Manjani: Kur bashkëqeverisin PS-PD digjet vendi, LSI ekuilibër
Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani i pyetur për ekzistencën e një pakti PD-PS për të bashkëqeverisur vendin tha se kjo ka ndodhur vetëm dy herë më parë dhe nuk ka aspak eksperiencë të mirë Shqipëria nga kjo gjë.
Manjani u shpreh se PS dhe PD kanë qeverisur vendin në këto 24 vite pluralizim dhe në rastet kur kanë bashkëqeverisur siç është ai i vitit 1997 i kanë sjellë vendit 5 mijë persona të vdekur.
Në këtë kuadër ai foli dhe për rolin që ka Lëvizja Socialiste për Integrim, duke e cilësuar atë forcë që ruan ekuilibrat politikë.
“Nuk e di dhe kjo ka pak rëndësi. Kjo nuk është çështje pakti por sjellje politike. Ka muaj që qarkullon kjo ide që shkon deri në qeverisje PS-PD. Aktorët politikë i kanë mohuar këto gjëra. Mua më shqetëson mendjelehtësia që merren këto gjëra si të vërteta. PS dhe PD e kanë qeverisur këtë vend për 24 vjet dhe kanë bërë çfarë kanë dashur. Vetëm dy herë e kanë qeverisur së bashku, kur është vrarë dhe prerë. Në vitin 1997 u vranë 5 mijë vetë. LSI ka një mision jo të thjeshtë, ne votohemi për të ruajtur ekuilibrin politik. Njerëzit janë lodhur nga qeverisjet e ekstremit të majtë apo ekstremit të djathë”, deklaroi Manjani.
I pyetur për faktin nëse Spartak Braho u ka dërguar letër drejtuesve më të lartë të shtetit një letër ku paralajmëron përpjekje për të krijuar destabilitet në vend, Manjani ka pranuar ekzistencën e letrës së dërguar nga kreu i Komisionit të Sigurisë Kombëtare, por ai theksoi se kjo nuk është një çështje partish dhe se kemi të bëjmë me informacion të klasifikuar.
“Janë çështje që i takojnë z. Braho. Është çështje e informacionit të klasifikuar. Nuk mund të jem as dëshmitari, as mohuesi dhe pohuesi. Këto nuk janë çështje partish, Braho është kryetar i Komisionit të Sigurisë. Ai disponon informacion të klasifikuar. Nuk kanë partitë punë në këtë çështje”, u shpreh Manjani në një intervistë për “Shqiptarja.com”.
I pyetur për faktin se në letër flitet për destabilitet, Manjani bëri një lidhje mes çështjes “Doshi” dhe asaj të “CEZ”, por pa dhënë detaje mbi përmbajtjen e letrës.
“Personazhet që janë sot në lojë nga drejtuesi i DIA-s, apo ky tjetri që thotë më kanë kërcënuar. Janë të njëjtat persona si në çështjen e Durim Bamit. Kanë dhe një mllef ndaj Ilir Metës”, u shpreh ai.
Sa i takon projektligjit të depozituar nga Partia Demokratike për hetimin e çështjes “CEZ”, Manjani tha se, objekti i hetimit do të jetë nga momenti i privatizimit dhe deri tek mbyllja e marrëveshjes me çekët. Por, Manjani shtoi se, projektligji i PD-së është i cunguar. / Shqiptarja.com









