Publikohen disa dokumente të nxjerra nga Arkivi Qendror i Shtetit në Tiranë, ku ndodhet edhe ditari politik i ish-udhëheqësit të Shqipërisë komuniste, Enver Hoxha.
Ditari i përket një periudhe kohore katër vjeçare, (dhjetor 1979 – dhjetor 1983). Në të ai ka analizuar edhe ngjarjet kryesore të ndodhura në Afganistan, duke nisur nga data 27 dhjetor e vitit 1979-të, kur ky vend u pushtua ushtarakisht nga ana e Bashkimi Sovjetik.
BS zbarkoi aty rreth 50 mijë trupa, pasi ishte kryer më parë një grusht shteti kundër kryeministrit Hafizullah Amin, që njihej si pro sovjetik.
Reagimi i parë në arenën ndërkombëtare erdhi nga ana e amerikanëve, pasi presidenti Carter, në shenjë presioni ndaj atij agresioni ushtarak, anulloi kontratën prej 17 milion tonë grurë që SHBA-ve do t’i shiste Bashkimit Sovjetik.
Pjesë nga ditari i Hoxhës janë botuar nga faqja Memorie:
E ENJTE 27 DHJETOR 1979
Shënime për Afganistanin dhe Iranin
“…Mbrëmë Departamenti i Shtetit Amerikan dhe agjencitë e huaja të lajmeve njoftuan se sovjetikët kanë zbarkuar rreth 50 mijë trupa si dhe një numër tankesh në Afganistan dhe kryen një grusht shteti kundër kryeministrit Hafizullah Amin, i cili hiqej si pro sovjetik dhe, siç dihet, erdhi në fuqi po me grusht shteti, pasi rrëzoi dhe vrau Tarakin, që edhe ky ishte pro sovjetik. Aty luhet një lodër e dyfishtë, edhe nga ana e sovjetikëve, edhe nga ana e amerikanëve.
E HENE 31 DHJETOR 1979
Në Afganistan u krye një grusht shteti që rrëzoi regjimin pro sovjetik të Aminit, i cili kishte zëvendësuar po me grusht shteti ish-regjimin përsëri pro sovjetik të Nur Tarakit. Tash pro sovjetiku Amin u zëvendësua me pro sovjetikun Karmel.
Të tria qeveritë kanë qenë e janë agjentura të sovjetikëve e njëkohësisht edhe agjentura të fshehta të amerikanëve. Fakt është se sovjetikët, duke ndërhyrë ushtarakisht, vranë të parin, vranë të dytin dhe sollën tjetrin, të tretin, nga Çekosllovakia, ku ishte ambasador, duke e vënë në krye të pushtetit.
Flitet se dy-tri divizione sovjetike, me tanke e me avionë, kanë ndërhyrë në Afganistan ashtu siç ndërhynë edhe në Çekosllovaki më 1968. Tani ata bëjnë ligjin në këtë vend nën pretekstin se Amini ishte tradhtar dhe agjent i imperializmit amerikan.
Siç dihet, në Afganistan ka lëvizje të shumta kryengritjeje, të udhëhequra nga patriotë që nuk e dëshirojnë as zgjedhën sovjetike, as zgjedhën e agjentëve të saj, por ata cilësohen si myslimanë dhe lëvizja e tyre patriotike anti-imperialiste, cilësohet si lëvizje islamike. Kjo është një parullë e përbashkët që përdor kapitalizmi botëror për të ringjallur mëritë dhe luftën fetare, për t’u dhënë lëvizjeve çlirimtare kuptimin mesjetar të luftërave të tilla.
Nuk ka dyshim se luftëtarët çlirimtarë afganë, të ngritur kundër zgjedhës së imperializmit, social imperializmit e monarkisë, janë elementë që besojnë. Afganistani është një nga ato vende ku feja është akoma e gjallë dhe vepruese. Por nuk është vetëm feja ajo që i bën këta popuj të ngrihen me armë në dorë kundër pushtuesve të atdheut të tyre.
Natyrisht, marksistë ata nuk janë, por janë patriotë që duan çlirimin e atdheut të tyre, janë përfaqësues të borgjezisë demokrate. Ata nuk dëshirojnë të rrojnë nën zgjedhën e të huajve, pavarësisht se pikëpamjet e tyre janë akoma larg atyre pikëpamjeve demokratiko-borgjeze revolucionare që të shprehen në reforma të thella në interes të popujve të tyre.
