Nga Alfred Peza/
Edi Rama për të gjithë ata që nuk e njohin nga afër, si çdo politikan i formatit të tij, ka patur tri ëndrra në formën e tri objektivave strategjikë për të arritur në politikë. Endrra që i ka çdo politikan aktiv i niveleve të larta. Të cilat prej tij pritej që ti realizonte pas trihapëshit të madh: ministër Kulture, Kryetar i Bashkisë së Tiranës dhe më pas si kryetar i PS. E ato ëndrra me sa duket ishin:
E para, që të bëhej Kryeministër i Shqipërisë!
E dyta, për të qeverisur Shqipërinë si Kryeministër dhe lider i një mazhorance me mandat të plotë, të vetëm dhe pa aleatë të tjerë “nëpër këmbë”.
Dhe e treta, që të thyente rutinën e një praktike mbi 20 vjeçare në politikën shqiptare, ku mazhorancat herë majtas e herë djathtas, ia lëshojnë vendin njëra tjetrës, çdo 8 vjet.
Endrrën e parë, Edi Rama e realizoi në mandatin e parë të ardhjes së PS në pushtet, pas 23 qershorit 2013.
Endrrën e dytë, e realizoi pas zgjedhjeve të 2017.
Endrrën e tretë, pritet që të realizohet pas zgjedhjeve të 2021. Por, për të shkuar deri atje, Edi Rama duhet të fitojë fillimisht zgjedhjet lokale të 30 qershorit 2019.
Sigurisht që këto ëndrra janë pjesë e një leximi perceptiv në distancë, nga gjithkush. Ndaj nuk janë as deklamime, as pjesë e ndonjë interviste apo vetërrëfimi në moment “sinqeriteti” dhe aq më pak, pjesë e ndonjë projekti konkret apo produkt i teorive konspirative.
Kur një profil i lartë futet në politikë me prespektivën për të qenë nesër një lider, apo një personazh politik i dorës së parë, ai ka edhe një objektiv. Nga një njeri që luan rolin e violinës së parë në jetën politike dhe më pas atë të dirigjentit të ekzekutivit, vetëvetiu kuptohet se ai ka një pikë në horizontin e jetës së vendit, për të arritur.
Edi Rama u bë Kryeministër më 2013, përkundër shumë e shumë parashikimeve për të kundërtën, duke i zhgënjyer të gjithë skeptikët e botës shqiptare, që kishin vënë bast për të kundërtën.
Edi Rama u bë kryeministër më 2017, i një mazhorance që përbëhej vetëm nga PS. Shefi i qeverisë së partisë që ai drejton nga 2005, pa asnjë aleat tjetër “nëpër këmbë”, si kurrë më parë në historinë e pluralizmit shqiptar pas 1992.
Në mbledhjen e Asamblesë Kombëtare të PS, ku shpalli ndryshimet më të fundit dhe më të thellat në qeveri qëshkurse PS ka ardhur në pushtet, më shumë sesa për të kaluar një momentum politik të mesit të mandatit të dytë, e gjitha ishte një lëvizje për mandatin e tretë qeverisës.
Ishin lëvizje për mandatin e tretë, sepse analiza e situatës e bërë nga Kryeministri, shihte përtej sfidave të mandatit të dytë. Ishin lëvizje për mandatin e tretë, sepse ndryshimet e bëra në qeverinë aktuale, ishin më shumë sesa për ti dhënë “një impuls të ri”, vijimit të mandatit të dytë qeverisës. Ishin lëvizje për mandatin e tretë, sepse projeksioni politik i qeverisjes dhe sfida e strategjisë së re politike të PS, tejkalon përballimin e një situate reale të krijuar përgjatë 2018 apo edhe sfidat e një viti elektoral si ai që kemi përpara më 2019.
Gërshetimi dhe harmonizimi i një ekipi ministrash të rinj me ata me përvojë që shpërfaqen me profile sa si teknicienë, aq edhe politikë, sa me përvojë administrative aq edhe elektorale, sa me eskperiencë profesionale aq edhe partiake, është një garanci për këtë. Sfida reale e Edi Ramës nuk është siç e tha edhe Kryeministri vetë në Asamblenë Kombëtare të PS, opozita zyrtare parlamentare. As edhe sirenat që kanë nisur të këndojnë këngën e tyre të përjetëshme ndaj të majtës dhe mazhorancave të përherëshme.
Sfida e vërtetë e së majtës dhe e qeverisë është me vetveten. Eshtë me leximin e drejtë të situatës reale në terren. Eshtë me transkriptimin e mesazheve që vijnë nga sensibilitete dhe grupe të ndryshme interesi në drejtim të saj. E më pas, përkthimi i tyre në qasje të reja, në fokuse dhe sfida të reja. Me ekip dhe energji të reja.
Edi Rama deri më tani, ka treguar se ka ditur që ti realizojë ëndrrat e tij politike. Sigurisht, duke paguar çmimin për këtë. Pakkush kishte besuar se në mbledhjen e fundit të Asamblesë Kombëtare të PS, Kryeministri do e ndryshonte kaq rrënjësisht ekipin e tij drejtues në qeverisjen e vendit. Përveç atyre pak njerëzve që e njohin aq sa duhet, për të besuar se mandati i tij i dytë, kalon nga një rrugë e panjohur më parë për historinë e re politike të Shqipërisë. Rrugë e cila përderisa e shmang greminën, të çon pa kuptuar në një horizont të ri politik. Drejt një sfide të re, e barabartë me mendatin e tretë qeverisës.