Ish-deputeti i Partisë Socialiste, Marko Bello, i afruar së fundmi në Partinë Agrare Ambientaliste të Agron Dukës, ka sqaruar për “Panorama” arsyet e këtij projekti të ri politik. Me rolin e Sekretarit për Marrëdhëniet me Jashtë në PAA, Bello shprehet se kjo parti synon në zgjedhjet e ardhshme 3 deri në 7 deputetë.
Marko Bello ka vlerësuar dhe nismën e Ben Blushit për të krijuar një parti të re e për të qeverisur vendin, duke i uruar ish-kolegut suksese.
Zoti Bello, ju jeni bashkuar me Partinë Agrare Ambientaliste, si erdhi ky vendim? Sigurisht ishte një ftesë e kryetarit të kësaj partie, zotit Agron Duka, mik i vjetër, ish-ministër në qeverinë Nano, i cili ka qenë i angazhuar edhe para pak vitesh në programin e Partisë Socialiste për bujqësinë.
Kështu që ishte një oportunitet të cilin unë e shfrytëzova për të dhënë kontributin tim modest në një forcë politike që kërkon të ketë vëmendje më të madhe për agrobiznesin në Shqipëri, e cila është një nga pikat e forta që Shqipëria mund të zhvillohet, krahas turizmit dhe industrisë së lehtë.
Një parti që do të preokupohej shumë për bujqësinë dhe për fshatin e ambientin, m’u duk me interes dhe atje gjeta një ekip specialistësh, ekspertësh, miqsh politikanësh të krahëve të ndryshëm që i janë bashkuar kësaj partie, që drejtohet nga zoti Agron Duka, një personalitet i spikatur jo vetëm në këtë fushë si ish-ministër i Bujqësisë, por dhe si një biznesmen i fuqishëm, një shok i mirë, i cili kërkon që bashkë me të tjerë të bëjë diçka më shumë për vendin.
Është një njeri që vlerëson kontributet, dëgjon shumë të tjerët dhe kërkon të punojë në ekip, e do të thosha që kërkon një parti të thjeshtë për njerëzit e thjeshtë dhe jo diçka personale.
Kontributet tuaja kanë qenë vazhdimisht brenda PS, përse ky largim?
Sigurisht nuk ishte dëshira ime, Partisë Socialiste i jam mirënjohës që më ka kandiduar tri herë për deputet, aq më tepër që kam marrëdhënie shumë të mira me të gjithë socialistët, sidomos me ata të zonës së Beratit, ku unë kam punuar për 12 vjet, por ishte një vendim i kryetarit të PS-së, në një parti që tashmë nuk ka demokraci të brendshme dhe vendimet merren nga një njeri e ku marrëdhëniet e mia u ndërprenë.
Duke qenë se tani nuk jam pjesë e asnjë forumi të PS-së, sepse deputeti është ex-officio anëtar i Asamblesë Kombëtare, isha qytetar i lirë dhe e pranova ftesën që m’u bë për të kontribuar në politikë edhe për faktin se kam qenë deputet i zonave rurale. Sa për Partinë Socialiste, më pëlqen një shprehje që e përdorim në Berat: “Pus të ri hap, por mos pështy në pusin e vjetër”.
Një ish-kolegu juaj, Ben Blushi, është larguar nga PS dhe duket se po krijon një parti të re. Po shkojmë në një çarje të së majtës?
Unë e vlerësoj zotin Blushi, si një nga personalitetet e PSsë, në rast se ai do të vendosë të krijojë një forcë të re politike për të qeverisur ndryshe Shqipërinë, unë do t’i uroja sukses.
PAA gjithmonë ka qenë e pozicionuar para 2005-s, them në aspektin e majtë të politikës. Ku është e pozicionuar sot?
