Në 18 vjetorin e pavarësisë së Kosovës, shqiptarë nga të gjithë trevat do të marshojnë në Prishtinë për të kërkuar drejtësi për ish komandantët e UÇK-së që po gjykohen në Gjykatën Speciale të Hagës. Organizuesit e protestës, platforma qytetare ‘Liria ka Emër’ thonë se pjesëmarrja do të jetë masive dhe mbi 200,000 njerëz pritet të marrin pjesë në atë që synohet të jetë marshimi më i madh në historinë e Kosovës së lirë.
Thirrjeve për pjesëmarrje, i është bashkuar edhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, i cili apeloi për drejtësi për Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Jakup Krasniqin dhe Rexhep Selimin.
“Drejtësi, jo politikë! Drejtësi për ata që luftuan për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës! Nesër më 17 shkurt, në orën 14:00, bashkohemi me qytetarët e Kosovës dhe gjithë shqiptarisë në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë. Është koha që Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi të kthehen në atdhe” shkroi Balla në Facebook.











