Presidenti amerikan, Donald Trump, ka njoftuar një marrëveshje me presidentin rus Vladimir Putin për furnizimin e Shteteve të Bashkuara me naftë dizel nga Rusia, me synimin për të ulur çmimet e karburanteve përpara zgjedhjeve të mesmandatit më 3 nëntor.
Sipas njoftimit të Trump, Rusia do të furnizojë fillimisht mbi 300 mijë tonë naftë dizel, më pas 500 mijë tonë të tjera në nëntor dhe 1 milion tonë menjëherë pas kësaj. Një sasi shtesë prej 3 milionë tonësh pritet të dërgohet brenda një periudhe të shkurtër kohore.
Marrëveshja vjen në një moment kur SHBA-të kanë ashpërsuar sanksionet ndaj Rusisë për shkak të luftës në Ukrainë.
Muajin e kaluar, Trump nënshkroi një ligj që parashikon masa të reja kundër zyrtarëve, bankave dhe flotës detare ruse, si dhe kufizime ndaj investimeve amerikane në Rusi.
Njoftimi ngre pikëpyetje mbi zbatimin e sanksioneve të reja, veçanërisht pasi ligji i kërkon administratës amerikane të vendosë tarifa deri në 100% ndaj pesë importuesve më të mëdhenj të naftës ose gazit rus.
Trump nuk dha detaje se kush do të paguajë për karburantin dhe kur do të mbërrijnë furnizimet.
Ai deklaroi se ulja e çmimeve për amerikanët, veçanërisht për fermerët, blegtorët dhe transportuesit, është një nga prioritetet e tij kryesore.
Pas njoftimit të presidentit amerikan, Departamenti i Thesarit bëri të ditur se do të lëshojë menjëherë një licencë të përkohshme që lejon furnizimin e tregut global me naftë dizel ruse.
Çmimet e karburanteve janë rritur në nivel global për shkak të luftës në Iran dhe ndikimit të saj në sektorin energjetik. Sipas të dhënave të AAA, të premten çmimi mesatar i një galoni naftë dizel në SHBA arriti në 6,23 dollarë, pasi më 22 shtator kishte prekur rekordin prej 6,52 dollarësh.

