Nga Mihallaq Zinxhiria ⃰
Tani që jemi në fushatë zgjedhore, dëgjojmë e shikojmë që ndodhin lloj lloj historish, thashethemesh, sillen ngjarje nga e kaluara e kandidatëve etj. Dëgjojmë pa fund edhe fyerje e sharje ndaj një kandidati apo kryetari të partisë së tij apo madje dhe mbështetësit mes njëri tjetrit nuk mbeten pas në kontingjentin e kërcënimeve, fyerjeve e sharjeve që disponojnë. të tyre ngjarjesh jo të zakonshme që kanë të bëjnë shpesh me dhunë ndaj dhe njerëzit. Por mua kësaj here m’u fiksuan duke më mbetur ndër mend meqenëse si profesion kam dhe merrem me gjuhët , shprehjet ”kafshë elektorale”, “makineri votash” që në fakt nuk janë fjalë fyese por përkundrazi në shumicën e rasteve përdoren për të ngritur vlerat e personit që mendohet se ka ato cilësi. Ai karakterizimi i dytë, “makineri votash, më mori më shumë vëmendjen. E mora shpejt me mend se për çfarë është fjala, përafërsisht, dikush që mbledh aq shumë vota për një parti politike apo individ kandidat për poste politike sa krahasohet me një makineri që i nxjerr ato me shumicë e shpejtësi si produkt që merr atë formë pasi i ke hedhur makinerisë pjesët përbërëse të atij produkti.
Bredh mendja, dhe pyes veten: mirë te makineria hidhen lëndët përbërëse të papërpunuara të atij produkti po tek kjo makineria që prodhon vota, pra ky “kafsha elektorale” si funsionon? Çfarë konsumon ky? Kështu kot fare nga hiçi nuk mund të nxjerrë vota. Aq më shumë mijëra.
E që të merremi vesh e të më lexoni edhe më poshtë unë në këtë rast nuk po diskutoj ato situata kur votat i manipulon duke i tjetërsuar me ndihmën e anëtarëve në komisione. Fjala është për një person në fshat, rajon të caktuar që me fjalën e veprimin e tij arrin që të marrë deri mijëra vota pa takime mbi programe, pa postera, pa propagandë e premtime për shkolla, qendra shëndetësore, kanale vaditëse e rrugë… siç jemi mësuar të shikojmë se premtojnë të tjerët, shumica e kandidatëve që dalin e flasin në në medie. Jo. Në televizor nuk e shikon të dalë atë tipin, as intervista nuk bën me gazetarë, as në diskutimet e mbrëmjeve me gazetarët nuk e shikon. Hiç. Ai punon ndryshe.
Po si është e mundur që ky njeri merr votën e njerëzve? Si vjen ky e I bind ata që të votojnë atë që kërkon ai?
Ja që është e mundur e po e shikojmë jo rallëherë në këta 33 vite që kur votojmë. Arsyet janë të shumta dhe sigurisht që nuk kam ndërmend e as mundësi të përpiqem t’i përmend e analizoj të gjitha këtu. Dëshiroj të shpreh një mendim që më duket se ia vlen të tregohet duke reflektuar mbi ato çfarë kam lexuar e mësuar nga njerëz që kanë parë nga afër e studiuar jetën e marrëdhëniet sociale të banorëve në zonat rurale e kryesisht ato të malësisë në jug e veri të vendit që sot përbëjnë një përqindje shumë të lartë të popullsisë dmth votuesve. Fundja në fshat kemi banuar shumica e jonë e këtu kam paraysh këta 100 vitet e fundit. Deri në gjysmën e shekullit të kaluar atëherë kur vendi filloi të drejtohet nga komunstët ishim 90% banorë fshati e në fillim të demokracisë mbetëm 60%. Sot raportet janë përmbysur e në qytete banojnë më shumë njerëz se në fshatra. Përse merrem me këtë grup popullsie? Sepse aty mund të shikosh më mirë se diku tjetër të ngurtësuar mentalitete të ruajtura në kohë që në kontakt me shoqërinë shqiptare të qyteteve vlerësohet shpesh shkurt e me dembelizëm si “negative”, “primitive” dhe “arsye” pse ecim kaq ngadalë ne shqiptarët në zhvillimin ekonomik e kulturor të vendit. Po a është pa gjë ky “përfundim”?
