Që nga qershori, të dy palët në bisedimet e ndërmjetësuara nga BE-ja për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë kanë thënë se negociatat po hyjnë në fazën finale.
Por paralelisht me këtë janë shtuar debatet rreth idesë së shkëmbimit të territoreve mes dy vendeve, praktikisht zonat me shumicë shqiptare në jug të Serbisë me zonën me shumicë serbe në veri të Kosovës, një mundësi kjo që nuk është hedhur kurrë si temë zyrtare diskutimi gjatë dialogut Prishtinë- Beograd në Bruksel.
Çfarë lloj marrëveshjeje përfundimtare mund të arrihet mes Prishtinës dhe Beogradit në këto kushte dhe ku do të çonte paktikisht ndarja e Kosovës dhe shkëmbimi i territoreve?
BIRN ka pyetur në lidhje me këto çështje disa njohës të mirë të çështjeve të rajonit dhe marrëdhënieve mes dy vendeve në veçanti.
Florian Bieber, profesor i historisë dhe politikës së Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit dhe kordinator i Grupit Këshillues Politik “Ballkani në Evropë”, thotë se zgjidhja realiste do të duhej të siguronte që pavarësia e Kosovës të pranohej, veçanërisht në OKB dhe nga 5 vende të BE-së që nuk e kanë njohur ende.
“Nëse Serbia zyrtarisht e njeh Kosovën ose gjen një mënyrë tjetër, është e pranueshme, por duhet të jetë e qartë se Serbia de facto e njeh Kosovën”, thotë ai.
Ndërsa në lidhje me idenë e ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve, Bieber thotë se një marrëveshje e tillë nuk do t’u jepte fund mosmarrëveshjeve mes dy vendeve. “Të dy palët janë të ineteresuara për një paqe “të ftohtë”, jo për një faqe të re në marrëdhëniet mes tyre”, thotë ai.
Për Bieber, pasi të zgjidhet mosmarrëveshja Kosovë-Serbi, Presidenti serb Vuçiç do të ballafaqohet me zëra më kritikë nga BE-ja për gjendjen e demokracisë dhe sundimit të ligjit në vendin e tij, prandaj ai ka një nxitje të fortë që të mos gjejë një zgjidhje së shpejti. “Ndërsa në në Kosovë, qeveria vuan nga një koalicion i brishtë me legjitimitet të dobët, çka i bën të pamundura kompromiset”, thotë ai.
Bojan Elek, studiues në Qendrën e Beogradit për Politikat e Sigurisë, thotë se Serbia duhet të mbrojë interesat e qytetarëve të vet, duke shmangur njohjen de facto të Kosovës si shtet.
“Zgjidhja përfundimtare ndoshta do të duhet të jetë një formë kompromisi që do t’i lërë të dyja palët në mënyrë të barabartë të pakënaqur. Me një marrëveshje të detyrueshme ligjore, Kosova do të duhej të fitonte karakteristikat de facto të një shteti, përfshirë këtu një vend në OKB dhe një perspektivë për anëtarësimin në BE, ndërsa Serbia mund të shmangte një njohje të qartë de jure të pavarësisë, duke e bërë marrëveshjen më të pranueshme për qytetarët. Pa marrë parasysh se cila do të jetë marrëveshja përfundimtare, gjëja më e rëndësishme për Serbinë do të ishte mbrojtja e të drejtave të qytetarëve të saj që jetojnë në territorin e Kosovës”.
Ai e sheh si zgjidhje të keqe shkëmbimin e territoreve, që sipas tij do të shtronte rrugën për demarkimin e rajonit. “Do të përforcoheshin qasjet nacionaliste për organizimin e territoreve sipas parimit “populli im, toka ime”, e cila ka shkaktuar jo pak trazira në rajon nëse marrim parasysh historinë e 30 viteve të fundit”, thotë ai.
Agon Maliqi, redaktor i S-Bunker, një faqe analize politike, thotë se nëse mes dy vendeve do të ketë marrëveshje, tre janë skenarët e mundshëm: 1) Riemërtimi i të drejtave ekzistuese për serbët, çka do ta lejojë Vuçiçin ta shesë marrëveshjen si fitore, por nuk do të garantojë një vend në OKB për Kosovën për shkak të Rusisë, dhe do të zhbllokojë rrugën e Kosovës drejt BE-, por edhe kjo në mënyrë të mjegullt. 2) Opsioni i dytë do të ishte diçka thelbësore si një formë e autonomisë territoriale për serbët (e cila rrezikon ta bëjë shtetin e Kosovës jofunksional dhe të rritë kontrollin e Beogradit) duke mos garantuar përsëri një vend në OKB. Ndërsa opsioni i tretë do të ishte shkëmbimi i territoreve, që ndryshon tërësisht “lojën” në rajon.
