PERSONAZHI I PARË është Akademiku Artan Fuga.
Nuk e kam zgjedhur ngase unë e lexoj gjithmonë me vëmendje dhe as sepse në më të shumtën e herëve, gjej në çfarë profesori shkruan; ide, mendime e vlerësime që i çmoj, mbi të gjitha për kurajon qytetare dhe intelektuale.
Por e kam zgjedhur sepse vetë profesori u përfshi në historinë për të cilën do t’ju shkruaj në vijim, me anë të një reagimi publik, (si gjithmonë në stilin e tij).
PERSONAZHI I DYTË është Erion Valiaj. Kryetarin e Bashkisë së Tiranës (ende në detyrë prej një vendimi të Gjykatës Kushtetuese), e kam zgjedhur sepse prej tij nis e merr udhë gjithë historia.
PERSONAZHI I TRETË është Bajram Begaj. Arsyeja se pse Presidenti i Republikës është në këtë treshe, lidhet me qëndrimin e tij jo aq të pakuptueshëm, edhe pse të pakuptimtë, ndaj historisë së shkarkimit nga detyra të Kryetarit të Bashkisë së Tiranës.
HISTORIA është e njohur. Ka të bëjë me shkarkimin e kryetarit të arrestuar të bashkisë së Tiranës nga detyra, në të cilën e kanë zgjedhur shumica e qytetarëvë votues të kryeqytetit.
Shkarkimi u inicua prej një urdhëri politik. Erion Veliaj u ankua në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë. Kjo e fundit, me cilësinë e organit të vetëm epror që ka tagrin të intepretojë Kushtetutën (Neni 124 i Kushtetutës thotë:
1. Gjykata Kushtetuese zgjidh mosmarrëveshjet kushtetuese dhe bën interpretimin përfundimtar të Kushtetutës.
2. Gjykata Kushtetuese i nënshtrohet vetëm Kushtetutës), shpalli regjistrimin e çështjes për shqyrtim, për rrjedhojë edhe pezullimin e të gjithë praktikës së shkarkimit, formalizuar me Vendimin e Këshillit të Ministrave.
Mirëpo, përkundër Vendimit të Gjykatës Kushtetuese, pra edhe në kundërshti me vetë Kushtetutën, hyn në lojë Presidenti i Republikës. Ai e quan të pranuar shkarkimin dhe shpall zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë së Tiranës, ende pa u shkarkuar kryetari i burgosur, pra ende pa u krijuar edhe ligjërisht vakanca.
Edhe pse shumë prej juristëve me emër dhe kurajo publike (përjashtuar vetëm njërin që Presidenti e ka marrë në punë dhe e paguan), ia bënë të qartë publikisht se është i detyruar të zbatojë Vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ai bëri të kundërtën, shkeli Kushtetutën!
Gjykata Kushtetuese u detyrua të mblidhet sërish, e këtë herë, me unanimitetin e të gjithë anëtarëve të saj, e bëri të pavlerë duke e pezulluar atë pjesë të Dekretit të Presidentit që shpallte zgjedhjet për Kryetar të Bashkisë së Tiranës.
Presidentit nuk i mbetej asnjë shteg tjetër, përpos t’i bindej vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Dhe sipas modelit të “gjinisë asnjanëse”, u detyrua të thotë përmes një zyre shtypi se “Presidenti i Republikës respekton vendimin e Gjykatës Kushtetuese”.
Mirëpo historia nuk mbaron këtu. Duke “harruar” se çfarë kishte deklaruar vetëm pak ditë më parë, pra duke “harruar” se kishte thënë që do të respektonte vendimin e Gjykatës Kushtetuese, “urdhëroi” Sekretaren e Përgjithshme, pikërisht atë që mbahet mend për “gjetjen” e çelësit të rritjes së efikasitetit duke larguar nga puna specialistët e kualifikuar, që t’i japë urdhër Gjykatës Kushtetuese që ajo, pra Gjykata Kushtetuese “Të deklarojë në fillim të seancës së shqyrtimit të datës 31.10.2025 moskompetencën lidhur me dekretin nr. 350, datë 1.10.2025;”.
Çfarë marrëzie!
Bajram Begaj është i lirë të bëjë çfarë të dojë me emrin e vet. Por, në lartësinë e Kryetarit të Shtetit, ai e ka për detyrë ta ndalë rendin e marrëzive që e ndragin Presidentin e Republikës. Të paktën kaq duhet ta bëjë; t’i lerë vend vetes që kur të mos jetë më në atë detyrë, të mos e tregojnë me gisht.
Dhe në fund një shpjegim.
Përse e nisa renditjen e personazheve me emrin e Profesor Artan Fugës?
Fare thjeshtë. Sepse ai është i barazlarguar nga dy personazhet e tjerë në konflikt. Dhe qasja e tij është prej një intelektuali të angazhuar.
Profesor Fuga ka publikuar një shkrim, nëpërmjet të cilit ai denoncon publikisht me forcën e kurajos së vet, letërurdhërin e Presidentit të Republikës drejtuar Gjykatës Kushtetuese”.
Sensi reaktiv, maturia intelektuale, por edhe nervi qytetar, gjuha sarkastike dhe shpotitë qesëndisëse të Artan Fugës thonë gjithçka duhet thënë mbi marrëzinë e urdhërimit absurd mbi Gjykatën Kushtetuese.
Ndërkaq, Erion Veliaj, edhe prej kuvlisë ku e kanë ndryrë e mes hallit të madh ku gjendet, me betejën kushtetuese që ka nisur që prej kur u urdhërua shkarkimi i tij nga detyra e Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, po i bën një shërbim të madh më shumë se vetes së tij, autoritetit të Kushtetutës.
Duke vënë në lëvizje Gjykatën Kushtetuese, ai po i ofron asaj shansin që të dëshmojë autoritetin dhe integritetin e vet si organi i vetëm i Drejtësisë Kushtetuese dhe të vendosë mbi bazën e normës kushtetuese, standardin e ndarjes së pushteteve.












Sa i qut ushtari i ilirmutmetes