Aleksandër Sadikaj u ekzekutua në mënyrë makabër mesditën e 11 qershorit 2022 pranë rrethrrotullimit të TEG-ut në Tiranë, vetëm pak minuta pasi kishte lënë banesën e tij në lagjen ‘Sauk i Vjetër’, ku ai qëndronte me qira prej 3 vitesh. Emisioni “Në Shënjestër” në News24 i gazetares Klodiana Lala zbardh të tjera detaje nga ngjarja e rëndë kriminale që tronditi mbarë opinionin publik.
Sadikaj mund të mos ishte i painformuar mbi fundin e tij tragjik, ndërsa dëshmitë e reja, tregojnë se rrotull tij shumë njerëz ishin vënë në lëvizje për ta eliminuar. Në pamjet e tmerrshme, tashmë të bëra të njohura, ku ai humbi jetën vetëm pak minuta pas këtij shpërthimi rrugës për në spitalin e Traumës. Por ndërsa kanë kaluar shumë muaj nga ky atentat i mirëfilltë mafioz, policia nuk ka ende autorë të mundshëm të lidhur me këtë ekzekutim.
Por vetëm dyshime të cilat nuk bëjnë asgjë tjetër, veçse vazhdojnë ta davarisin edhe më shumë prapaskenën e këtij atentati.
Ashtu siç janë edhe dyshimet mbi një tjetër personazh, i cili u ekzekutua vetëm disa muaj pas eliminimet të Aleksandër Sadikaj. Bëhet fjalë për Edmond Papën, një biznesmen i cili jetonte midis Greqisë dhe Shqipërisë. Ai thuhet se ishte i lidhur me trafikun e drogës, ashtu si dhe Aleksandër Sadikaj, i riu nga Memaliaj, i njohur me nofkën ‘Sanço’. Kjo për faktin se Sadikaj ishte arrestuar disa herë në Greqi dhe Shqipëri për trafik të lëndëve narkotike, por edhe për krime kundër personave të ndryshëm, si plagosje apo vrasje, ndërsa thuhet se zotëronte pasuri marramendëse.
Por edhe Papa që pavarësisht se në dukje një profil i tërhequr, duket se nga pas ruante të njëjtën statu-squo.
Emisioni ‘Në shënjestër’ ‘zbërthen’ se çfarë i lidh këta dy personazhe. Cila ishte marrëdhënia e tyre prapa kuintave? Sipas dëshmive më të fundit të siguruara nga emisioni ‘Në shënjestër’ Aleksandër Sadikaj, rezulton se ka qëndruar në hotelin e Edmond Papës, gjatë ditëve të fundit, para se ai të eleminohej mizorisht në Tiranë më 11 qershor 2022. Ky fakt del të jetë i vërtetë edhe nga dëshmia e dhënë së fundmi në polici nga nëna e Sadikaj, e cila ka pohuar se vetëm disa ditë para se të vritej, djali i saj ka qëndruar në hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës dhe vëllait të tij, Kristo Qirici.
Dosja Hetimore
Më datë 9 Janar 2023, në Drejtorinë e Policisë Vendore Tiranë është paraqitur nëna e viktimës, shtetesja me inicialet S. K, e cila ka deklaruar se: “Djali im Aleksandër Sadikaj dy apo tre ditë para se të nisej për në Tiranë, ka qëndruar së bashku me disa shokë të tij në hotel ‘Blue Sky’ Sarandë, në pronësi të vëllezërve Kristo Qirici dhe Edmond Papa.”.
Sipas informacioneve që ka dhënë nëna e Sadikaj, djali i saj nuk ka qenë i vetëm në këtë hotel, por ishte në shoqërinë e dy personave të tjerë, që i ka identifikuar si; Ledjani dhe Xhoni. Në dosje bëhet e ditur se Ledjani rezulton se e ka këshilluar Sadikajn që makinën e tij tip Golf të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës. Kjo sipas nënës së tij, me qëllimin për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.
