Një 52-vjeçar ka rënë në prangat e policisë këtë të Martë pasi akuzohet për mashtrimin e disa biznesmenëve. Policia bën me dije se Shpëtim Hida është kapur në flagrancë teksa merrte përmes mashtrimit plot 70 mijë euro.
Kjo nuk ishte hera e parë që ai mashtronte. Në njoftimin zyrtar të policisë, thuhet se Hida përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror
“Finalizohet një tjetër operacion për goditjen e veprimtarisë kriminale të mashtrimit, me qëllim përfitimin e vlerave të konsiderueshme monetare.
Operacioni i radhës, i koduar “Arkitekti”, në vazhdën e 4 operacioneve të tjera të finalizuara gjatë 5 muajve të fundit, pas informacioneve të siguruara nga Policia përmes inteligjencës informative dhe ndërgjegjësimit të qytetarëve për të denoncuar raste të tilla.Vihet në pranga një 52-vjeçar që u kap në flagrancë duke i marrë me anë të mashtrimit, 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen).
52-vjeçari përdorte rrjetet sociale për t’iu kërkuar shuma të mëdha parash biznesmenëve, pasi iu prezantohej atyre si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Sekuestrohen 70 000 euro, një automjet dhe një aparat celular.
Njësia “E” për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në Drejtorinë Hetimore në Departamentin e Policisë Kriminale në DPPSH, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë dhe Drejtorinë e Forcës së Posaçme Operacionale në DPPSH, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, falë rritjes së besimit të qytetarëve, për të denoncuar pranë strukturave policore, raste të veprimtarisë kriminale me qëllim përfitimin e vlerave monetare, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, ka organizuar dhe finalizuar me sukses një tjetër operacion për goditjen e kësaj veprimtarie kriminale.
Gjatë operacionit policor të koduar “Arkitekti”, shërbimet e Policisë kanë kapur në flagrancë shtetasin Sh. H., 52 vjeç, banues në Tiranë, gjatë kohës që po i merrte shumën 70 000 euro, një shtetasi (biznesmen), të cilin e kishte mashtruar në komunikimet në rrjetet sociale, duke iu prezatuar si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Shuma 70 000 euro u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, së bashku me një automjet dhe një aparat celular.
Nga veprimet hetimore dyshohet se 52-vjeçari ka mashtruar edhe shtetas të tjerë, në komunikimet në rrjetet sociale, duke i kërkuar para atyre, pasi iu prezantohej si zyrtar i lartë i një institucioni shtetëror. Vijon puna hetimore për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale të këtij shtetasi. Materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale “Mashtrimi”.Policia e Shtetit falënderon qytetarët, për rritjen e besimit për të denoncuar në strukturat policore, raste të tilla, por dhe raste të tjera të paligjshmërive, në të gjitha fushat që ato shfaqen.
Policia e Shtetit fton qytetarët, operatorët ekonomikë në shkallë vendi dhe të dëmtuarit e tjerë, në rast se kanë dijeni apo dyshojnë për veprimtari kriminale të kësaj natyre, që ta denoncojnë atë pa hezituar, në strukturat policore në të gjithë vendin, duke i garantuar se Policia e Shtetit i ka të gjitha kapacitetet në burime njerëzore dhe operacionale, që të ndëshkojë cilindo që implikohet në këtë veprimtari krininale dhe në çdo paligjshmëri tjetër”, thotë policia.
/a.r