Qeveria shpalli sot nismën “kurse”, për t’i ardhur në ndihmë konsumatorëve. Marrëveshja me pesë supermarkete parashikon fiksimin e çmimeve për 212 produkte, për një periudhë tre mujore.
Eksperti Mateo Spaho, në një lidhje të drejtpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në televizionin kombëtar Vizion Plus nën moderimin e Aleksandër Furxhi, tha se kjo masë mund të ndikojë në rritjen e konkurrencës, por ka kufizime, veçanërisht për pensionistët dhe qytetarët që nuk kanë njohuri të mjaftueshme për përdorimin e internetit dhe aplikacioneve në celular.
Sipas Spahos, marrëveshja me pesë rrjete supermarketesh nuk është e mjaftueshme për të përfshirë të gjithë tregun, ndërsa një rol më të rëndësishëm duhet të kenë importuesit e mëdhenj.
Ai argumenton se forcimi i lekut ndaj euros nuk është reflektuar në uljen e çmimeve, ndërsa thekson se institucionet shtetërore dhe inspektoratet duhet të ushtrojnë më mirë funksionet e tyre për të mbikëqyrur tregun dhe për të garantuar konkurrencën.
Sipas tij, transparenca duhet të shoqërohet me kontrolle efektive dhe reforma institucionale, në mënyrë që nisma të mos mbetet thjesht një marrëveshje tremujore.
INTERVISTA E PLOTË:
Sipas jush, për ta kuptuar më mirë, sjell ulje të çmimeve apo është thjesht një transparencë? I bën çmimet më të dukshme?
Mateo Spaho: Atëherë, së pari, kjo është një nismë që synon transparencën dhe natyrisht pas transparencës mund të vijë një input shtesë për rritjen e konkurrencës. Natyrisht nuk është një garanci e drejtpërdrejtë, por lejon qytetarët që të shikojnë ku mund të jenë ato produkte me çmime më të volitshme ose më të arsyeshme. Mos harrojmë që Shqipëria është një vend që ka pasur një rritje domethënëse të çmimeve edhe për shkak të krizave ndërkombëtare, por në raport me vendet e Bashkimit Evropian në 3-4 vitet e fundit ne kemi kaluar nga 66 përqind e nivelit të çmimeve të BE-së në 73 e tre apo 74 përqind. Pra, niveli i rritjes së çmimeve në Shqipëri ka qenë edhe më i lartë, jo sepse janë rritur çmimet në vetvete, por se ka ndodhur që euro është zhvlerësuar në raport me lekun dhe kjo duhej të përcillte në fakt një ulje të çmimeve në lekë, gjë që nuk e solli. Pra, në mënyrë indirekte tregtarët apo importuesit kanë futur në xhep atë benefit që ka sjellë forcimi i lekut dhe dobësimi i euros. Kështu që duhej me patjetër një nismë e cila të evidentonte këtë problematikë.
Dy pensionistë po bisedonin sot me njëri-tjetrin: “Si më hyn në punë? Cila është dobia e kësaj nisme që ka shpallur qeveria?” Ata mbanin mend fjalën “kurse”.
Mateo Spaho: Së pari, ata pensionistë duhet të kenë aftësi për të përdorur internetin dhe aplikacionet në celular për të parë në cilin supermarket një produkt i caktuar kushton më pak ose më shumë. Dhe e kuptoni vetë që që këtu ka problematika konkrete për një pjesë të mirë të popullsisë, sepse ata që kanë marrë pensionet e veta jo gjithmonë janë aq miqësorë ndaj përdorimit të internetit dhe të aplikacioneve të celularëve më të përparuar. Kështu që është një problematikë më vete. Dhe nga ana tjetër janë vetëm 5 rrjete supermarketesh që kanë nënshkruar me qeverinë këtë lloj pakti dhe kanë vetëm 100 e ca pika në Shqipëri. Ndërkohë që e dimë shumë mirë se pikat e shitjes dhe supermarketet në vendin tonë janë vërtet të shumta. Pra ka nevojë në fakt për një pakt që, për mendimin tim, duhet kryer me importuesit më shumë se me supermarketet në vetvete.
A njihet kjo lloj praktike në vende të tjera, të paktën të ngjashme me Shqipërinë?
Mateo Spaho: Absolutisht po. Vitin e kaluar Giorgia Meloni mori një nismë të ngjashme me shpërndarësit e mëdhenj, pra me prodhuesit dhe shpërndarësit e mëdhenj. Ne kemi importues të mëdhenj në këtë sens sepse në ekonominë tonë kemi pak fabrika që merren me industrinë e lehtë, të themi kështu, me transformimin e produkteve bujqësore, dhe natyrisht në Itali kjo pati një farë efekti në ruajtjen e inflacionit, sidomos për produktet e shportës në nivele, pak më të pranueshme, dhe së paku kuptojmë në mënyrë më të drejtpërdrejtë se nëse dikush përfitonte, kush përfitonte. Sepse duhet të kuptojmë që ka hallka të ndryshme, është prodhuesi kryesor dhe fillestar, është shpenzimi i transportit, është importuesi, janë taksat në Shqipëri, pra duhet kuptuar kush përfiton nga rritja e çmimeve dhe kush janë humbësit neto. Natyrisht humbësit është e thjeshtë t’i llogarisim sepse janë qytetarët, por përfituesit jo gjithmonë e kuptojmë. Në rastin konkret në vitet e fundit përfituesit kryesorë kanë qenë importuesit, të cilët duhet të ndiqnin kursin e këmbimit dhe një lloj norme të caktuar fitimi, ndërkohë që kjo normë është rritur dhe duket edhe në bilancet e disa supermarketeve të cilat kanë dyfishuar ose trefishuar rrjetin e tyre. Natyrisht nëse do të kishin fitime normale kjo rritje do të kishte qenë më e ngadaltë.
Dhe në qoftë se sot për sot bëhet fjalë për një marrëveshje tremujore me qeverinë, çfarë do duhej të bëhej ose të mbahej më mirë parasysh që një marrëveshje tjetër e radhës të realizohej e të mos ngelej thjesht një episode?
Mateo Spaho: Atëherë institucionet shtetërore shqiptare kanë 11-15 inspektoriate. Këto inspektoriate nuk kanë bërë punën e tyre në këto 3 vite të fundit dhe nuk është e mundur që të vijmë kaq vonë në evidentimin e kësaj çështjeje. Ju thashë edhe përpara, rritje çmimesh ka pasur edhe në Bashkimin Evropian, por te ne kanë qenë më të evidentuara dhe më të mëdha se në vendet e tjera. Pra çfarë nevojitet? Përpara se të bëjmë pakte me privatin duhet të shikojmë pak institucionet shtetërore, inspektoriatet a kanë bërë mirë punën e tyre apo kanë realisht edhe ato nevojë për reforma në mënyrë të tillë që të jenë më të vëmendshme për sa i përket çmimeve të tregut. Dhe natyrisht nëse kjo do të ndodhte, nuk do të kishte nevojë për pakte të veçanta me rrjete supermarketesh dhe me importues. Kështu që sfida për të ardhmen është që institucionet të bëjnë punën e tyre, sidomos ato që lidhen pikërisht me nivelin e çmimeve dhe me cilësinë e produkteve.

