Nga Koço Danaj
Në vitin 2001, si rezultat i mohimit të lirive dhe të drejtave, shqiptarët në maqedoni filluan një kryengritje. Fillimisht ajo nisi si kryengritje për teritore deri në shkëputje, por më vonë, qoftë nga përvoja, qoftë nga paaftësia, degradoi në liri dhe tëdrejta të njeriut duke përfunduar me marrëveshjen e Ohrit. Marreveshja e Ohrit u nënshkrua në vitin 2001, në muajin gusht. Por nacionalizmi maqedonas duket se nuk u pajtua edhe me këtë marrëveshje. Në datën 7 nëntor 2004, Partia qëështë sot në pushtet VMRO-DPMNE e drejtuar nga Nikolla Gruevski arriti të bëjë një Referendum kundër kësaj marrëveshje. Pavarsisht se ai nuk arriti të fitojë, pro tij votuan 409 mijë qytetarë Maqedonas.
Sot, shqiptarët në Maqedoni megjithëse janë popull shtetformues, nuk kanë të sanksionuar me ligj, asnjë nga simbolet e tyre nacionale. Në këtë çështje madhore, ata trajtohen njësoj si serbët, turqit, romët që janë nga 3 deri në perqind. Sot Marrëveshja e Ohrit, ka vdekur. Dhe tek i vdekuri shkohet për të cuar ndonjë buqetë me lule, por asesi për të kërkuar ndihmë. Faktet e mëposhtme na e bejnë më të qartë pohimin e mesipërm:
Fakti i parë:Sot shqiptarët në Maqedoni nuk kanë të drejtë me ligj të përdorin Flamurin e tyre Kombëtar. Ligji per përdorimin e Flamurit u miratua në vitin 2004, por u kontestua nga disa deputetë maqedonas në Gjykatën Kushtetuese. Pas 3 vjetësh, Gjykata Kushtetuese e anulloi ligjin për përdorimin e Flamurit shqiptar. Qysh ateherë e deri me sot, nuk ka asnjë ligj tjetër. Peërdorimi i simbolit kombëtar të shqiptarëve, aktualisht bëhet mbi dëshira voluntariste. Kjo situatë lë shtegun hapur që në një moment të përshtatshëm për nacionalizmin maqedonas të atakohet përdorimi i simbolit nacional të shqiptarëve. Një rast i tillë, ndodhi në vitin 1997 kur policia maqedonase kërkoi heqjen e flamurit shqiptar nga komuna e Gostivarit. Shqiptarët kundërshtuan dhe pati përleshje ku u vranë dy shqiptarë dhe u arrestua kryetari i komunës Rufi Osmani.
Fakti i dytë: Festat nacionale në Maqedoni
Shqiptarët megjithse janë popull shteteformues, nuk kanë asnjë festë nacionale tëmiratuar nga Parlamenti maqedonas. Sot Maqedonia ka 6 festa shtetërore, por që të gjashta i përkasin maqedonasve. Festat në Maqedoni filimisht rregulloheshin me Ligjin për festat në Republikën e Maqedonisë, Gazeta zyrtare nr. 21/98, datë 8.05.1998. Në fillim të vitit 2007, ky ligj u ndryshua me Ligjin për ndryshimin e ligjit për festat në Republikën e Maqedonisë, Gazeta zyrtare nr. 18, datë 15.02.2007. Të dy ligjet i klasifikojnë festat në Republikën e Maqedonisë në tre kategori: 1. festa shtetërore, 2. festa (tjera) dhe 3. ditë që festohen. Festat shtetërore dhe festat (tjera) janë ditë pushimi për të gjithë banorët e Maqedonisë ndërsa ditët që festohen janë pushim vetëm për komunitetet që ju takojnë ato.
1. Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton vetëm tre festa shtetërore: 2 gushtin (Ilindenin), 8 shtatorin (Dita e shpalljes së pavarësisë) dhe 11 tetorin (Dita e kryengritjes në Luftën e Dytë Botërore).
Ligji i ri i vitit 2007 u shton këtyre tre festave ekzistuese edhe tre festa të tjera shtetëror me karakter sllav, asnjëra nga të cilat nuk ka të bëjë aspak me shqiptarët: 24 majin – Ditën e shenjtorëve gjithë sllavë Kirili dhe Metodi, 23 tetorin – Ditën e formimit të VMRO-së dhe 8 dhjetorin – Ditën e Shën Klimentit të Ohrit.
2. Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton vetëm dy festa (tjera): Vitin e Ri (1 dhe 2 janarin) dhe Ditën e punës (1 dhe 2 majin). Ligji i ri i vitit 2007 i zvogëlon në vetëm nga një ditë feste Vitin e Ri dhe Ditën e punës dhe u shton këtyre edhe dy festat kryesore ortodokse (Krishtlindjet dhe Pashkët) dhe vetëm Bajramin e madh! Bajrami i vogël është futur një kategori më poshtë, tek ditët që festohen!
3. Ligji i vjetër i vitit 1998 përcakton si ditë që festohen: Krishtlindjet dhe Pashkët ortodokse, Bajramin e madh dhe Bajramin e vogël dhe Jom Kipurin për hebrenjtë.
Ligji i ri i vitit 2007 përfshiu nga një festë për çdo bashkësi etnike (vini re se ku është radhitur statusi i shqiptarëve): për shqiptarët (Dita e Kongresit të Manastirit), për turqit (Dita e mësimit të gjuhës turke), për serbët (Dita e Shën Savës), për romët (Dita ndërkombëtare e romëve), për vllahët (Dita kombëtare e vllahëve) dhe për boshnjakët (Dita ndërkombëtare e boshnjakëve)!
Fakti i tretë: Përdorimi i gjuhës shqipe
Në bazë të Marrëveshjes së Ohrit, është vendosur që gjuha shqipe të jetë gjuha e dytë zyrtare në Maqedoni. Por pasi kaluan 14 vite, u miratua një ligj gjysmak i cili asesi nuk përputhet me Marrëveshjen e Ohrit. Sot, asnjë nga ministritë e shtetit maqedonas nuk përdor gjuhën shqipe nëweb faqet e tyre në internet. Përkundrazi, vazhdojnë të përdoren vetëm gjuhët maqedonisht dhe anglisht.
Cila do të jetë e ardhmja e Maqedonisë? Do të jetë një e ardhme e zymtë, me shumë të papritura. Ngjarjet tragjike në Kumanovë e errësuan më shumë atë që deri dje quhej zymtësi.
Janë dy skenare që priten të ndodhin. Maqedonia nuk mund të jetoje siç është aktualisht. Në mënyrë figurative ajo mbahet në këmbë nga shqiptarët, ose me konkretisht nga një shtresë e korruptuar politikanësh shqiptarë. Por ata po humbasin çdo ditë terren në popullin shqiptar. Skenari i parë i së ardhmes së Maqedonisë do të jetë ndarja e saj. Është skenari më i mundshëm dhe më i shpejtë. Maqedonasit nuk duan të jetojnë me shqiptarët duke i trajtuar ata të barabartë. Por edhe shqiptarët gjithmonë e më shumë nuk po pranojnë të jetojnë si qytetarë të dorës së dytë. Pra problemi shtrohet: Ndarja e maqedonisë ka kohë që duket në horizont. Çështja që preokupon edhe bashkësinë ndërkombëtare është si do të realizohet ndarja, qetësisht sipas modelit çeko sllovak, apo me trazira sipas modelit tradicional ballkanas. Ndarja do të jetë radikale duke u bashkuar me Shqiperinë, apo do të provohet edhe për disa kohë sistemi federativ dhe Maqedonia do të pajtohet me variantin belg të organizimit te shtetit.
Skenari i dytë është skenari konfederativ midis shqiptarëve dhe maqedonasve, duke pasur të dy etnite kryeqytet të përbashkët Shkupin. Duket se nacionalizmi maqedonas nuk e deshiron këtë lloj zgjidhje. Fakti më domethënës në ndihmë të pohimit të mësipërm është Projekti Shkupi 2014, i hartuar nga arkitektë maqedonas me porosi të qeverisë Gruevski. Është njëprojekt nacionalist me synime të qarta, shndërrimin e Shkupit në një qytet të pastër maqedonas duke zhdukur çdo shenjë të kulturës dhe historisë shqiptare. Vlera e projektit është 200 milion euro.
Përballë këtyre skenarëve, faktori politik shqiptar në Maqedoni, është i papërgatitur.Ngjarjet e Kumanovës e treguan qartë këtë dukuri. Ata janë të përcarë dhe me shumë interesohen për marrdhenie më të mira me pushtetin maqedonas se sa me njëri tjeterin. Në këtë përëarje duket se ka ndikuar edhe Tirana dhe Prishtina zyrtare të cilat deri më tani marrdhëniet me faktorin politik shqiptar i mbajnë mbi bazën e preferencave personale se sa të referencave etnike.