Nga Liridona Beqiri
E megjithatë do të ndodhë. Duhet të kishte ndodhur dje, mund të ndodhë sot dhe me siguri, do të ndodhë nesër! Dy vendet tona janë të “dënuara” të bashkëjetojnë ndershmërisht dhe në respekt të plotë reciprok. Sot është më mirë se dje, nesër do të jetë më mirë se sot. Politika në të dy anët e kufirit, ka në dorë vetëm përshpejtimin e procesit, edhepse instikti i ndërkryer ballkanik ngre krye në fraktura të herëpashershme në drejtim të kundërt.
Në vendin tim, në Maqedoninë e Veriut, marrëdhënia mes dy etnive shtetformuese, është një kusht i parë dhe i domosdoshëm për garantimin e marrëdhënieve dy palëshe, por dhe rrugëtimit të përbashkët për shndërrimin e gjithë Ballkanit në një hapësirë evropiane. Maqedonia e Veriut, si çdo vend tjetër, po kërkon të rritet, të zhvillohet dhe të integrohet në familjen evropiane. Ndërsa ecim përpara në këtë rrugë, duhet të kujtojmë se Evropa është ndërtuar mbi themelin e respektimit të të drejtave të njeriut, diversitetit dhe përfshirjes. Ne nuk po kërkojmë vetëm integrimin në Evropë në kuptimin politik, por kërkojmë integrimin në frymën e vlerave evropiane. Ju sigurojë që kjo është ëndërr e çdo shqiptari dhe maqedonasi që ka higjienë politike dhe ndjenjën e përkatësisë në këtë shtet.
Nga këtu, pyes çdo politikan: A mund të pretendojmë vërtetë se jemi pro evropian nëse përjashtojmë ose margjinalizojmë segmente të mëdha të popullsisë sonë? Duhet kuptuar që uniteti i vërtetë nuk ka të bëjë me uniformitetin por ka të bëjë me respektimin e dallimeve tona dhe ndërtimin e një shoqërie me vlera. Elita e politikbërjes këtë qeverisje duhet t’a shoh si mundësi për të lëvizur përtej frikës dhe keqkuptimeve të vjetruara, duke përqafuar diversitetin dhe jo për të izoluar veten prej tij.
Besimi se dygjuhësia dhe triumfalizmi monoetnik janë ekzagjeruar, refuzon njohjen e multikulturalizmit dhe spikat agjendat e caktuara që dëmtojne pacifizmin e maturisë politike mbi masën.
Në një paraqitje të fundit në media, kryeministri ynë reflektoi me elokuencë mbi një vizion që rezonon thellë në mendjen e qytetarëve. Fjalët e tij ishin të fuqishme, mesazhi i tij i qartë dhe vizioni i tij edhe më i qartë!!! Por, sado që ne të duam të festojmë artikulimin e këtyre parimeve në nivel politik, është koha që të sigurohemi që ato të mos fliten thjesht, por të jetohen çdo ditë nga të gjithë ne, në çdo cep të shoqërisë sonë. Në çështjen e kushtetueshmërisë së gjuhës shqipe, duke e trajtuar atë me kujdes, ai e tejkaloi me delikatesën e kompleksitetit dhe ndjeshmërisë duke dhënë dhe një garancë nën hije mbi integritetin e strukturës ligjore. Do të më kishte pëlqyer atë që ai deklasifikoi mbi gjuhën shqipe të dëshmojë koha. Koha, siç e vuri në dukje me mençuri kryeministri, do të verifikojë nëse hapat që ndërmarrim sot janë vërtet në përputhje me parimet dhe vlerat kushtetuese që ne i duam.
Nga këtu, mendësia që duhet ushqyer gjithë politikanët është që të gjithë popujt mund të bashkëjetojnë në harmoni, duke pasuruar shoqërinë tonë dhe duke forcuar përkushtimin tonë ndaj vlerave të demokracisë dhe respektimit të diversitetit. Kushtetuta jonë parashikon të drejtën për barazi– jo si një lëshim, por si një pasqyrim i asaj se kush jemi ne si shoqëri. Shqiptarët kanë qenë prej kohësh një pjesë jetike e Maqedonisë së Veriut, duke kontribuar në historinë, kulturën dhe përparimin e saj dhe duhet të pranojmë se të drejtat e një grupi nuk i pakësojnë të drejtat e një tjetri.
Maqedonia e Veriut është vend i shumë gjuhëve, kulturave dhe identiteteve. Për një kohë të gjatë, kemi parë diskursin politik të turbulluar nga retorika që vë kundër njëri-tjetrit komunitetet etnike. Mesazhe të tilla mund të grumbullojnë për momentin mbështetje, por në fund kontribuojnë në ndarje, mosbesim dhe mundësi të humbura dhe rrezikon të nxisë një brez që është më pak i bashkuar dhe më pak i aftë për t’u përballur me sfidat e së ardhmes.