Sikurse përmendëm më sipër, raporti i popullsisë në vitin 1991 ishte përafërsisht 60% e banorëve në fshat dhe 40% në qytete. Popullsia e rritur e qyteteve përbëhej tan inga banorë që kishin zbritur në qytete jo prej shumë kohësh. Integrimi në një jetë tjetër, qyteti, erdhi gradualisht e u arrit që në një masë të konsiderueshme të quhej e tillë aq sa e lejonin edhe kushtet e Shqipërisë që impononte një jetë me rregulla e disiplinë komuniste por që ndeshej vazhdimisht me vështirësitë e jetesës së re të atij që vinte në qytet prej fshatit e që përveç se i duhej të gjente shtëpinë ku të banonte e kjo ishte shumë e vështirë, i duhej të kujdesej edhe për njerëzit e tjerë të familjes që mbeteshin në fshatin nga kishte ardhur. E kjo ishte detyrë së cilës nuk i “shpëtohej” lehtë sepse ishte e ngulur në ndërgjegje si çdo zakon e traditë e trashëguar në shekuj. Detyrimi ndaj prindërve, vëllezërve e motrave për sa kohë ato ishin në shtëpi te prindërit. Kjo lidhje thuajse biologjike ishte e ngulitur prej shekujsh si mekanizëm i mbijetesës.
E megjithatë, më të shumët prej nesh vazhdonin të banonin në fshat. Erdhi demokracia dhe ata I shikojmë të ngrirë në kohën që i gjeti në një situate thuajse të pashpresë; pa punë, pa të ardhura, pa ide, pa rrugëdalje. Më të shkathëtit shkuan pas atyre që morën anijet e emigruan nëpërmjet detit apo dhe në Greqi. Ndërsa më të shumtët pasi peshuan situatën vendosën të lëvizin drejt zonave fushore të vendit apo drejt qyteteve me shpresën se atje do të kishin më shumë mundësi jetese. Nuk kishte rrugë tjetër. Për atë kohë jo. Zbritën dhe me vete sollën edhe botën e tyre me zakone e tradita e mënyrë jetese me të cilën ishin mësuar tashmë.
Shumë të plotë dhe në detaje përshkrimin e mënyrës së jetesës së popullsisë në malësitë e Ballkanit pjesë e të cilit jemi edhe ne e ka bërë historiani i ndjerë, profesor i Universitetit të Gracit Karl Kaser në librin e tij “Hirten, Kämpfer, Stammeshelden”(“Barinj, Luftëtarë, Heronj Fisesh”). Më poshtë janë disa prej vlerësimeve të tij që shpjegojnë shpesh edhe sjelljen sot e kësaj dite të njerëzve që vazhdojnë të banojnë në ato rajone dhe të atyre që janë larguar prej andej sikurse nënvizova më sipër por që mënyrën e jetesës e trashëgojnë duke ia përshtatur kushteve të reja të jetesës në vendin ku zgjodhën të jetojnë. Aty trajtohet gjerësisht patriarkalizmi, pa paragjykime siç jemi mësuar ta konsiderojmë por si mënyrë jetese në kushtet e caktuara gjeografike ku kanë banuar apo banojnë akoma njerëzit.
Patriarkalizmi ka qenë sundues kryesisht në zonat e malësisë të Shqipërisë e Ballkanit në tërësi, por më vonë u shtri edhe në zonat e ulëta e kjo i kushtohej dyndjeve të njëpasnjëshme të familjeve që vinin nga malësia në ultësira.
Këtë e shikojmë të treguar dhe shpjeguar qartë në studime të panumurta nga autorë specialistë të fushës të njohur shqiptarë e të huaj.