“Djali im ka qëndruar në hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë së bashku me shtetasit Ledjan dhe Xhoni me origjinë nga Fieri dhe banues në Sarandë. Pak kohë para se të vritej, Aleksandri më ka thënë se automjetin tip Golf me ngjyrë të bardhë e kishte lënë disa ditë për ta rregulluar në fshatin Kurjan në Fier, tek magazinat në pronësi të dajës së Edmond Papës. Ai që i sugjeroi djalit tim për ta çuar makinën në Kurjan, ishte Ledjani, i cili është lidhje e ngushtë shoqërore e vëllezërve Papa.”, tha nëna e Sadikajt.
Kjo mesa duket ishte edhe arsyeja përse Aleksandër Sadikaj, ditën që shpërthimi i mori jetën, nuk lëvizte me makinën e tij, por me një automjet tip ‘Mercedes Benz’. Ekspertët e xhenios, konstatuan se ishin vendosur 500 gramë tritol, pikërisht në serbatorin e makinës. Por pas vrasjes së djalit të saj, dhe të thënave që ai i kishte lënë, mbi shoqërinë ditët e fundit me Ledjanin, nëna e Sadikaj kërkoi të kishte një komunikim me të, qoftë për të mësuar edhe diçka nga e vërteta e asaj që ndodhi me djalin e saj. Por ky takim, siç del edhe nga ky rrëfim i saj përpara oficerëve të policisë, nuk u mundësua kurrë, pasi ai mesa duket refuzoi t’i dilte përballë
“Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte.”, tha nëna e Aleksandër Sadikaj.
Teksa Ledjani, po i fshihej nënës së Aleksandër Sadikaj, kjo e fundit thotë se insistoi deri në fund për të një takim me të. Madje duke shkuar këtë herë vetë në hotelin ‘Blu Sky’ në Sarandë ku qëndronte, ai.
“Pasi pashë që Ledjani nuk donte të më dilte në takim, ndodhur në këto kushte kam shkuar vetë tek hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë.
Por edhe këtë herë ai nuk më ka dalë në takim. Për arsye të cilat nuk mi bëri të njohura”, tha ajo.
Por ndërsa nëna e Aleksandër Sadikaj, kërkonte me insistim të mësonte të vërtetën mbi vrasjen e të birit, në fundin e muajit dhjetor vjen edhe ekzekutimi i Edmond Papës. Ngjarje kjo e ndodhur më 16 dhjetor 2022, në një lokal në rrugën ‘Fadil Bodinaku’ në zonën e Selitës në Tiranë. Papa u qëllua ndërsa po pinte kafe, poshtë pallatit ku banonte vëllai i tij, ditën kur ai udhëtoi nga Saranda drejt Fierit ku thuhet se mori nënën e tij për ta sjellë në Tiranë për disa kontrolle shëndetësore.
Por ndërsa të gjitha dyshimet bien mbi një konflikt të mundshëm për drogën midis Sadikaj dhe Papës, duket se pistat rrokullisen edhe njëherë pas dëshmisë së fundit të dhënë nga nëna e tij. Kjo e fundit përpara grupit hetues tregon një tjetër version që mund të jetë një pistë e besueshme, version të cilin ajo e bazon në bisedën që Xhino ka bërë me djalin e saj pak minuta para se të vritej. Sadikaj i ka treguar në telefon një tokë që familja e tij kishte në pronësi pranë TEG-ut, pronë që me shumë gjasa duhet të ketë pasur një vlerë të lartë në treg.
“Më datë 17 Dhjetor 2022 në shtëpinë time në Memaliaj ka ardhur Xhino, i cili më ka thënë që ishte kthyer nga varrimi i Edmond Papës dhe më ka kërkuar që ta shoqëroja për në varreza, tek varri i Aleksandrit. Xhino më ka treguar nga telefoni një video që Aleksandri kishte regjistruar vetëm pak minuta para se të vritej, që tregonte një sipërfaqe toke që kemi në pronësi në afërsi të Qendrës Tregtare ‘TEG’ dhe për këtë pronë kishte shfaqur interes për ta blerë Ledjani.”, tha nëna e Sadikajt.
