• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Sunday, March 15, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Masakra e Gërdecit, sot 18 vite pa drejtësi: Asnjë i dënuar për vrasje dhe një gjyq pa fund për Mediun

by A R
15/03/2026 09:03
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

18 vite nga Masakra e Gërdecit, 26 jetët e pafajshme që u lanë në mes apo edhe ato qindra të tjera që ajo ngjarje e rëndë i la të plagosur apo të pastrehë ende nuk kanë njohur ‘shpagimin’ e drejtësisë. Askush i dënuar për vrasje dhe asnjë dënim për përgjegjësit kryesorë, ndërsa një hetim i hapur i SPAK për korrupsion dhe pastrim parash ende nuk ka rezultat.

Vala e shpërthimit mesditën e së shtunës së 15 marsit 2008 në Gërdec, pak kilometra nga kryeqyteti mori 26 jetë, ndërsa plagosi rreth treqind të tjerë, njerëz të thjeshtë, fëmijë e banorë të zonës që punonin në fabrikën e vdekjes, ngritur në fshatin e tyre, nga babëzia e shumë prej atyre që sot e kësaj dite, nuk panë t’u hynte gjemb në këmbë.

18 vite më pas, plaga e madhe, ajo e një drejtësie të munguar, është ende e hapur, përsa kohë një aferë e pastër korrupsioni politik, e dirigjuar nga Shkëlzen Berisha, nën tutelën e babait, kryeministër i kohës, që i vuri shtetin në shërbim, do të mbetet zyrtarisht një “aksident teknologjik”.

Në Gërdec asgjë nuk lidhej me teknologjinë. Kishte vetëm predha të kalibrit të madh që duhet shkarkoheshin nga mjetet e ushtrisë, për t’u demontuar në mënyrën më primitive, të shpërndara rrëmujshëm, mes qeseve të barutit të grumbulluar. Në të ashtuquajturën fabrikë, të gjithë punonin në të zezë. Mes burrave e madje dhe të miturve që numëronin ngarkesat, humbi jetën dhe baxhanaku i Sali Berishës. Ky i fundit u përpoq në mënyrë të përsëritur, ta shmangte emrin e tij, duke ja deformuar ndërsa lexonte listën e viktimave, me qëllimin e vetëm që të fshihte çdo mundësi që do zbulonte fijet që e çonin drejt tij dhe Shkëlzenit.

Këto fije do të dilnin në dritë shumë shpejt. Hetimet e kohës zbuluan vizitat e tij të përditshme në Ministrinë e Mbrojtjes, si të ishte zyrtar i saj. Madje dhe shkresa e ministrit të Drejtësisë së kohës, Aldo Bumçi, e cila miratonte procedurat që i hapën rrugë procesit të demontimit në Gërdec, drejtuar ministrisë së Mbrojtjes mbante shënimin e shkruar me dorë “për Shkëlzen Berishën” . Tabulatet telefonike, pjesë e dosjes hetimore, tregojnë se pas shpërthimit ministri i Mbrojtjes në atë kohë, Fatmir Mediu, kishte komunikuar disa herë me Shkëlzen Berishën, ndërsa ky i fundit, kishte qenë ndër njerëzit e parë që Mihal Delijorgji, pronari në letra, i shoqërisë që kryente demontimin, kishte telefonuar 30 minuta pasi kërpudha gjigande e zjarrit u ngrit mbi qiellin e Gërdecit.

Shkëlzen Berisha nuk u thirr asnjë herë të dëshmonte gjatë hetimeve që u zhvilluan pas ngjarjes, ndërsa Fatmir Mediu nuk u gjykua, falë imunitetit parlamentar që rifitoi në zgjedhjet e vitit 2009. Pas më shumë se një dekade gjyqi i mbetur pezull ndaj tij, do të rihapej me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme, pas këmbënguljes së familjes Durda, e cila humbi fëmijën nga shpërthimi.

Në Gjykatën Kundër Krimit dhe Korrupsionit në Tiranë procesi gjyqësor ndaj tij vijon prej një kohe të gjatë. SPAK e çoi në gjyq nën akuzën e shpërdorimit të detyrës të dyfishtë sipas Kodit Penal dhe Kodit Penal Ushtarak, duke mos formuluar asnjë akuzë të re apo bërë hetim të ri. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut.