Shprehur në mënyrë të përgjithshme patriarkati është një sistem i sundimit absolut të burrave në shoqëri dhe familje. Lidhjet e autoritetit kalojnë në linjën patrilineare duke u bashkuar gjithnjë në duart e burrit. Ky merr në një familje të madhe rolin e babait themelues të familjes.
Të gjithë ata që janë marrë me këtë temën e patriarkalizmit i referohen familjes së stërmadhe, organizimit të jetës në të. Patriarkalizmi bazohet në vlera morale si ndihma për njëri-tjetrin edhe në aspektin ekonomik, nderim i veçantë për të parët e fisit, cilësi trimërie ushtarësh luftëtarësh, llogjika mistike etj.
Familjet ishin të konfrontuara me menaxhimin e shumë funksioneve që në një shoqëri të zhvilluar i kryen shteti dhe atje ku institucionet shtetërore nuk i marrin përsipër ato, aty është patriarkalizmi këmbëkryq. Sa më i dobët të jetë shteti aq më i fortë është patriarkalizmi.
Në fiset e Malësisë ishte bajraktari i vetmi ruajtës i interesave të fisit nga jashtë ; nuk kishte instancë tjetër sipër tij. Kishte mbledhje të përfaqësuesve të familjeve që quhej kuvend apo mexhlis. Këto takime mbaheshin përjashta, në natyrë sepse nuk ekzistonin sallat.
Historiani e diplomati francez Pukëvil përshkruan familje të tilla të mëdha në zonën e Sulit.
Edhe në krahina të tjera shikojmë forma të ngjashme organizimi të familjes. Disa studiues janë shprehur mbi familjet e mëdha në Shqipërinë qëndrore, në lindje të Beratit: “pasiguria e këtyre zonave dhe ekonomia sunduese natyrale nxiti krijimin dhe jetëgjatësinë e familjeve të mëdha. Pasi familjet nuk u nënshtroheshin zakonisht feudalëve, ato u kthyhen në qëndra të sigurisë dhe të jetës sociale dhe ekonomike. Kushte të tilla të ngjashme ishin edhe “në Bullgari, në Greqinë e veriut dhe në Shqipërinë jugperëndimore sidomos në Kurvelesh” – shkruan Pukëvil.
Përse këto lloj lidhjesh në familje? Një arsye është puna që kërkonte shumë forca dhe siguria e kërkuar që ishte nga ana tjetër domosdoshmëri. Kudo kishte rreziqe në fushë e mal e sidomos rrugës për nga njëra kullotë në tjetrën. Patriarkalizmi ekstrem i këtyre familjeve ishte rritja e nevojës për siguri dhe sigurimi i saj përmes patriarkalizmit. Organizimi i punës dhe kërkesa për siguri rrisnin shkallën e patriarkalizmit.
Thamë më sipër se nga malet dhe banorët e tyre kjo situatë e organizimit në familje të mëdha u transferua në ultësira sepse gjatë shekujve mijëra familje blegtorësh shkojnë në ultësira dhe ruajtën të paktën për një kohë të caktuar organizimin tradicional familjar. Por, për organizimin agrar në ultësira qëndron po aq pak domosdoshmëria për të krijuar familje të mëdha sa dhe krijimi i lidhjeve më të mëdha familjare. Në këto zona, familja e madhe bëhet me kalimin e kohës trup i huaj. Por që sigurisht kjo nuk ndodh menjëherë.
Në Shqipëri përdoreshin fjalët “Derë e madhe” për të karakterizuar një familje me shumë anëtarë.
Albanologu Boue ka qenë në gjysmën e parë të shek 19 në Malësinë e Shqipërisë së Veriut. Ai tregon se ka banuar në familje ku banonin deri 16 familje së bashku. Familjet më të mëdha i ka zbuluar Georg von Hahn te mirditorët deri në 70-80 persona.
Gjatë censusit të parë të bërë nga austriakët gjatë luftës së pare botërore doli se kishte shumë familje të mëdha, rreth 50% e popullsisë së atjeshme ishte e tillë.
