Ish ministri i Financave, Arben Malaj komenton projektin e shpallur së fundmi nga qeveria shqiptare “Një miliard për rindërtimin”. Ai thotë se qeveria duhet ta strukturojë më mirë projektin. Sipas z. Malaj është e nevojshme të hartohet një paketë që përmban shumë elementë bashkë, burimet nga do vijnë paratë, buxhetin e shtetit, donatorët, rritjen e cilësisë dhe efiçencës e përdorimit të fondeve, sa do të merret nga sektori privat dhe ku duhet investuar.
Në këtë intervistë për “Zërin e Amerikës”, Malaj ka komentuar edhe zhvillimet më të fundit në vend përplasjen mes prokurorit të përgjithshëm Adriatik Llalla dhe ambasadorit amerikan në Tiranë Donald Lu.
Parashikimet për rritjen ekonomike në Shqipëri për 2016 janë 3.4 për qind, ndërsa për këtë vit 3.8 për qind. Por a mund të na i përktheni më konkretisht këto shifra, si kanë ndikuar apo ndikojnë në jetën e shqiptarëve?
Sigurisht kjo është edhe sfida kryesore sepse problemet që kanë dale në pah jo vetëm në Shqipëri është që një rritje ekonomike duhet të realizojë disa objektiva socialë. Pra objektivi i parë social i çdo qeverie është rritja e të ardhurave të disponueshme të populates, që do të përkthehet në rritje të mirëqenies. Në këtë aspekt duhet një rritje ekonomike që të shoqërohet me hapje të vendeve të punës. Edhe pse ka një trend pozitiv, prapë nuk është në nivelin që dëshirohet, pasi niveli i papunësisë është në terma të lartë. E dyta duhet të rriten të ardhurat reale, në ketë aspekt, parë dhe me ambiciet që ka Shqipëria edhe rritja 3.4 apo 3.6 për qind nuk janë rritje që lehtësojnë sfidat sociale.
Në çfarë shifrash duhet të ishte rritja?
Parë dhe me diferencën me të cilën Shqipëria duhet të ishte në krahasim me vendet e tjera të rajonit dhe eksperiencat e mëparshme, një rritje ekonomike që shkon nga 6 deri 8 për qind është një rritje që ngushton këtë hendek. Sigurisht ajo duhet të shoqërohet me reforma strukturore që rrisin të ardhurat, krijojnë mundësi për më shumë punësim, krijojnë burime për programe sociale e bëjnë shoqërinë të ketë një kohezion më të mirë. Dhe një shoqëri që ka më shumë punësim, më pak varfëri dhe bëhet më solidare është një shoqëri që krijon sinergjinë pozitive që këtë ritme të qëndrueshme.
Ekonomia shqiptare vuan nga kreditimi i ulët, kreditë me probleme vazhdojnë të jenë të larta. Duket sikur është një ngërç nga i cili nuk po dilet ende. Çfarë e pengon sipas jush?
Sigurisht është një nga shqetësimet kryesore e para, sepse duke u rritur kreditë e këqija nuk ka burime potenciale për të ushqyer rritjen ekonomike, që krijohen vende të reja pune. Janë bërë dhe analiza të plota për problematikën që lidhet dhe mos respektimin e kritereve dhe detyrimeve të kredisë nga huamarrësit. Duhet ta kemi të qartë dhe ky është diskutimi që unë bëj si studiues dhe jo thjesht si anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë që brenda këtij problemi kemi dy pjesë. Një lloj papërgjeshmërie në marrjen e kredive, duke menduar se është e lehtë, pa menduar me përgjegjshmëri të madhe për kthimin e saj. Por pse jo, dhe kjo kërkon një analizë edhe më të thellë, cilësia e kredi dhënies nga bankat ka qenë e dobët. Sepse në fund të fundit bankat dhe çdo ndërmjetës financiar ka një mision, t’i marrë kursimet e popullatës, të marrë kapitalet e lira e t’i çojnë tek bizneset e suksesshme, private apo publike. Kur kjo para shkon tek rritja ekonomike është me cilësore e qëndrueshme dhe më e drejtë.
Kryeministri bëri të ditur ditët e fundit një nismë të quajtur “një miliard për rindërtimin” para të biznesit fillimisht dhe më pas do t’ua kthejë atyre nga buxheti i shtetit. A është realiste kjo nismë? A është në gjendje biznesi privat në Shqipëri të bëjë investime kaq të mëdha?
Ekonomia shqiptare ka shumë nevojë për investime. Cilësia e shërbimeve publike që nga arsimi, shëndetësia, infrastruktura jo vetëm ndërmjet qyteteve por dhe ajo rurale, ku janë problemet e mprehta të papunësisë dhe varfërisë, kanë nevojë për më shumë investime. Por një skemë e tillë ka disa parakushte që të jetë e suksesshme. E para Shqipëri duhet të shfrytëzojë në maksimum çdo burim nga donatorët. Ne kemi shumë angazhime nga Banka Botërore nga institucione të tjera dhe në kuptimin e absorvimit, cilësia e implementimit të tyre duhet të jetë më maksimale. E dyta, ne synojmë rritje në fondet e Bashkimit Evropian por shkalla e absorbimit të tyre jo vetëm në Shqipëri është 36 në 39 për qind. Sigurisht skema e partneritetit publik privat ka vlerësime pozitive por ka dhe pikëpyetje të mëdha.
