Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar një paketë të re ligjore kundër dhunës urbane, ndërsa ka deklaruar se bizneset e dëmtuara gjatë protestave në Tiranë do të dëmshpërblehen.
Sipas tij, personat që fshihen pas maskave dhe përfshihen në akte dhune përfaqësojnë një rrezik për rendin publik.
Në reagimin e tij pas përplasjeve të mbrëmshme në kryeqytet, Rama akuzoi Partinë Demokratike se ka kaluar nga prapavija në organizimin e drejtpërdrejtë të asaj që ai e cilësoi si dhunë urbane.
“Pas një tjetër vale dhune mbrëmë në qendër të Tiranës, ku PD doli nga prapavija në ballë të ushtrimit të dhunës urbane dhe godina e saj u kthye në strehim politik dhe në pikë furnizimi me lëndë plasëse të dhunuesve të mbledhur mbrëmë nga të katër anët dhe katër burimet e kësaj flame antidemokratike”, u shpreh Rama.
Kryeministri theksoi gjithashtu se qeveria synon të ndërmarrë masa të reja ligjore për të parandaluar përsëritjen e incidenteve të dhunshme dhe për të mbrojtur qytetarët e bizneset nga dëmet e shkaktuara gjatë protestave.











