Pak ditë pasi Policia e Tiranës e vuri në pranga sërish Vladimir Gjutën, sot gjykata e liron një prej të akuzuarve për vendosjen e një sasie eksplozivi në farmacinë e të atit të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri. Ai akuzohej së fundmi se kishte dhunuar kushëririn e tij me çekiç.
Mësohet se kushëriri që ishte dhunuar nga Gjuta, u tërhoq nga ankimi dhe prokuroria kërkoi revokimin e masës, ndërsa gjykata vendosi që ta lërë të lirë.
Sipas burimeve ditën e ngjarjes, kushëriri i Gjutës kishte pësuar thyerje dhëmbësh dhe një sy e kishte të dëmtuar. Burime për “Panorama”, të cilat kanë konfirmuar ngjarjen dhe arrestimin, thanë se dhunimi ka ndodhur te Rruga e Elbasanit në Tiranë, në shtëpinë e Vladimir Gjutës, ku kishte thërritur kushëririn.
Kujtojmë se Gjuta u arrestua në vitin 2015 në Tunelin e Kalimashit me paruke në kokë, teksa tentonte të arratisej jashtë vendit. Ai, së bashku me Ernest Gjutën dhe Baftjar Brukën, ishin arrestuar për ngjarjen e ndodhur në farmacinë e babait të ish-ministrit Tahiri.
g.kosovari