Në proces deri më tani janë pyetur dhjetëra dëshmitarë, por shumë prej tyre kanë refuzuar të flasin. Është thirrur dhe Shkëlzen Berisha, emri më i përmendur në skandalin ndërkombëtar të demontimit të fishekëve. Ai foli, duke mohuar çdo lidhje të tij me ngjarjen, sikundër dhe vetë Mediu, i cili këmbëngul për një “proces me sfond politik”.

Ish-drejtori i fabrikës së demontimit të municioneve në Gërdec, Dritan Minxolli, ka refuzuar të flasë gjithashtu, duke shfrytëzuar të drejtën për të mos dëshmuar, njëlloj siç bënë edhe ish-ushtarakë si Sokol Ngjeçi, Besnik Dauti, Dashnor Çaushi ndërsa të gjithë janë në kërkim të Anjola Agollit, ish-sekretare e Ministrit të Drejtësisë që ta pyesin për faksin për ‘Shkëlzen Berishën’ dërguar nga Ministria e Drejtësisë tek ajo e Mbrojtjes. Ndërsa vetë ish-ministri Aldo Bumçi mohoi të jetë shkrimi i tij në faksin e dërguar Ministrit të Mbrojtjes. Ndërkohë që ende nuk kanë folur dhe është e paqartë se si do të procedohet me ish-gjeneralin Luan Hoxha dhe amerikanët e SAC që dinë shumë për atë aferë kriminale.

18 vite nga Gërdeci, askush nuk është sot në qeli dhe askush nuk është i dënuar për vrasje nga 28 të pandehurit që morën dënime pranverën e 2012-s, 4 vite pas masakrës. Dënimin më të rëndë me 18 vjet burg e mori Ylli Pinari, ish-drejtori i “Meico”-s, ndërmarrjes shtetërore të import-eksportit të armëve dhe drejtori i Fabrikës së Gërdecit, Dritan Minxolli, ndërsa pronari i fabrikës, Mihal Delijorgji u dënua me 10 vjet. Për të tre këta ishte kërkuar burgim i përjetshëm. Për ish-shefin e Shtabit, Luan Hoxha, i cili thuhet se është larguar nga vendi, dënimi ishte 6 vjet burg, ndërsa disa ish-gjeneralë të tjerë u shpallën të pafajshëm.

Po ashtu, 10 vjet u dhanë dhe për Sokol Ngjecin, zyrtar i “Meico”-s. Për ish-kupolën e ushtrisë shqiptare, dënimi më i madh u dha për ish-shefin e Shtabit Luan Hoxha, me 6 vjet nga 8 të kërkuar nga Prokuroria, dy ish-gjeneralë u shpallën të pafajshëm, ndërsa dy të tjerë u dënuan, njëri, Dashnor Caushi me tre vjet, ndërsa tjetri, Shpëtim Spahiu me katër vjet, por me kusht. Për të tjerët, funksionarë të Ministrisë së Mbrojtjes u dhanë dënime nga 1 deri tre vjet burgim. Në total, Gjykata dha 94 vite burgim, gjoba dhe 9 të pandehur morën pafajësinë. Një vendim, i cili që në sallën e gjyqit provokoi acarimin e familjarëve të viktimave, të cilët e quajtën të turpshëm atë. Një pjesë e mirë të dënuarve përfituan nga shkurtimi i dënimit në Apel, përllogaritja e ditëve të paraburgimit dhe ulja më vonë e dënimit për “sjellje të mirë”.

Paralelisht me procesin gjyqësor në GJKKO ndaj Mediut, SPAK, ka hapur dhe një tjetër hetim, për “Korrupsion i zyrtarëve të lartë” dhe “pastrim parash” në rastin e procedurave të ndjekura në atë kohë nga Ministria e Mbrojtjes për shitjen e municioneve dy kompanive të huaja. Por për rastin nuk ka ende të akuzuar dhe asnjë njoftim se sa kanë përparuar hetimet.

Duke dhënë shpresë se përgjegjësit kryesorë do të dënohen, një hetim që do të çojë te përgjegjësia e Sali Berishës dhe djalit të tij, Shkëlzenit, emra të cilat dalin në shumë prova. Edhe sot pas 18 vitesh, afera kriminale dhe masakra më e madhe që ka prodhuar korrupsioni i nivelit të lartë në historinë e pluralizmit shqiptar pret të zbardhet.

