Deputeti i PD-së, Luçiano Boçi u është bashkuar banorëve të fshatit Sutaj në Bashkinë e Prrenjasit, për të parë nga afër gjendjen e tyre, pas shqetësimeve të ngritura për rrezikun që u vjen nga shembja e shkëmbit.
Edhe pse prej dy muajsh, pranë banesave të tyre bien gurë të cilët u rrezikojnë jetën, asnjë ndërhyrje serioze nuk është bërë, përveç shpërndarjes së disa çadrave. Sipas banorëve, është e pamundur të jetohet në çadra me fëmijë e të moshuar, tashmë që dimri ka nisur.
Deputeti Boçi kërkoi të ndërhyhet menjëherë për të shpëtuar jetët e këtyre njerëzve, që në çdo moment janë të rrezikuara. Ai tha se, eksplozivi i ushtrisë nuk duhet të përdoret vetëm për të shembur pallate.
Një muaj më parë, Prefekti i Qarkut të Elbasanit dhe specialistë të Emergjencave Civile vlerësuan nga afër gjendjen në fshatin Sutaj dhe kërkuan evakuimin e menjëhershëm të banorëve. Janë rreth 70 familje në fshatin Sutaj, të cilat rrezikohen nga shkëputja e masivit shkëmbor.
/ Top Channel