Fermerët e zonën së Myzeqesë janë ngritur në protestë pasi kërkojnë plotësimin e kërkesave ekonomike nga qeveria. Ata kërkojnë subvencionimin për njësi prodhimi, lehtësimin e burokracirave, nxitjen e eksporteve, si dhe barazimin e shkallës së TVSH-së në shitje me atë në blerje në sektorin e bujqësisë.
Në një prononcim për media ata shprehen të zhgënjyer pasi janë detyruar t’i hedhin në kosh të gjitha kulturat e tyre bujqësore pasi nuk kanë treg shitjeje.
“Malli nuk shitet po i hedhim të gjitha në kosh. Nuk marrim as lekët e farave që hedhim. Kemi lënë emigrimin, kemi ardhur të investojmë këtu dhe po mendojmë prapë të ikim. Jemi me kredi, kemi bërë aplikimet për subvencione, emrat kanë dal, po nuk kemi marrë asnjë lekë akoma. Jemi shumë të zhgënjyer”, u shpreh një fermer për Fax.
Një tjetër fermer u shpreh se nëse shteti nuk e ndihmon ai do të detyrohet që të braktis serën dhe gjithë investimin e bërë dhe të largohet në emigracion.
“S’na ka ngel gjë tjetër. Do ikim, s’kemi lekë as të presim biletën”, tha një tjetër.
/a.r