Stavro Frashëri tregon se më 1930 në zonën e Mirditës kishte familje me 10 dhe 40 anëtarë.
Census u bë edhe në Shqipërinë e Jugut por që arriti deri në Berat. Edhe këtu zotëronin familjet e mëdha. Vëllezërit jetonin bashkë edhe pas vdekjes së babait dhe vetëm pas vdekjes së tyre ndaheshin fëmijët, djemtë. Këto familje gjenden edhe pas luftës dytë botërore.
Në një situatë të tillë mbi bazën e një familje të madhe mund të ruheshin dhe zhvilloheshin shumë mirë vlerat e një shoqërie patriarkale. Ato janë zhvilluar madje aq mirë e fort sa dhe sot nuk janë ç’rrënjosur, por sigurisht në një situatë shumë më të çtendosur pas ndikimit të kushteve të jetesës në rregjimin komunist kur shumë pjesëtarë të familjes shkojnë në qytete të vegjël e të mëdhenj për të banuar dhe punuar atje e pas konsolidimit të institucioneve shtetërore e partiake që marrin në dorë problematikat që më pare ishin pjesë e funksioneve të fisit apo shoqërive të mëdha.
Pra familja e madhe nuk është diçka speciale dhe tipike e një grupi etnik por është një element bazë përshtatjeje në ambjentin gjeografik të shoqërive zakonisht pastorale fisnore, e me familjë të mëdha si mënyrë jetese. Kshtu kanë vazhduar të jetojnë deri në konsolidimin deri diku të shtetit ligjor.
Shteti Osman nuk kishte ndërmarrë ndonjë gjë për shkatërrimin e familjeve patriarkale. Ai nuk e ndiqte logjikën e shkrimit, gjuhës, domethënë të burokracisë së shtetit. Prandaj format e jetesës arkaike mundën që të zhvilloheshin shkëlqyeshëm në kuadrin e atij shteti. Në këto kushte lindën, u zhvilluan dhe vepruan edhe shoqëritë fisnore apo familjet e mëdha në Ballkan.
Mendohet se kanë kaluar dhjetra vite deri në krijimin e besimit të banorëve në pushtetin qendror rë institucionit.
Me krijimin e shtetit shqiptar më 1912, burokracia e tij e sapokrijuar ishte shumë e dobët. Deri në fillim të luftës së parë botërore mendohet se ai as nuk iu afrua fiseve të veriut dhe të qendrës së Shqipërisë. Në luftën e parë botërore ky shtet del komplet jashtë funksioni dhe vendi drejtohet nga fuqitë e mëdha përkatëse që kishin pushtuar vendin.
Pas luftës Shqipëria ngrihet përsëri si shtet por organet e tij mes dy luftrave nuk ishin në gjendje t’i vendosnin fiset krejtësisht nën juridiksionin e tyre. Çdo përpjekje për të vepruar në drejtim të kufizimit të pushtetit të fiseve haste në rezistencën deri të armatosur të tyre që çonte në rrëmujë dhe kaos. Në zona të caktuara njerëzit kryenin shërbimin ushtarak por nuk paguanin taksa dhe ligjet e shtetit zbatoheshin vetëm kur merrnin aprovimin e kapidanit.
Vendosja ndoshta e ngadaltë e aparatit të sigurisë dhe i ushtrive kombëtare e nxorri në plan të dytë rëndësinë e mbrojtjes personale nga familja e madhe apo fisi pra problemin e sigurisë. Me ngushtimin e funksionit mbrojtës të shtëpisë dhe të funksionit të bërjes drejtësi lindën shancet për emancipim politik. Ndërtimi i një sistemi edukimi arsimor pati si pasojë daljen nga socializimi përjashtues i familjes dhe bashkimi i saj në shoqërinë e gjërë . Shkuarja në shkollë do të thoshte një integrim më i madh social dhe shance për karrierë, lejonte më shumë mundësi për të mësuar dhe ushtruar profesion si dhe e shtynte kohën për të vendosur se çfarë profesioni do të zgjidhte personi në të ardhmen. Këto janë rezultate të arritura ndoshta në mënyrë shumë të kufizuar në vendet e ndryshme të malësisë së Shqipërisë e në përgjithësi të Ballkanit.
