Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja ka deklaruar se mazhoranca nuk është tërhequr nga Amnistia Penale.
Manja sqaroi për mediat se asnjë person që është dënuar nga Gjykata Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar nuk do të përfitojë nga Amnistia.
“Tërë këto ditë për Amnistinë ka folur opozita dhe kur dëgjon vetëm njërën palë, të duket sikur u tërhoq mazhoranca nga Amnistia për veprat penale të korrupsionit të gjykuara nga GJKKO. Amnisti që s’do ketë jo e jo, por as ulje të dënimit për ata që janë dënuar për korrupsion dhe krim të organizuar nga GJKKO.”- tha Manja.
Deklarata ministri i bëri në përfundim të konferencës së Forcimi i Llogaridhënies dhe luftës kundër korrupsionit, nga ku vlerësoi punën e bërë nga drejtësia e re.
“Kjo reformë shënoi një moment kthese epokale për vendin tonë. Sot nuk flasim më për një reformë në fazat fillestare, por për një sistem që prodhon rezultate duke i dhënë fund gradualisht pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Jemi veçanërisht krenarë që në Shqipëri po formësohet një reputacion i ri i institucioneve të sistemit të drejtësisë. Numri i gjyqtarëve dhe prokurorëve të larguar është provë e gjallë e një drejtësie që nuk mund të bënte drejtësi pasi ishte e kapur nga korrupsioni.”- tha Manja.
Në këtë konferencë morën pjesë ministrat e Drejtësisë së Ballkanit Perëndimor dhe Kroacisë, Drejtues të Agjencive të Antikorrupsionit, prokurorë dhe organizata ndërkombëtare.
Ndërkohë PD ka thënë se është e gatshme të votojë duke pranuar që të bëjë ndryshimin dhe tek propozimi i parë i amendamentit për protestuesit.
‘Përplasja’ për amnistinë penale
Një amendament i socialistëve bëri që kryedemokrati Lulzim Basha të akuzojë PS-në se po tenton të shpëtojë zyrtarët e korruptuar. Por, PS thotë se bëhet fjalë vetëm për ulje të dënimit me 1 vit për burrat dhe 1 vit e gjysmë për gratë e të miturit edhe për ata që janë dënuar nga GJKKO,e jo ata që po hetohen apo gjykohen aktualisht nga SPAK e GJKKO. Kështu në pamundësi për pasjen e 84 votave, PS u tërhoq nga votimi javën e kaluar.
Kryetari i PD-se Lulzim Basha tha se nuk do të votonte pasi PS synon të falë të korruptuarit ndërsa kushtëzoi votën me faljen e protestuesve, amendament që PS e ka pranuar, por pa falur protestuesit e dhunshëm. Rithemelimi ka të njëjtat pretendime, por votën pro nuk e premton pasi ndodhet në aksion. Dy grupet e PD u mbështeten edhe nga PL e aleatët në bllokimin e votimit për amnistinë penale.
/f.s