Dhe ju jeni një nga kritikët e kësaj …
Unë kam qenë dhe vazhdoj të jem. E para duhet të dallojmë qartë ku na duhen. Për shembull, paketa duhet konturuar më mirë, nuk mund të jetë thjesht dhe vetëm tek rrugët. Shqipëria, shqiptarët kanë problemë më të mprehta në jetën e përditshme. Nëse u përmirësua furnizimi me energji elektrike, duhet parë si prioritet furnizimi me ujë që ka të bëjë me jetën e përditshme të popullatës. Ka studime që zhvillimi rural, investimet rurale e ulin më shumë varfërinë por dhe rrisin cilësinë e arsimit dhe shëndetësisë në këtë zona. E dyta që është e rëndësishme, është borxh pavarësisht nga skema që përdoret dhe novacioni financiar. Është një këshillë që është dhënë edhe nga institucionet e rëndësishme financiare ndërkombëtare në kohën kur kostoja e parasë është e ulët për të ndikuar për një performance ekonomike më të mirë, në kushtet kur edhe Shqipëria e ka patur të dobët kreditimin të gjenden mundësitë për të angazhuar paranë nga sektori privat. Por gjithçka është një përgjegjësi e madhe. E para ka të bëjë me elementin etik,që t’i merr borxh për gjeneratat e ardhshme, e dyta ka të bëjë me transparencën dhe së treti me efiçencën maksimale. Pra nëse bëhet një paketë duhet të bëhet e gjitha bashkë duke parë të gjitha burimet, buxhetin e shtetit, donatorët, rritjen e cilësisë dhe absorbimin e fondeve të tyre dhe sa do të merret nga sektori privat dhe ku duhet investuar. Atje ku shkalla e kthimit të jetë më e lartë. Në mënyrë që të ushqehet më mirë rritja ekonomike, por njëkohësisht të mos cënohet stabiliteti i financave publike. Është në hapat e parë, është mirë që ka debat për këtë, por është mirë të spostohet pas zgjedhjeve. Pasi dhe kjo ka të bëjë me faktin që një iniciativë nuk duhet të ndihmojë në rritjen qoftë dhe sadopak të temperaturës politike dhe të ketë një oponencë maksimale si nga ekspertët ashtu edhe nga institucionet ndërkombëtare.
E thatë edhe ju se ky është një borxh dhe opozita thotë se është borxh që këmbanën ia dëgjon kur qeveria s’ka para ta paguajë. Përfaqësues të opozitës e shohin madje si paradhomën e një zhvillimi sikurse në Greqi, krize ekonomike. A e shihni ju një rrezik të tillë?
Unë besoj se debati që po bëhet qoftë nga ekspertë të opozitës qoftë nga qarqet akademike dhe jam shumë pranë këtij të fundit për shkak të angazhimit, duhet të na sjellë në një pikë që të mos jetë thjesht një nismë si ajo “Shqipëria një euro” që s’kishte kushte të realizohej. Pra ky të jetë një borxh i marrë me shumë përgjegjshmëri, në përmasat që absorbohet dhe që godet elementë kritikë të jetës së përditshme, për pjesën më të madhe të shqiptarëve.
Prokurori i përgjithshëm Llalla dhe ambasadori amerikan në Tiranë Donald Lu, kanë shkëmbyer akuza të ashpra. Sot që flasim a duhet të kishim një reagim nga krerët më të lartë të shtetit. A është kjo normale?
Ekonomia shqiptare nuk bën dot pa rritur liritë e asaj që pengojnë dhe të gjitha studimet tregojnë se problemet me pronën, të luftës efektive kundër korrupsionit, pengohen në mënyrë të konsiderueshme nga problematika që ka sistemi gjyqësor. Reforma është e domosdoshme. Opsionet alternative që janë diskutuar kanë bërë disa rregullime. Lidhur me raportet midis ambasadës së një shteti dhe institucioneve të shtetit shqiptar, ky raport në një vend është në bashkëpunim me Ministrinë e Jashtme. Për fokusin e reformës nuk ka nevojë të ketë keqinterpretim pasi është e qartë. Ka kohë që shqiptarët e kanë kërkuar dhe e mbështesin sepse këto janë problemet reale që synon dhe reforma. Ka një gjë specifike reforma në gjyqësor zgjidh edhe problemet e sektorëve të tjerë, pra kur përmirësohet gjyqësori lehtësohen edhe sektorët e tjerë, pronat, korrupsioni. Rritet besimi i investitorëve të huaj dhe atyre shqiptarë, pra nuk duhet ta shohim si reformë që ka të bëjë me emra është një reformë që ka të bëjë me të ardhmen e çdo qytetari të vendit.
Pra a duhet të kishin reaguar institucionet shqiptare?
Unë mendoj që po dhe është mirë kur reagojnë. Rruga, kanalet diplomatike si reagojnë janë të gjitha opsione të mundshme, por qytetari shqiptar, votuesi shqiptar, pjesa e angazhuar për të mbështetur reformat është mirë të ketë më shumë informacion për pengesat dhe sfidat që i presin, duke respektuar palët në mënyre reciproke./a.k