Nga Frrok Çupi
Sot, kur dhëndrit të Berishës iu hoqën prangat, rrallëkush e priste që të reagohej ashtu. Njerëz nga publiku, në përgjithësi, tundën kokën dhe lëshuan frymën: ‘Aha, edhe Drejtësia e re u bë e vjetër!’’. Sidomos shumica qytetare që e ka marrë ‘me shpirt’ Drejtësinë. Ndërsa vetë familja Berisha reagoi me një heshtje në ngjyrë plumbi. Në familje as e prisnin as e donin lirimin e dhëndrit, sot në 21 Nëntor. Me të tjera tone ishte përcjellë burgosja e dhëndrit në datë 21 tetor. Vetë ‘mbreti’, në moshë afër 80, shpërtheu në gulshe që nuk dalloheshin a ishin nga e keqja apo nga gëzimi. Ata që dinë t’i lexojnë ‘grimasat’ e Saliut, e kuptonin shumë mirë se atë ditë ndihej ‘i realizuar’. Makbethianët mund të kishin thënë se Saliu kishte pasur një ‘deal’ të fortë me SPAK për të realizuar planin e burgosjes së dhëndrit. Por edhe sipas Kanunit shqiptar, shpjegimi i shenjave të çon në këtë pikë. Sipas shenjave, kur Saliu i çoi fjalë mikut (babait të Jamarbërit, Luan Malltezi), se ‘ke një djalë të shkëlqyer’, kjo ka kuptim kapital. Kuptimi ishte i qartë: ‘Tani mbaje djalin tënd, unë kam fëmijët e mi’. Siç lëshohej gruaja në zakonet e Mesjetës; vinte një ditë që çohej në derë të prindit.
Që atë ditë, askush në familjen Berisha nuk u mor më me dhëndrin; lufta e ‘mbretit’ për të djegur Parlamentin u ndez vetëm për të mbrojtur lëkurën personale të mbretit.
Data 21 Nëntor, me lidhje thuajse Masone me 21 Tetorin, ra si surprizë në këtë familje. As e prisnin e as e donin lirimin e dhëndrit.
Çfarë ndodhi në 30 ditëshin Masonik?
Ose ka ndodhur njëra, ose tjetra; arsye të tretë nuk ka:
E para, që gjatë kohës në burgjet ‘e Ramës’ tharmi politik i Jamarbërit u sterilizua dhe tani nuk vlen më për fronin e mbretit- kjo është e para. Ai ishte kandidat për kryetar i PD, madje vetë sekretar. E dyta është se gjatë muajit të mungesës, gjërat dhe rolet kanë ndryshuar në familje. Fati, deri në 21 Tetor, i kishte shënuar Jamarbër Malltezit që të luante rolin e Makbethit, ‘të vriste mbretin dhe t’i zinte vendin’. Edhe të shoqen e kishte me vete, siç është shkruar në tragjedinë e Sheksipirit. Me këtë rast evitohej edhe ‘lufta e përgjakshme’ për pushtet mes vëllait e motrës: Asnjëri nuk do ta merrte fronin, por në fron vinte një i tretë. Në fund të fundit, ‘vrasja e babait’, siç thonë në fjalor politik, po afron. ‘Vdekja politike’ tani është një realitet; Sali Berisha është një mbret gjakatar që urrehet nga shumica dhe nuk ka as më të voglin besim politik. Edhe familjarët e tij kanë nisur ta përqeshin si të ishte një homeless; sidomos gratë. Kur Policia trokiste në derë e thërriste ‘duam Sali Berishën’, Liria- e shoqja, u thoshte se ‘nuk ndodhet në shtëpi’. Sipas kodeve ku ka lindur edhe Saliu, burri që nxjerr gruan për të hapur derën e burrave, ka rënë në pozita të ulëta. Gruaja, në këtë rast, përgjigjet: ‘Kjo shtëpi nuk ka burra!’… Edhe e bija e bëri ‘hasha’ të atin mbret. Ajo u tha se ‘Sali Berisha nuk banon në katin e tetë, por në katin e katërt…, atje poshtë!’. Bija, Argita, deri tani ka mundur të ‘lërë atje poshtë’ një mbret dhe dy ‘Makbethë’ meshkuj të familjes. Herën e fundit, ‘bija e mbretit’ kreu akte të forta ‘me kode’ që lexohen si gjurmë pranë majës së mbretërisë: E para, doli bulevardit të Tiranës, e veshur klass sipas saj, me ndryshime kirurgjie në fytyrë, dhe sfidonte. Shumë kush e lexoi këtë akt sikur ‘bija e mbretit’ po sfidonte Drejtësinë, gjykatat, fatin e sa, krejt popullin…. Por nuk lexohet kështu. ‘Bija e mbretit’ po sfidonte vetë mbretin ekzistent dhe Makbethin kandidat, Jamarbër. Ajo po dëshmonte se ‘e mban fronin edhe pa një burrë’ të lirë në krah. E dyta, Argita pagoi shtrenjtë një ekran televiziv, ku foli si zëvendësuese e ‘Mbretit’, aspak si grua me burrë në burg, as si juriste. Pastaj nxiti komentuesit e medieve sociale që të shkruanin më pasion: ‘Ja! Ja, kjo është kryetare e PD’, domethënë ‘kjo është mbretëresha’. Ndërsa Saliu e ka humbur kordhën me kohë. Tani i duhet të futet në shtëpinë e sekuestruar dhe të presë që gratë të përgjigjen pas çdo trokitjeje: ‘Nuk ka burra, jo, nuk ka burra kjo shtëpi!’.