Unë jam shtetase e këtij vendi, me kombësi shqiptare, kryeministri i këtij vendi është kryeministri im, pavarësisht, nëse me votë të fshehtë e kam pohuar apo refuzuar partinë e tij. Do kisha dashur që sukseset po dhe dështimet e tij, t’i gëzojmë apo ngushëllojmë sëbashku në kabinetin e kryeministrit të përbashkët. Ndoshta maqedonasit e politikave nacionaliste nuk janë shumë të vëmendshëm për këtë por nëse jo ata apo bijtë e tyre, pasardhësit e tyre do e kuptojnë gjuhën shqipe sepse besoj që gjeneratat e ardhëshme të këtij vendi do dijnë më shumë, do jenë më evropian dhe do të jetojnë një të ardhme ku diversiteti jo vetëm pranohet, por përqafohet si burim force. Si shqiptare e këtij vendi, ndonëse e rritur dhe këndellur nën vlera kombëtare, çdo bashkëqytetar maqedonas e kupton maqedonishten time të rrjedhshme dhe nga këtu po ju them që edhe për ju nuk është asnjëherë vonë të mësoni shqipen, besoni që është një gjuhë shumë e bukur, madje do të gjeni plotë shqiptarë që do shprehin vullnetin per t’ua mësuar, me premtim që nuk do t’ju nënqeshin nëse bëni gabime gjatë shqiptimit! Të jesh politikan është sakrificë, suksesi në politikë është sakrificë, e njejta është edhe për gjuhën shqipe, sakrificë e suksesshme e cdo maqedonasi t’më kupton kur flas në gjuhën time! Dhe këtë më besoni, nuk e them për metaforë, por nëse sot e konsideroni veten të fortë me atë shumicë parlamentare që keni, duke e njohur gjuhën shqipe do të jeni shumëfish më të fortë!
Si shqiptare që e dua këtë vend të rënditur mes kombeve evropiane, kam ëndërr të arrijë më shpejt në Durrës dhe në Qafë Thanë të kaloj pa pasur kompleksin nëse shoh tabelë që më uron mirëseardhje në Shqipëri apo rrugë të mbarë në Maqedoni. Mundësojuni dhe ju të njejtën të rinjëve maqedonas, të dëshirojnë të njejtën dhe jo vetëm, të duan madje t’a vizitojnë dhe Athinen si një qytet që simbolizon djepin e kulturës antike, demokracisë, filozofisë dhe arritjeve intelektuale dhe jo si një simbol i një fushë beteje për tensionet etnike… T’a njohin atë si qyteti i mendimtarëve të mëdhenj, jo si qytet i reduktuar në një peng politik, ku mësimet e Greqisë së lashtë humben në labirintin e nacionalizmit dhe ankesave të vogla. Inkurajoni të rinjtë të njohin shqiptarët si partnerë në misionin e përbashkët të ndërtimit të një shteti të begatë, demokratik dhe evropian. Ndihmojini ata të kuptojnë se nuk është prejardhja e tyre etnike ajo që përcakton potencialin e tyre, por angazhimi i tyre i përbashkët për të ardhmen e vendit. Si shqiptare, e dua këtë vend dhe më dhemb cdo gjë që kërcënon paqen që bashkë ia kemi sjellur këtij shteti. Po shkruaj si një shqiptare e shqetësuar, jo vetëm për ardhmërinë e kombit tim, por dhe të cdo bashkëvendasi të etnive tjera, sepse jemi në pragun e një epoke të re – një epokë që premton sfida dhe mundësi për të gjithë ne dhe është koha të reflektojmë mbi drejtimin që po ecim. Duke pranuar rëndësinë e nderimit të historisë sonë të ndërsjelltë dhe duke kapërcyer shqetësimet legjitime etnike tonat, duhet të kuptojmë që suksesi i një shteti në shekullin e 21-të nuk gjendet në përjashtimin e diversitetit, por në kremtimin e tij.
