Ministri i Financave, Petrit Malaj, në konferencë sot, 30 mars, me Drejtorin e Përgjithshëm të Tatimeve Ilir Binaj dhe atë të Doganave Besmir Beja, për arritjet e deritanishme dhe objektivat në vijim.
“Financat publike nuk janë më thjesht një instrument administrimit, por motor real i zhvillimit ekonomik të vendit. Kemi një sistem që lufton informalitetin dhe po punojmë për të përafruar kuadrin tonë me kërkesat e BE-së”, deklaroi ministri.
Sa i përket të ardhurave, tha se kanë arritur nivele historike, duke nënvizuar rritjen e ndërgjegjësismit fiskal.
“Në vetëm dy vite, janë mbi 1 miliard euro të ardhura shtesë që planifikojmë dhe që përkthehen në më shumë investime, shkolla, spitale dhe më shumë mirëqenie për qytetarët shqiptarë”, bëri me dije Malaj.
Janar-shkurt 2026
“Totali i të ardhurave nga Tatimet e Doganat është 130 miliard lekë. Nëse krahasohet me të njëjtën periudhë të vitit paraardhës rritja është 11.5% më shumë.”
“Kjo nënkupton që tendenca do vijojë të jetë pozitive, ekonomia po performon mirë, por nga ana tjetër kemi formalizim më të madh të sektorëve në treg”, shtoi ministri.
Plani i Rritjes
Sa i takon Planit të Rritjes, deklaroi se ka pasur rritje të performancës së hetimeve kundër mashtrimit tatimor, 168 hetime nga 124 krahasuar me 2024-ën. Po ashtu, te kontrollet sipas riskut, janë audituar 100 individë të pasur dhe 101 individë duke përdorur të dhënat nga palët e treta.
Gjetja kryesore, tha ministri, janë 62.8 milion lekë që lidhen me mosdeklarimin e të ardhurave personale.
“Një angazhim tjetër i dakordësuar me BE-në, ka qenë edhe reduktimi parasë cash, objektiv që u përmbush brenda vitit 2025. Kemi një rritje të efikasitetit të kontrolleve të ushtruara, nga Administrata Doganore dhe Tatimore”, shtoi më tej.
Tha se janë ulur kontrollet fizike, pasi tanimë bëhen në distancë me sisteme të digjitalizuara.
Rimbursimi i TVSH-së
“Për vitin 2025, 255 milion euro vlera totale për t’u rimbursuar. 80% e tatimpaguesve që kanë aplikuar u është bërë rimbursimi pa kontroll, vetëm 20% prej tyre u është bërë kontrolli. Të gjitha këto tregojnë një model të ri pune dhe qasjeje.”
Digjitalizimi
Ritheksoi se digjitalizimi mbetet objektiv kryesor, ndërsa pjesa më e madhe e shërbimeve kanë shkurtuar kohën e proceseve.
“Ka pasur 8 mijë aplikime nga operatorët ekonomikë, koha e kursyer është 26.5 ditë. Koha e kursyer nga administrata tatimore për vitin 2025 është 4.1 milion orë ose 468 vite. Kemi kursyer 7 minuta për çdo deklaratë tatimore dhe 1 orë për çdo vërtetim të lëshuar nga kjo administratë.”
Modernizimi i Doganave
Fjalën e tij, Drejtori i Doganave, Besmir Beja, e nisi duke rikonfirmuar angazhimin e tij për modernizimin e administratës doganore shqiptare.
“Doganat kanë si synim një transformim të plotë digjital”, theksoi ai, duke shtuar se shtyllë kryesore e kësaj qasjeje është Inteligjenca Artificiale dhe bashkëpunimi me institucionet e tjera.
“Në këtë periudhë në fokus të administrsatës doganore kanë qenë kontrollet e përbashkëta me atë tatimore në verifikimin e tregtimit me pakicë të produkteve energjitike. Janë inspektuar deri tani 58 subjekte, nga këto, ka rezultuar 112 masa administrative. Subjektet janë inspektuar në Tiranë me 11 kontrolle ku janë vërejtur 22 shkelje. Në Durrës, 8 kontrolle, 12 shkelje. Në Fier, 6 kontrolle, 9 shkelje. Në Korçë, 2 kontrolle, 6 shkelje. Në Pogradec, 8 shkelje. Në Elbasan e Lezhë nga 8 shkelje….”, bëri me dije Beja.
48 subjekte nga këto, nuk kanë pasur sipas tij certifikatën e kalibrimit.
Në këtë konferencë, ministri Malaj u ndal në detaje sa i takon ndërhyrjes së menjëhershme të Bordit të Transparencës kur ka rritje të çmimit të naftës dhe po ashtu gjithë monitorimit rigoroz për karburantet që tregtohen në vend.
Si do të aplikohet akciza e reduktuar në momentin që kemi një rritje të çmimit të naftës mbi nivelin 220 lekë?
Malaj: Në momentin që Bordi do të mblidhet dhe do të përcaktojë, që çmimi i tregtimnit me pakicë do të jetë 221 lekë, çmimi i shitjes me pakicë do të jetë 221 lekë minus reduktimin e akcizës 20% që përkon me përafërsisht 8 lekë, do të jetë 213 lekë. Do të bëhet në baza ditore, do të monitorohet në baza ditore, në ato momente kur çmimi kalon mbi 220 lekë, do të ketë një reduktim të çmimit të shitjes me pakicë, në atë moment që është nën 220 lekë, do të jetë çmimi që ka përcaktuar Bordi.
Po gjurmimi?
Malaj: Kemi dy momente kryesore, nëpërmjet kompanisë shtetërore ku do të vijohet me markimin e karburanteve që do të tregtohen në territorin e Shqipërisë. Cilësia e markimit do të jetë e niveleve më të larta, ndërkohë që paralelisht me këtë edhe karburantet që kalojnë tranzit, autobotet, do të modifikohen me pulla digjitale të cilat do të ndiqen në kohë reale nga momenti që ngarkesa hyn në territorin e Shqipërisë deri në momentin që del nga territori. Në momentin që del, këto elementë sigurie do të hiqen nga kamioni dhe vijon pastaj më tej në destinacionin final.
Procesi i rivlerësimit
Malaj: Është e vërtetë se çmimet e reja të referencës janë ende në proces për t’u finalizuar nga grupi i punës, që ka marrë përsipër ta përfundojë brenda prillit 2026.











