Manchester City ka fituar me goleadë dhe ngjitet i përkohësisht i vetëm në krye të Premier Ligës. Skuadra e Pep Guardiolas fitoi 0-6 në transfertën përballë Watfordit, duke shënuar tre herë në pjesën e parë dhe po kaq edhe në të dytën.
Aguero shkëlqeu në këtë takim, duke gjetur plot 3 herë rrugën e rrjetës, ndërsa Gabriel Jesus, Otamendi dhe Sterling nga pika e bardhë e penalltisë vulosën rezultatin përfundimtar të takimit.
Liverpooli i Jurgen Klopp nuk e ka marrë veten ende nga humbja 5-0 e shkaktuar nga City një javë më parë dhe në shtëpi ngec ndaj Burnley-t në barazimin 1-1. Miqtë kaluan të parët në avantazh me anë të Arfield në minutën e 27 dhe tri minuta më vonë, Salah barazpeshoi gjithçka.
Pesë javë nga starti, City kryeson me 13 pikë, ndërkohë që e vetmja skuadër që mund ta barazojë në renditje është Manchester United, që luan të dielën ndaj Everton, ndërsa Chelsea pret Arsenalin në derbin londinez.