Është e qartë se Bashkimi Sovjetik, me ndërhyrjen e tij në Afganistan, realizon planet strategjike për pozita kyçe luftarake në këto vende, veçanërisht për të zgjeruar sundimin në zemër të Azisë dhe të Lindjes së Mesme. Dihet se Afganistani është vend kufitar me Kinën dhe me Pakistanin, pra Bashkimi Sovjetik dëshiron të forcojë pozitat e tij luftarako-strategjike përballë Kinës dhe Pakistanit pro amerikan ose pro anglez.
E ENJTE 3 JANAR 1980
Ta dënojmë e ta demaskojmë agresionin ushtarak të Bashkimit Sovjetik kundër popullit të Afganistanit. Të flasim mirë e ta vlerësojmë pozitivisht lëvizjen e rezistencës që po përhapet në Afganistan kundër pushtuesve sovjetikë. Lufta e popullit afgan në këtë drejtim është e drejtë dhe ajo nuk mund të shtypet. Populli i këtij vendi ka tradita të lashta në luftën kundër pushtuesve të huaj. Dikur ai u ka dhënë një mësim, që ta mbajnë mend mirë, edhe ushtrive të pushtuesve imperialistë anglezë.
Me këtë rast të shprehim edhe solidaritetin e popullit tonë me popullin afgan që lufton në male e në qytete kundër pushtuesve revizionistë, social-imperialistëve sovjetikë e veglave të tyre.
Pas takimit me shokët sekretarë të Komitetit Qendror, që pata sot në mëngjes, i dhashë dorën e fundit artikullit “Jashtë agresorët nga Afganistani”! Artikullin e plotësova me disa konsideracione të tjera politike. Tezat e zgjeruara të këtij artikulli i pata biseduar me shokun Ramiz më përpara. Qëndrimet tona rreth ngjarjeve në botë ndiqen jashtë me vëmendje. Për to flasin agjencitë e ndryshme të lajmeve dhe shkruajnë edhe gazetat e huaja.
E SHTUNE 5 JANAR 1980
Sot presidenti amerikan, Karter, njoftoi se: në shenjë mos aprovimi për pushtimin ushtarak të Afganistanit, Shtetet e Bashkuara nuk do të përmbushin kontratën për shitjen e 17 milionë tonëve grurë Bashkimit Sovjetik, pra ai shpalli se e pezullon këtë kontratë.
Karteri njoftoi, gjithashtu, se shtyn aprovimin e marrëveshjes ‘SALT-2’ nga ana e senatit dhe se do t’i furnizojë armë Pakistanit etj. Me këto veprime Shtetet e Bashkuara të Amerikës përpiqen të ngrenë moralin e vet dhe atë të aleatëve të tyre. Do të shohim çfarë kundërmasash do të marrë Bashkimi Sovjetik, por me siguri ai i ka bërë llogaritë. Grurë sovjetikëve u japin edhe Kanadaja dhe Australia.
JANAR 1980
NGJARJET QE PO ZHVILLOHEN NE VENDET MYSLIMANE DUHET TË SHIKOHEN NË DRITËN E MATERIALIZMIT DIALEKTIK E HISTORIK
Aktualisht gjendja ndërkombëtare paraqitet mjaft e nderë. Në shumë rajone të botës, e kryesisht në pellgun e madh të vendeve të naftës, sidomos të Azisë, lufta midis dy superfuqive imperialiste, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Sovjetik, pa përjashtuar Kinën imperialistë dhe fuqitë e tjera kapitaliste, për ndarjen e rindarjen e tregjeve e të zonave të influencës, për t’i futur bërrylat njëri-tjetrit, ashtu siç është parashikuar me të drejtë prej kohësh nga Partia jonë, ka arritur përmasa të reja e të mëdha.
Ne shohim se ujdia dhe kompromisi janë ende parimi bazë i politikës së tyre ndaj njëri-tjetrit. Por një ditë rivaliteti midis tyre do arrijë në një pikë, të cilën nuk do të mund ta zgjidhin e ta kapërcejnë dot më, veçse me konfrontim luftarak. Pasojat e një konfrontimi të tillë, sikurse ka ndodhur edhe në luftërat e mëparshme imperialiste, do të bien mbi popujt…”