Në lidhje me opsionin e tretë, Maliqi parashikon një polarizim të thellë sepse ndarja e Kosovës do të rihapte automatikisht debatin për bashkimin me Shqipërinë dhe aftësinë vetëqeverisëse të Kosovës.
“Nuk mund të parashikoj se si ndarja do të ndodhë pa të paktën tension ose dhunë qoftë në Kosovë apo në rajon, ose si përgjigje ndaj kësaj zgjidhjeje nga ata që janë të pakënaqur ose si një mjet nga nxitësit e tij për të shpejtuar gjërat dhe krijojnë realitete të reja në terren që do ta bënin të pashmangshëm këtë hap”, shprehet ai.
Edward Joseph, Shkolla e Studimeve të Avancuara Ndërkombëtare “John Hopkins”, në lidhje me negociatat mes dy vendve thotë se presidenti serb mund të pranojë për Kosovën zgjidhje që do t’i garantonin vendit të tij përparimin drejt pranimit të Beogradit në BE. “Ai mund dhe do të pranojë pothuajse çdo gjë që mbron pozitën e serbëve në Kosovë. I gjithë nocioni se Vuçiç përballet me një ‘zgjedhje’ mes BE-së dhe Rusisë është një shtrembërim i nxitur nga vetë Vuçiç për të larguar presionin perëndimor”, thotë ai.
Joseph thotë se ideja e shkëmbimit të territoreve nuk është e lehtë në praktikë, siç mund të duket teorikisht. “Ata që mendojnë se Lugina e Preshevës/ Jugu i Serbisë përfaqëson zgjidhjen përmes këmbimit me veriun, nuk kanë folur ndonjëherë me shqiptarët që jetojnë atje. Shumë prej shqiptarëve të Preshevës nuk e mbështesin idenë e bërjes pjesë e provincës lindore të Prishtinës, duke u ndarë nga autostrada veri-jug, nga e cila Serbia nuk heq dorë. Ideja se Kosova duhet ndarë mbështetet në iluzionin se do të ishte e drejtë. Por në fakt do të ishte e çrregullt, jopraktike dhe e rrezikshme. Sa më shumë flitet, aq më shumë duket si zgjidhje praktike, që në fakt nuk është. Fakti që BE ka “levat” për këtë e bën të gjithë çështjen jopraktike dhe të rrezikshme, por edhe të panevojshme”, thotë ai.
Gordana Suza, gazetare dhe opinioniste serbe, thotë se nëse një marrëveshje mes dy vendeve nuk arrihet, atëherë konflikti i ngrirë mund të shkrijë.
“Marrëveshja nuk e detyron Serbinë të njohë Kosovën zyrtarisht, por do t’i duhet të respektojë institucionet dhe ligjet e Kosovës. Sipas atyre ligjeve do të funksionojë edhe Asociacioni i Komunave me shumicë serbe.
“Nëse marrim parasysh sondazhet e opinionit publik, sipas të cilave dy të tretat e qytetarëve serbë besojnë se Kosova është e humbur, por gjithashtu se nuk duhet të njihet de jure, marrëveshja e detyrueshme reciproke është korniza për të dyja. Nëse Beogradi dhe Prishtina dështojnë në arritjen e një marrëveshjeje, një konflikt i ngrirë mund të shkrirë … me rezultate shumë të pasigurta, kryesisht për Serbinë”, thotë Suza.
Ndërsa në lidhje me ndarjen e Kosovës dhe shkëmbimin e territoreve, Suza thotë se kjo do të hapte kutinë e Pandorës.
“Nuk e di nëse ndarja e Kosovës është në tavolinë, megjithëse nuk do të përjashtoja mundësinë që të diskutohet, por kam frikë se biseda për ndarjen dhe shkëmbimin e territoreve neglizhon njerëzit dhe hap përsëri kutinë e Pandorës. Nëse të dyja palët nuk arrijnë një zgjidhje pas përpjekjeve të shumta, përvoja na ka mësuar që një palë e tretë do të vendosë fatin tonë dhe kjo me kushte shumë më të këqija”, thotë ajo.
MA.ME