Sipas nënës së Aleksandër Sadikaj, interes për këtë tokë kishte shfaqur edhe Ledjani, por mesa duket familja Sadikaj ishte treguar më e shpejtë në veprimet e saj. Në dojse thuhet se kjo mund të ketë lënë të pakënaqur, Ledjanin dhe njerëzit e tij përreth, në këtë rast edhe Edmond Papën. Një version i mundshëm ky, pa lënë mënjanë edhe konfliktet e tjera që palët mund të kenë pasur në afera të ndryshme. Ndërkohë që siç del nga dëshmia e nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese. Kjo rriti edhe më shumë dyshimet te nëna e Aleksandër Sadikaj, se vrasësi i të birit ishte Edmond Papa dhe njerëzit pranë tij.
“Xhino më ka pohuar që vëllezërit Papa dhe Ledjani, mbajnë armë zjarri dhe lëndë eksplozive në ambjentet e Hotel ‘Blu Sky’, në Sarandë. Dyshoj se vrasja e djalit është organizuar nga vëllezërit Edmond Papa dhe Kristo Qiriqi, alias Jetmir Hoxha, në bashkëpumim me Ledjanin.”, theksoi ajo.
Por një dëshmi tjetër që ngre dyshime se Edmond Papa fshihej pas vrasjes së Aleksandër Sadikaj është edhe ajo e një të riu, me inciale E. G., që kishte njohje të afërta me Sadikaj. I riu del se është paraqitur në polici, më datë 23 Nëntor 2022, gati një muaj para se Edmond Papa të ekzekutohej, ku ka deklaruar se çfarë familja e Sadikajt, ka dashur që ai të thotë në polici, lidhur mbi personin e Ledjanit. Sipas të riut, Ledjani i kishte sugjeruar Sadikajt që ta çonte makinën e tij ‘Golf’ në fshatin Kurjan, për t’i bërë atë vendin e fshehtë.
Por ky ‘vendi i fshehtë’ nuk del qartë se për çfarë bëhet fjalë, por që mund të jetë edhe vendi i modifikuar ku mund të fshihej një sasi droge.
Dosja Hetimore
E. G, e identifikon personin me emrin ‘Ledi’ si shtetasin Ledjan ose Eldjan. Më datë 23 Nëntor 2022, E. G është paraqitur sërish në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, dhe në vijim të deklarimeve të dhëna më parë ka shpjeguar se:
‘Më datë 22 Nëntor 2022 jam telefonuar një kushëriri i viktimës Aleksandër Sadikaj, i cili ka kërkuar të më takojë. Një ditë më pas më 23 Nëntor 2022, jemi takuar dhe në tavolinë së bashku me ne ka qenë dhe një shtetas tjetër, qeros, të cilin e kam takuar dhe më parë, por nuk ia kam fiksuar emrin. Gjatë bisedës kushëriri i Sadikajt më tha përse nuk ia shpjegove policisë çështjen e Ledjanit. Unë i thashë që në polici kam treguar gjithçka di në lidhje me Aleksandrin, përfshirë këtu edhe për Ledjanin.”, ka pohuar i riu me inicilaet E. G.
Pasi i afërmi i Sadikjat i kishte kërkuar të riut të jepte edhe një herë dëshminë e tij në polici, ky i fundit kishte pohuar se; “Në këtë moment kushëriri i viktimës komunikoi në telefon me dikë, dhe më tha mua të shkoja në polici të deklaroj që: ‘Aleksandri më ka thënë mua që ka qenë Ledjani ai që i ka thënë që ta çonte makinën e tij tip ‘Golf’ në Roskovec për t’i bërë vendin e fshehtë. Pasi sipas kushëririt të Sanços, dyshimet mbi vrasjen e Aleksandrit, i kemi tek ky person.”. Më tej i riu me inicialet E. G, bazuar në dëshminë e tij të dytë të dhënë në polici, mohon që Aleksandri t’ia kishte thënë një gjë të tillë.
