Në ditën Botërore të Autizmit, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale znj. Ogerta Manastirliu vizitoi Qendrën Kombëtare të Mirërritjes, Zhvillimit dhe Rehabilitimit të Fëmijëve me probleme të neurozhvillimit, e cila trajton edhe fëmijët me çrregullime të spektrit autik.
“Në këtë ditë që na fton të gjithëve për më shumë vëmendje për fëmijët me çrregullime të spektrit autik, jam këtu për të lajmëruar rehabilitimin e plotë të Qendrës Kombëtare të Mirërritjes, e cila trajton rreth 330 fëmijë me autizëm në vit, nga të cilët 150 raste të reja të trajtuan në vitin 2017. Do të garantojmë kushte me standart të lartë për fëmijët me çrregullime të spektrit autik dhe fëmijët me aftësi ndryshe”, tha Manastirliu.
Qendra Kombëtare e Mirërritjes së Fëmijëve ofron shërbim ambulator dhe me shtretër jo vetëm për fëmijët autikë por për fëmijët me probleme zhvillimi. Këtu kryhet diagnostikim dhe trajtim nga një ekip multidisiplinar i mirëtrajnuar. Shërbimi dhe akomodimi është falas si për fëmijën ashtu edhe për nënën.
Ministrja Manastirliu deklaroi se shërbimet do të zgjerohen jo vetëm në këtë qendër por edhe në 6 qendrat rezidenciale dhe 3 qendrat ditore publike në Shqipëri, të cilat trajtojnë fëmijë me çrregullime të spektrit autik.
Manastirliu u ndal dhe te pagesat që njihen si KEMP-i ose KMCAP, të cilat përfitohen nga fëmijët me autizëm dhe kujdestarët e tyre.
“860 persona me autizëm trajtohen me pagesa në masën 10 mije lekë/muaj dhe po të njëjtën masë pagese përfitojnë edhe për shërbimin e ndihmësit personal (kujdestarit). E kemi lehtesuar procedurën e përfitimit të pagesës nga KMCAP. Sot personi me aftësi të kufizuar nuk paraqitet më në komision, pasi vlerësohet vetëm dokumentacioni që përmban dosja e tij. Për personat me autizëm nuk ka më rikomisionim të përvitshëm dhe kjo është një lehtësi e madhe për qindra prindër që çdo vit bashkë me fëmijët e tyre -që edhe ata duhet të paraqiteshin në komisione- kalonin një kalvar të vërtetë mundimesh”,tha Manastirliu.
Nga të dhënat në rang kombëtar, gjatë viteve të fundit vihet re një rritje e numrit të fëmijëve që trajtohen në qendrën kombëtare të mirërritjes dhe në qendrat e tjera publike në vend edhe nën moshën 2-3 vjeç. Pjesa më e madhe vijnë me rekomandim të konsultorit të lagjes, një tregues ky që flet padyshim për rritjen e ndërgjegjësimit për çrregullimet e spektrit autik.
Edhe nga të dhënat e shërbimit psikiatrik, numri i rasteve të reja në Njësinë e Psikiatrisë së Fëmijeve dhe Adoleshenteve është rritur (rreth 200 raste në vit), një rritje që sipas mjekëve lidhet me ndërgjegjësim dhe evidentim e rasteve që deri dje ishin të fshehura.
Sa i takon burimeve njerëzore, Manastirliu deklaroi se po punohet në disa drejtime:
Në vitin 2018 pritet të rekrutohen 7 mjekë në specializimin e fëmijëve dhe adoleshentëve, kuota më e lartë historike; viti 2019 është i pari pas 8 vitesh kur pritet të mbarojnë studimet 5 specializantë të rinj; edhe ngritja e Urdhrit të Psikologut dhe Punonjësit Social do rrisë mundësitë për sigurimin e një shërbimi më cilësor për fëmijët me çrregullime të spektrit autik.