Si shqiptare, nuk e kam problem të përqafoj kulturën e pasur dhe të larmishme të miqve të mi maqedonas. Në fakt, krenohem me të. Unë di më shumë këngë të vjetra qytetare se disa nga miqtë e mi maqedonas, dhe biblioteka ime ka më shumë libra në gjuhën maqedonase sesa do të prisnin shumëkush. Për mua kjo nuk është një kontradiktë me identitetin tim shqiptar. Nuk është një kërcënim për atë që jam. Përkundrazi, është një pasurim – një mënyrë për të zgjeruar horizontin tim personal dhe për të thelluar lidhjen time me botën e larmishme në të cilën rrethohem. Eksplorimin e kulturave të tjera nuk e shoh si shkelje të identitetit tonë, por si një mundësi për t’u rritur, për të kuptuar dhe për të ndërtuar ura. Kjo është arsyeja pse unë inkurajoj çdo shqiptar, çdo qytetar të këtij rajoni, të ndjekë këtë mendësi. Shikoni përtej kufijve që janë ndërtuar artificialisht nga historia. Kontaktoni fqinjët tuaj maqedonas, serbë, bullgarë – mësoni prej tyre, kuptoni ata dhe festoni atë që i bën ata unikë. Kjo nuk është vetëm këndvështrimi im personal, besoj se shumica e shqiptarëve në këtë rajon ndjejnë të njëjtën gjë. Historia jonë e përbashkët, trashëgimia jonë e përbashkët dhe e ardhmja jonë e përbashkët janë shumë më të mëdha se muret që mund të na kenë ndarë dikur.
Në udhëtimin tim të fundit në Evropë, rastësisht kam ndaluar në Alsace-Lorraine, dikur një tokë e shqyer nga betejat më të ashpra, një rajon që dëshmoi përplasjet e dy fuqive të mëdha, Francës dhe Gjermanisë. Për shekuj me radhë, ai ishte një simbol i ndarjes, konfliktit dhe humbjes. Nuk po kuptoja që po kaloja në një varrezë gjigante të mbetur dhe kur ta mendosh, po të ngeleshte ajo tokë fushë betejë, sot nuk do të ekzistonte Evropa. Por sot, kjo tokë qëndron një dëshmi e fuqisë transformuese të unitetit, sot ato varreza kanë mbetur vetëm memorial të popujve që sot në paqë sëbashku prodhojnë simbolet e përparimit: Mercedes-Benz-in elegant e të fuqishëm dhe Peugeot-in ikonë. Të njëjtët njerëz që dikur luftonin njëri-tjetrin krah për krah tani punojnë së bashku, duke ndërtuar makinat që e çojnë botën përpara. Alsace-Lorraine na jep një mësim të paçmuar, sado të thella të jenë ndasitë, sado e hidhur të jetë e kaluara, ka gjithmonë potencial për shërim. Rruga jonë përpara drejt unitet më të madh, prosperitetit dhe integrimit evropian, kërkon drejtimin e kujdesshëm të lidershipit tuaj. Ju kërkoj që të mendoni të kaloni përtej retorikës përçarëse, nacionaliste dhe në vend të kësaj të fokusoheni në nxitjen e një mjedisi ku të rinjtë maqedonas mund të bashkëjetojnë në mënyrë harmonike me bashkëqytetarët e tyre shqiptarë, duke punuar së bashku për t’a ngritur shtetin tonë në lartësi të reja.
Ju nxis të reflektoni mbi mesazhin e fuqishëm që mund t’i dërgoni rinisë së këtij vendi, se lidershipi i vërtetë dhe forca e vërtetë nuk gjenden në izolimin tonë por në ecjen përpara së bashku, drejt një të ardhmeje ku maqedonasit, shqiptarët dhe të gjitha komunitetet e Maqedonisë së Veriut do të punojnë krah jush për të krijuar një shtet të bashkuar, paqësor dhe evropian! Zgjidhni të jeni liderë që na bashkon, duke ju treguar të rinjëve të këtij vendi se potenciali i tyre nuk qëndron në dallimet e tyre, por në aftësinë e tyre për të punuar së bashku për të mirën e përbashkët! Kufijtë janë për harta dhe jo për mendje të shëndosha! Luftoni arsyet që ta keni armikun mik dhe kundërshtarin aleat. Evropa na do vetëm bashkë dhe asesi ndryshe!
Ne jemi një shoqëri e përbërë nga shumë zëra, ngjyra dhe histori të ndryshme. Rrënjët tona shtrihen thellë në tokën e kulturave, besimeve dhe traditave të ndryshme. E megjithatë, pavarësisht dallimeve tona, ne ndajmë një aspiratë të përbashkët: të ndërtojmë një të ardhme më të mirë për veten, për fëmijët tanë dhe për brezat që do të vijnë. Përparimi ynë është një rrugëtim kolektiv.
Ne jemi arkitektët e kësaj epoke të re, dhe sit ë tillë do të ngrihemi mbi sfidat, do të qëndrojmë të patundur kundër forcave të ndarjes dhe do të ndërtojmë një të ardhme që do ta ketë zili bota.
Vetëm përmes punës në solidaritet, përmes ndërtimit të qëndrueshmërisë brenda vetes dhe komuniteteve tona, ne do të kapërcejmë sfidat e së sotmes dhe do të shkojmë drejt premtimit të së nesërmes.