Komisioneri Publik kërkon shkarkimin nga detyra të drejtuesit të Prokurorisë së Apelit Shkodër Elvin Gokaj.
Komisioneri ankimoi sot në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kundër vendimit nr. 187, datë 24.7.2019, të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit.
“Komisioneri Publik vlerëson se, referuar gjendjes së fakteve dhe provave në rastin konkret, subjekti i rivlerësimit rezulton me mangësi dhe mospërputhje të kërkesave të parashikuara në aneksin e Kushtetutës dhe në legjislacionin e posaçëm, për kriteret e procesit të rivlerësimit“, thuhet në deklaratën për shtyp.
Në këto rrethana, ka kërkuar nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit të marrë në shqyrtim shkaqet e këtij ankimi dhe, në përfundim të procesit, të vendosë shkarkimin nga detyra të Elvin Gokaj.
Më 24 korrik 2019, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi me shumicë votash, të pezullojë nga detyra për një periudhë një vjeçare prokurorin Elvin Gokaj dhe detyrimin e tij për të ndjekur programin e trajnimit sipas kurrikulave të miratuara nga Shkolla e Magjistraturës.
Ky ishte rasti i parë dhe i vetëm që gjatë procesit të rivlerësimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, KPK aplikon Nenin Ë të Kushtetutës, për masat disiplinore që merren për shkak të mangësive profesionale ku thuhej se: “Komisioni ose Kolegji i Apelimit në përfundim të shqyrtimit të çështjes, vendos masat disiplinore, pezullimin e subjektit të rivlerësimit nga detyra për një vit, të shoqëruar me edukim të detyrueshëm, ose shkarkimin e tij nga detyra”.
g.kosovari