Ishte një telefonatë që shkatërroi marrëdhënien mes Jose Mourinho dhe Iker Casillas, një herë e përgjithmonë. Portieri i Real Madrid ishte nga njëra anë e linjës dhe kapiteni i Barcelonës, Xavi nga ana tjetër. Casillas e mori në telefon kolegun pas një zënke masive në “El Clasico”. Ai ishte i nevrikosur kur biseda nisi, por toni i zërit ndryshoi kur Xavi, një nga miqtë e tij më të mirë në futboll, i tha se të dyja skuadrat duhet të ndryshonin sjellje. Biseda u mbyll me tone gazmore dhe Mourinho u tërbua…
Casillas dhe Mourinho do të përballen të martën në “Estadio de Dragao” dhe askush nuk e ka ndryshuar këndvështrimin e tre viteve të kaluara së bashku. “Iker meriton fjalët më të mira, – tha Xavi gjatë një interviste për gazetën “Marca”. – Ai më telefonoi mua dhe Puyol, menjëherë pas ndeshjes. I thashë se duhet të silleshim ndryshe me njëri-tjetrin. Ai ishte dakord dhe po mendonte vetëm për interesin e futbollit spanjoll.”
Për Jose Mourinho, kjo sjellje ishte një tradhti. Ai kishte vendosur se e vetmja mënyrë për të mposhtur Barcelonën ishte lufta. Portugezi nuk e pranonte flamurin e bardhë që kishte ngritur Casillas. Marrëdhënia e vështirë mes Casillas dhe Mourinho nisi në vitin 2010, kur “Special One” shkoi në Madrid. Casillas sapo kishte fituar Kupën e Botës dhe nuk e pëlqeu mendimin e Mourinho, që Madridi nuk mund të përballej me Barcelonën, vetëm duke luajtur futboll.
Sipas shijeve të Mourinho, Casillas, që në atë moment konsiderohej si një nga portierët më të mirë në botë, nuk kishte personalitetin e duhur për të dominuar në zonën e rreptësisë. Me kalimin e kohës, marrëdhënia mes tyre vetëm u përkeqësua. Në nëntor, në sezonin e parë së bashku, Real Madrid u mposht 5-0 në “Camp Nou”, në atë që Mourinho e përshkroi si humbja më e keqe e karrierës së tij.
Kur të dyja skuadrat u ndeshën sërish në prill 2011, portugezi ishte i vendosur më shumë se kurrë për t’i bërë gjërat sipas mënyrës së tij. Ai aktivizoi Pepe në mesfushë, duke kërkuar një “betejë” të ashpër me portugezin, Sami Khedira dhe Xabi Alonso në mesfushë. Ndeshja u mbyll 1-1, por pjesa dërmuese e lojtarëve të Realit nuk e pëlqeu atë taktikë loje. Sara Carbonero, gazetare dhe e fejuara e Casillas, publikoi në shtyp ankesa e lojtarëve “merengues” dhe sipas Mourinho, Iker ishte spiuni!
Reali e mposhti Barcelonën në finalen e Kupës së Mbretit. Pastaj erdhi përballja në gjysmëfinalen e Champions League. Pas barazimit 0-0 në “Camp Nou”, Mourinho e urdhëroi ekipin të luante në mbrojtje në ndeshjen e kthimit. Plani i tij u prish kur Pepe doli me karton të kuq dhe Messi shënoi dy gola. Casillas nuk ishte i vetmi që doli publikisht kundër taktikës së trajnerit. Cristiano Ronaldo tha: “Nuk më pëlqeu kjo mënyrë loje, por më duhet të përshtatem me ato që trajneri kërkon nga unë.” “CR7” u la pushim në ndeshjen e radhës.
Në sezonin 2011-12 tensioni arriti kulmin pas një faulli të shkaktuar nga Marcelo ndaj Cesc Fabregas, në ndeshjen e vlefshme për Superkupën e Spanjës. Mourinho nisi një sherr masiv nga stoli, pasi i futi gishtin në syrin e Tito Vilanovës. Casillas, menjëherë pas ndeshjes, i kërkoi ndjesë miqve të tij te Barcelona dhe kjo solli irritimin e Mourinho. Edhe në librin e gazetarit Diego Torres, “Special One”, shkruhet: “Mourinho e konsideroi veprimin e Casillas si një tradhti ndaj tij dhe ekipit, si një veprim egoist i një frikacaku, që nuk ishte gati për “luftë”.
U bë edhe një takim mes portierit, Sergio Ramos, presidentit Florentino Perez dhe Mourinho. Ishte takimi ku portugezi i bëri të qartë të gjithëve se dikush tjetër do të ishte titullari i portës së Realit, sepse ai mendonte se Casillas nuk ishte njeriu i duhur. Në dhjetor të atij viti portën e mbrojti “amatori” Adan, pavarësisht se Real Madrid ishte 11 pikë larg Barcelonës në renditje. Kur Casillas u kthye në fushë, publiku në “Bernabeu” e priti me vërshëllima, por edhe për trajnerin Mourinho pati vërshëllima. Këto kontestime nuk u ndalën kurrë dhe dyshja nuk është më në “Bernabeu”. Njëri shkoi te Chelsea, tjetri fitoi edhe një Champions League dhe shkoi te Porto.
Ishte sezoni i tretë dhe i fundit i Mourinho dhe Casillas së bashku, ai që shënoi divorcin përfundimtar. Kur mori Diego Lopez nga Sevilla, pikërisht gjatë prezantimit të këtij të fundit, trajneri portugez tha: “Ashtu si Casillas do të preferonte një trajner tjetër si Del Bosque apo Pellegrini edhe unë mund të them se preferoj një portier tjetër. Për sa kohë unë jam trajner i Realit, titullar do të jetë Diego Lopez.” Beteja e radhës do të jetë të martën në Champions League. “Nuk kemi pasur një marrëdhënie të mirë, kaq mund të them,” – deklaroi Mourinho./Telesport.al









