend.
Për ministrin, “ky zhvillim e pozicionon Shqipërinë si një aktor të qëndrueshëm në tregjet globale të energjisë dhe krijon mundësi të reja për investitorët në sektorin e energjisë së ripërtërishme.”
“Ky përparim është mundësuar nga standardizimet dhe praktikat më të mira ndërkombëtare. Sot, pjesëmarrja e Shqipërisë në tregjet globale të energjisë funksionon si një provë e aftësive tona.
Shqipëria po shfrytëzon potencialin e energjisë diellore dhe të erës, duke krijuar burime të qëndrueshme energjetike në të gjithë vendin. Digjitalizimi i sistemeve energjetike, matësit e mençur dhe automatizimi i veprimtarive po transformojnë mënyrën e shpërndarjes dhe menaxhimit të energjisë, duke krijuar një sistem modern dhe efikas“, tha ministri i Infrastrukturës dhe Energjitikës, Enea Karakaçi.
Edicioni i dytë i platformës “Matchmaker Albania”, që bashkon investitorë, kompani dhe institucione, po zhvillohet me fokus në nxitjen e investimeve konkrete dhe forcimin e bashkëpunimit ekonomik.