VENDIMET PËR GERDECIN
TË DËNUAR
1. Ylli Pinari                 18 vite burg, u kërkua i përjetshëm
2. Dritan Minxholli       18 vite burg, u kërkua i përjetshëm
3. Mihal Delijorgji        10 vite burg, u kërkua i përjetshëm
4. Sokol Ngjeçi             10 vite, u kërkuan 23 vite
5. Luan Hoxha             6 vjet burgim
6. Shpëtim Spahiu         4 vjet burg
7.Shkëlzen Madani       3 vite, 300 mijë lekë gjobë
8. Dashnor Çaushi        3 vite burg
9. Hilmi Laçaj               3 vjet burg
10. Gëzim Oshafi          3 vjet burg
11. Jorgo Mino             3 vjet burg
12.Fari Toska                3 vjet burg
13. Zenun Fero             3 vjet burg
14. Hysni Çoçka           3 vjet burg
15. Armand Tartari        1 vit burg, 300 mijë lekë gjobë
16. Ndue Marku           1 vit burg, 300 mijë lekë gjobë
17. Fatbardh kuçi          1 vit burg, 300 mijë lekë gjobë
18. Denis Hajdari          1 vit burg, 300 mijë lekë gjobë
19.”ALBADEMIL SH.P.K. 25 MILIONË LEKË GJOBË
TË PAFAJSHËM
1. Ardian Mullahi           I pafajshëm
2. Agim Lala                 I pafajshëm
3. Zija Bahja                 I pafajshëm
4. Agim Babameto         I pafajshëm
5. Rezart Tërshana        I pafajshëm
6. Besnik Dauti             I pafajshëm
7. Adriatik Mema           I pafajshëm
8. Juliana Margariti       E pafajshme
9. Fiqiret Mato              E pafajshëm

——————————-

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë

shqiptarja.com

Next Post
Ndodhej në gjendje kritike, ndërron jetë foshnja nga Korça në Tiranë

Ndodhej në gjendje kritike, ndërron jetë foshnja nga Korça në Tiranë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Komunikim publik me zotin Eugen Beci për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikalë

Komunikim publik me zotin Eugen Beci për kontratën koncesionare të instrumenteve kirurgjikalë

March 15, 2026
VIDEO / I vrarë, i plagosur apo lajme false? E gjithë bota kërkon Bibin

VIDEO / I vrarë, i plagosur apo lajme false? E gjithë bota kërkon Bibin

March 15, 2026
Kanë frikë për familjen? Edhe tre futbolliste iraniane do kthehen në Iran

Kanë frikë për familjen? Edhe tre futbolliste iraniane do kthehen në Iran

March 15, 2026
“Flisnim për fenë ndërsa bënim ecejake mbrëmjeve deri pas mesnate”, Rama rrëfen njohjen me Kryepeshkopin Joan

Rritja e çmimeve të naftës, Rama: Po ndodh në të gjithë botën, por nuk do të rrimë duarkryq

March 15, 2026
Kushtet ekstreme të motit në Ukrainë, Trump: Putini ra dakord për një armëpushim njëjavor

Pse Trump po kërkon ndihmë edhe nga Pekini: Sinjalet kontradiktore të udhëheqësit amerikan

March 15, 2026
E diel kryesisht e kthjellët, vranësira dhe reshje të pakta në zonat malore

E diel kryesisht e kthjellët, vranësira dhe reshje të pakta në zonat malore

March 15, 2026
Tronditet Drashovica e Vlorës, shpërthen bombola në një banesë

Tronditet Lezha, tritol automjetit të një agjenti policie

March 15, 2026
Ndodhej në gjendje kritike, ndërron jetë foshnja nga Korça në Tiranë

Ndodhej në gjendje kritike, ndërron jetë foshnja nga Korça në Tiranë

March 15, 2026
Shtyhet “Gërdeci”, kush janë dy dëshmitarët, që refuzuan të flasin para gjykatës

Masakra e Gërdecit, sot 18 vite pa drejtësi: Asnjë i dënuar për vrasje dhe një gjyq pa fund për Mediun

March 15, 2026
Përpjekjet e Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, Trump bën thirrje për veprim të përbashkët ndërkombëtar

Përpjekjet e Iranit për mbylljen e Ngushticës së Hormuzit, Trump bën thirrje për veprim të përbashkët ndërkombëtar

March 14, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In