“Aleksandri nuk më ka pohuar një gjë të tillë, por kushëriri i viktimës më ka kërkuar të deklaroj një gjë të tillë. Unë i thashë atij se Aleksandri nuk ma ka thënë këtë gjë dhe nuk mund të gënjej për diçka që nuk e kam dëgjuar vetë, por ai më tha thuaje dhe këtë se kështu e ndihmojmë dhe policinë.”, tha ai.
Megjithë këto dëshmi, është e paqartë se kush thotë të vërtetën dhe kush ka gënjyer në këtë histori.
Por fakti është se vetëm një muaj pas këtyre dëshmive, u krye ekzekutimi i Edmond Papës, njeriut kyç që dyshohej se kishte gisht në vrasjen e Aleksandër Sadikaj, ndërkohë që policia ende edhe sot nuk ka asnjë autor për atentatin mafioz ku humbi jetën 25-vjeçari. Ndërkohë që bashkëjetuesja e tij tha në dëshminë e saj të parë, fill pas ngjarjes, se tri ditë para se të ndodhte atentati, Sadikaj ishte në Memaliaj. Kjo periudhë përkon me kohën, ku nëse do t’i besojmë të thënave që i ka lënë nënës së tij, ai e kishte dërguar makinën e tij tip ‘Golf’ të bardhë në fshatin Kurjan të Fierit. Ai zgjodhi mesa duket të kthehet në Tiranë, me një ‘Benz’, automjet ku pasi u kthye në Tiranë, partnerja e tij tha në dëshminë e saj të parë në polici, se kishte konstatuar diçka të pazakontë në serbatorin e makinës.
“Më datë 8 Qershor 2022, Aleksandri ka qenë në Memaliaj ku ka qëndruar deri më datë 9 Qershor ku ka ardhur në Tiranë rreth drekës. Rreth orës 20.00 kemi parkuar makinën te parkingu i qendrës tregtare në zonën e Komunës së Parisit dhe kemi shkuar për të ngrënë darkë tek një restorant. Kur jemi kthyer rreth orës 23.30 kam vënë re se ishte hapur kapaku i llamarinës së sebratorit dhe e vura në dijeni Aleksin. Por ai nuk e vrau mendjen fare. Më pas mbylla kapakun dhe kemi shkuar në shtëpi. Të nesërmen kam dalë rreth orës 10:00 për punë ndërsa Aleksandri ka qenë në gjumë. Rreth orës 20.20 kam shkuar tek lokali ku kam qëndruar rreth dy orë dhe më pas jam larguar për në banesë. Ndërkohë që Aleksandri qëndroi dhe pak.”, tha bashkëjetuesja e Aleksandër Sadikaj.
Vetë E. G, siç rezulton edhe në këtë dëshmi të tij të parë të dhënë në polici, është shprehur edhe mbi detaje të tjera që lidheshin mbi jetën e Sadikaj, duke u ndalur dhe te borxhet.
“Aleksandri nuk fliste. Ai nuk i kishte borxh askujt. Por kam dëgjuar në biseda dhe më ka thënë se një person që e thërrisnin me pseudonimin ‘Peqja’ nga qyteti i Kuçovës i kishte një borxh prej 15 ose 19 milionë lekësh të vjetra. Madje këto ditë, ‘Peqja’ i kishte dërguar një person, i cili po ndërmjetësonte që t’i sillte paratë e borxhit dhe ta mbyllte si problem. Në kohën që ja kishte dhënë paratë, ai nuk i kishte t’ia kthente dhe kishin rënë dakord që t’i jepte përqindje interesi.”, tha ai.
Po ashtu në dosje thuhet se i riu me inicialet E. G, për kthimin e borxhit po negocionte një tjetër person. i njohur si Robert Gj.
/s.f