Sigurisht PAA ka dy dimensione: ka pjesën e zonës rurale, agrobiznesin, zhvillimin e territorit, por ka dhe aspektin ambientalist, që mendoj se i duhet shumë Shqipërisë, për shkak se jemi një vend tejet e ndotur dhe me një kulturë të mangët sa i takon respektit për mjedisin. Një parti si e jona mund të ofrojë shumë më tepërt sa i përket vendosjes së një ekuilibri më të mirë mes njeriut dhe natyrës, e cila na kthehet shpeshherë kundër, përmes përmbytjeve, erozioneve në një kohë që ne mendojmë se ky dimension i duhet Shqipërisë, aq më tepër që ne jemi një vend kandidat për në BE, ku mjedisit dhe zhvillimit të bujqësisë i jepet shumë rëndësi. Mjafton t’ju kujtoj që grantet apo projektet në kuadrin e paraanëtarësimit IPA kanë një rëndësi shumë të madhe për bujqësinë. Vendet fqinje si Serbia dhe Maqedonia arrijnë të përthithin 300-400 milionë euro nga BE-ja, ndërsa Shqipëria është në një fazë embrionale dhe nuk e kalon shumën e 10-15 milionë eurove për bujqësinë. Ne mendojmë se fermeri shqiptar mund të ndihmohet edhe me grante, edhe me subvencione nga Bashkimi Europian.
Si e shihni pjesëmarrjen e përfaqësuesve të njohur si nga e majta dhe e djathta, si e vlerësoni këtë?
Sigurisht ka prurje edhe nga spektri i majtë, ashtu dhe nga ai i djathtë, sekretari i Përgjithshëm i PAA-së është Genc Juka, ish-deputet i PD-së, po kështu Gazmir Bizhga, ishdeputet i PS-së, Thoma Miço nga PBDNJ, apo Uran Metko nga Partia e Ballit Kombëtar, pra në këtë parti nuk ka paragjykime, më tepër vlerësohet njeriu, kontributi dhe integriteti moral e politik.
Në zgjedhjet e ardhshme, PAA do të kandidojë me koalicionin e majtë, të djathtë apo në një pol më vete?
PAA është një parti e qendrës, patjetër që dimensioni ambientalist është përgjithësisht karakteristikë e partive të majta europiane dhe kjo na afron me ato parti, por bujqësia, aspekti tjetër kjo, na afron dhe me të djathtën. Kështu që duke mos pasur paragjykime ideologjike, duke iu shmangur këtyre kurtheve ideologjike, duke u fokusuar te qytetari dhe shqetësimet e tyre, tek ambienti për brezat që vijnë, për një Shqipëri më të pastër dhe më ekologjike, për ushqime të garantuara e jo të ndotura, mendoj se nuk ka nevojë për kufij ideologjikë.
Ne aktualisht jemi në koalicionin opozitar, pra me PD-në, por nuk jemi të kondicionuar. Do të garojmë me këtë koalicion, por jemi të gatshëm të qeverisim vetëm për t’iu ardhur në ndihmë këtyre shtresave të margjinalizuara nga qeveritë, qoftë të majta e qoftë të djathta ndër vite, sepse të gjithë flasin për fshatin dhe kur vijnë në pushtet u kthejnë shpinën. Ne do të kërkojmë zgjidhje për 2-3 probleme që janë në programin tonë, por nuk mund të marrim përsipër politikat e mëdha. Ne mendojmë se mund të bëjmë shumë më tepër për bujqësinë, mjedisin dhe agrobiznesin.
Çfarë synimesh ka PAA në zgjedhjet e ardhshme?
Po, jam anëtar i kryesisë së PAA-së dhe sekretar për Marrëdhëniet me Jashtë. Pas 10 ditësh kemi Konventën Kombëtare, ku do të konfirmohet drejtuesi i partisë, zoti Duka, e ku do të zgjidhen forumet drejtuese dhe Lëvizja Rinore, dhe Lidhja e gruas së PAA-së. Në programin që po përfundojmë synojmë që të garojmë në zgjedhjet e ardhshme me këtë koalicion ku jemi, me synimin për të pasur një Grup Parlamentar Agrar.
Pra, nga 3-7 deputetë, por nuk është e lehtë, sepse gara do të jetë e ashpër mes dy koalicioneve. Qeveria, krahas disa reformave, ka dhe shumë premtime të pambajtura, nga ana tjetër, koalicioni opozitar do të kërkojë të rimarrë pushtetin. Dëshira ime është që qytetarët ta udhëheqin votën e tyre nga programet e partive dhe nga ekipi që i përbën ato./Panorama/a.m.