Nga Marko Caka
Sot me 28 gusht mbushën plot 19 vjet që Mama Vangjeloja nuk jeton më. Ishte një nënë greke për nga etnia por në realitet kush e ka njohur ajo ishte nëna e shqiptarëve që falte gjithëmonë dashuri e respekt. E njoha në momentin më të vështirë të jetës sime, të atyre momentëve ku cdo shqiptar përplasej me dallgët e jetës për të fituar identitetin e tyrë të nëpërkëmbur për faj të një regjimi totalitar që përvecse na shtypi, na nxori në betejën e jetës pa asnjë gjë në trup. Ishte ai momenti ku qeveria greke nëpërmjet policisë së saj sapo kishte nisur “Operacionin Fshesa” me vendime hakmarrëse duke bërë diskriminimin më të madh çnjerëzor të historisë së saj moderne kundra shqiptarëve. Pikërisht në këtë moment më gjendet një super nënë që më mori dhe më strehoi duke më dhënë gjithcka nga shpirti i saj, për ti mbijetuar asaj farse të asaj kohë që qeveria kishte ndërmarrë në përzënjën pa dokumenta vetëm se ishim shqiptarë.. Mama,Evangjelo, nje nënë e paharrueshme qe me ngrohtësinë e saj më dha gjithcka, përtej birësimit. Pa atë jeta ime ne Greqi, do të ishte ndryshe, mund të kishte edhe rrjedhë tjetër, por falë afrimit të dorës së saj unë gjeta cdo gjë, ngrohtësinë e dashurinë e një nënë, të cilën megjithese e kisha lënë në vendin tim, ajo u gjend edhe në emigracion tek një nënë tjetër qe mbi të gjitha, mbarte dashurinë njerëzore, përtej kufinjve, pa dallim ngjyrë dhe identiteti. Në saj të kësaj nënë të mrekullueshme unë gjeta identitetin tim personal, një identitet i munguar tek të gjithë ne shqiptarët dhe që na kishte humbur për shumë vite në rrugëtimin e gjatë të emigrimit. Në sajë të investimit modest të kësaj nënë ,unë vazhdova studimet e larta, pra me pak fjalë, fitova formimin arsimor duke hyrë në rrugën e jetës profesionale, të karrierës në gazetari . Kane kaluar 19 vjet që e shtrenjta ime, mama Evangjelo nuk jeton më fizikisht, por jeton shpirtërisht gjithmonë në zemrën time. Jeton dashuria e saj, buzëqeshja e ëmbël e saj. Çdo fundjavë në fshatin e saj arkeologjik te Platees së Thives ajo ishte shumë mikpritëse dhe derën e mbante hapur për gjithë shoqërinë time, gjatë viteve studentore dhe të punës. Dhe kur merrte vesh se shoqëria ime kishte edhe shqiptarë ajo bëhej akoma më lumtur. I donte shumë shqiptarët por edhe i mbronte si një qytetarë e denjë grekë që u del për zot fqinjëve në kohët më të vështira të tyre. Ajo e kishte mësuar nga i ati i saj se në çdo kohë shqiptarët në momentet më të vështitëra ju hapën dyert grekëve dhe ua hoqën kafshatën e fëmijëve për tua dhënë fqinjëve . Madje një herë ajo u përplas në një rajon të policisë për të mbrojtur disa shqiptarë që ishin kapur nga operacioni famëkeq, dhe që keqtrajtoheshin në birucat e tyre. Sapo shefi i Rajonit mësoi së ishte e bija e një nga heronjve të forcës së vetme çlirimtare partizane greke, EKAM kundra Nazo-fashizmit ai u përul në shenjë respekti dhe e vlerësoj përpjekjen saj për të liruar shqiptarët klandestin. Në një moment shefi i policisë më mori në një anë e më tha: Më foli nëna për ty, por edhe ti je me shumë fat që të ka birësuar kjo nënë sepse soji i tyre japin shpirtin për njerëzit në nevojë dhe kurrë nuk i lënë në baltë. Prandaj kjo nënë e rrallë e meritonte vlerësimin më maksimal për tja shpërblyer gjithë sakrificën e saj deri në frymën e fundit. Ishte një nënë që vlente më shumë se pasuria. Atë pasuri që ajo ma la amanet qe s’duhet ta gëzojnë të afërmit e saj që së deshën kurrë vetëm e vetëm se dashuria e saj njerëzore kishte kaluar kufijtë, e kishte prekur një identitet tjetër…Që pas vdekjes së saj këta “të afërm” kerkojne me ngulmim të gjithë pasurinë që la kjo nënë e dashur. Por besoj se drejtesia greke një ditë do të dijë të vlerësojë të drejtën, dhe amanetin e nënë Evangjelose që pasurine e saj, të mos e gëzojnë ata që e urryen sa qe gjallë sado që shtiren me plot hipokrizi. Vajtja ime parë pas 15 vitesh në Greqi kishte si destinacion vendin ku prehet Mama Evangjeloja, për ta kujtuar gjithmonë si njeriun me shpirt të mirë që kam njohur në jetën time. Tani ajo prehet e qetë pas kaq vitesh, pasi shqiptarët kanë ndryshuar që atëherë, dhe jo vetëm kanë gjetur identitetin e tyre por falë ekzistencës së tyre Greqia dhe Europa e plakur po ripërtërihet. Mama Evangjeloja prehet e qetë se tani shqiptarët nuk janë më si ajo “delja e zezë” të përbuzur, por falë punës së tyre shumëvjeçare sot ata janë intelektuale, biznesmenë, mjekë, profesorë, akademikë, pra forca më kryesore integruese në zhvillimin e Europës. Ajo prehet e qetë edhe për Shqipërinë e pas demokracisë që e vizitoi disa herë dhe e gjeti më të lodhur se kurrë, por tani pas kaq vitesh ajo dita ditës po ndryshon falë politikave zhvilluese të vendit për të gjetur edhe ajo identitetin e saj që i takon pranë familjes së madhe europiane.