Pak minuta pas publikimit të lajmit se do të jetë pikërisht Ylli Manjani personi që do të zëvendësojë Nasip Naçon në krye të Ministrisë së Drejtësisë, nënkryetari i LSIsë Manjani deklaroi në “News24” se i është propozuar një detyrë sfiduese, pasi Shqipëria ka shumë për të bërë në sistemin e drejtësisë.
“Eshtë padiskutim një vlerësim maksimal për personin tim, dhe sigurisht një ftesë për të vazhduar aty ku e la kolegu Naço, i cili ka bërë një punë të jashtëzakonshme në dy vitet e drejtimit të ministrisë. Reforma në drejtësi është më e rëndësishmja e funksionimit të shtetit. Eshtë e dyta në radhë pas reformës administrative. Kemi shumë punë për të bërë dhe sigurisht është sfiduese. Ne jemi në një proces shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me integrimin e Shqipërisë. Duam të marrim një ftesë për tu anëtarësuar në BE. Ky është një projekt i mbështetur nga e gjithë politika. Eshtë detyrë e politikës, e parlamentit për të gjetur konsensusin e duhur. Ka një punë shumë të madhe për të bërë dhe jam i sigurt që të gjithë bashkë do ta arrijmë.” deklaroi Manjani.