Përmes këtyre masave mundën të eleminoheshin fenomenet ekstreme të patriarkalitetit ballkanik ndërsa patriarkaliteti si i tillë sidomos mentaliteti nuk arriti të mënjanohej. Ligjet e pashkruara, e drejta zakonore ishin të ngulitura më shumë atje ku rregulli patriarkal ishte më i fuqishëm dhe pikërisht në zonat e fiseve të Shqipërisë dhe Malit të Zi.
E drejta zakonore mbeti aktive deri në filim të luftës dytë botërore. Ligji i shtetit nuk mundi të vendosej deri në atë kohë. Administrata shfrytëzoi Besa-Besën dhe stabilizoi sadopak gjakmarrjen por pranimi i ligjit të shtetit nuk pati sukses. “Një dekret i Ahmet Zogut i vitit 1928 u siguroi fiseve madje edhe ekzekutimin e veprave penale të pazgjidhura sipas rregullave ekzistuese të së drejtës zakonore”(Kaser).
Në regjimin komunist gjakmarrja u ndalua menjëherë. Megjithë suksesin e zotërimit të shtetit në këto rajone, të shtetit me institucionet e tij, kjo nuk do të thoshte se njerëzit u pastruan nga mentaliteti i elementeve të patriarkalitetit. Në kohën e anarkisë (91-92) që pasoi rënien e regjimit komunist pati disa raste gjakmarrjeje për ngjarje të shumë viteve më parë. Ndërsa për fat të keq, ndoshta rallë por rastet e gjakmarjes vazhdojnë edhe sot e kësaj dite.
Ndërsa jetojnë në periferi të qyteteve, në fshatra pak më tutje, me pak tokë e pak bagëti, ata që nuk kanë fëmijë në emigracion që t’i ndihmojnë financiarisht, e kanë vështirë të mbijetojnë. Duke mos pasur as bujqësi, as blegtori, as profesione që do t’u mundësonin një jetë me më shumë të ardhura e pavarësi, ata janë shpesh të detyruar që të kërkojnë ndihmën e të afërme apo bashkëfshatarëve e ndonjë tjetri që “u ndodhet afër” e u ndihmon me ndonjë lek borxh, me ndërmjetësim për ndonjë punë, për të fshehur konsumin e energjisë duke paguar më pakë, për t’i mbrojtur nga ndonjë vjedhje apo ngacmim e fyerje në nderin e familjes. Këta janë “biznesmenët” modernë me aktivitete ekonomike që një Zot e di si i kanë ndërtuar megjithëse nuk është e vështirë të merret me mend burimi.
Këta kanë edhe lidhje në politikën e vogël të qytetit apo të madhen e kryeqytetit . Atje ku institucionet janë të dobëta e nuk e ndihmojnë qytetarin, aty janë këta që u dalin zot. Se mos është më ndryshe mes mafiozëve në zonat rurale të Italisë së Jugut? E thamë më sipër se ku mungon shteti është farefisnia e ku nuk është as kjo është i forti i lagjes, fshatit, krahinës. Falas ai nuk të shërben dhe shkurt kur vjen dita të kërkon “nderin”. Në rastin tonë votën, që japin hallexhinjtë, një pjesë shumë e madhe e të cilëve janë pikërisht ata që përshkruam më sipër disi në histori e disi në kohën e sotme.
Paskemi qenë naivë kur menduam se të shkuarën e kishim lënë pas, në harresë. Atë e kemi aty ndonëse jo me forcën e mesjetës e atë të fillim shekullit 20. Mentaliteti patriarkal në shoqërinë tone vepron. Vazhdon e jeton edhe si mënyrë jetese atje ku individi me familjen e tij nuk shikon e ndjen shtetin me institucionet e tij.
⃰ Pedagog ne Fakultetin e Gjuhëve të Huaja