• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Monday, December 29, 2025
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Editorial

Macron, Starmer dhe “fantazma” elektorale e Lacivitas

by Skënder Minxhozi
10/04/2025 12:10
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Skënder Minxhozi

Edi Rama do të donte që Samiti i Komunitetit Politik Evropian të mbahej në datën e tij fillestare të përfolur, 9 maj. Pra dy ditë para zgjedhjeve. Për arsye të kuptueshme korrektese në raport me votën e shqiptarëve, kjo datë ishte e papërshtatshme, por kjo s’do të thotë që marketingu që kjo ngjarje po prodhon është më pak i rëndësishëm për organizatorët. Domethënë për qeverinë socialiste dhe kryeministrin e saj, i cili është i njohur për organizime e protokolle të kësaj natyre. Është e ditur se Rama egzaltohet në përgatitjen e ngjarjeve të tilla, merret me çdo ftesë, me menunë e ushqimit, vendin ku do ulen miqtë dhe dekorin e sallave e qilimin e kuq që pret delegacionet tek hyrja. E gjitha kjo e ka një arsye madhore shtesë, përtej detajeve për të cilat Rama njihet se është “i sëmurë”: një Samit i këtij formati është dhurata më e bukur elektorale që kryeministri do të kishte zgjedhur symbyllur edhe sikur ta pyesnin dhjetë herë rresht!

Ky samit e kthen Ramën në territorin e vet të preferuar të komfortit: politikën e jashtme. Një sferë e politikbërjes e cila në rastin e socialistëve kompenson edhe konsumin e qëndrimit gjatë në pushtet. Në fakt në 12 vjet drejtimi të vendit, me ulje-ngritjet e ekonomisë, mungesën e efiçensës në shkallët e ndryshme të qeverisjes, rastet e korrupsionit dhe premtimet e pambajtura, politika e jashtme ka qenë rregullisht kali i betejës i maxhorancës aktuale që ka nxjerrë nga pika e vdekur karvanin socialist.

Gjetja e pasaportës evropiane si simbol i fushatës elektorale vjen si një akt gati i detyrueshëm për Edi Ramën, si ikona e suksesit më të madh të qeverisjes së tij katërvjeçare, të mjegulluar nga Spak dhe amullitë e tjera të politikës së brendshme.

Në katër vitet e fundit u hapën negociatat me Brukselin dhe vendi riktheu kokën nga industria e turizmit e tulatur nga pandemia. Aktualisht jemi, për habinë e të gjithëve, një vend i dalluar në kryerjen e detyrave të shtëpisë së Brukselit. Aq të dalluar sa komisionerja e zgjerimit deklaron publikisht se negociatat do të mbyllen brenda vitit 2027!

Në anën tjetër, turizmi është afirmuar pa më të voglin dyshim si aktiviteti më i suksseshëm ekonomik i qeverive Rama që nga viti 2013. Një bilanc prej miliona turistësh të huaj, paralelisht me hapjen e kapitujve të parë të negociatave me Bashkimin Evropian, janë dy duar që lajnë njëra-tjetrën në procesin e normalizimit dhe hapjes së vendit ndaj botës.

Edhe një episod në dukje sipërfaqësor, ai i ardhjes dy herë në Tiranë të një presidenti francez brenda një viti e gjysëm (një i tillë s’kishte shkellur kurrë më parë tokën shqiptare), përbën një avantazh të cilin Edi Rama po e përdor në këtë atmosferë zgjedhjesh, duke e vënë Samitin mu në mes të sheshit Skënderbej. Si për të thënë publikisht dhe me forcë se ky është arsenali i tij i vërtetë në garën me kundërshtarët.

Data e zgjedhjeve po i ofron një bonus unik kryeministrit Rama. Një Samit i cili mbledh në qendër të Tiranës një hapësirë shtetesh që nisin në Kaukaz dhe mbarojnë në ishullin britanik. Nuk është e rastit që fillimi zyrtar i fushatës zgjedhore në Shqipëri po përkon me njoftimet për vizitat zyrtare që presidenti francez dhe kryeministri britanik do të zhvillojnë paralelisht me mbajtjen e Samitit, i pari në datën 17 maj dhe i dyti në datën 15. Nëse kësaj dysheje i shton Von Der Leyen, kancelarin Merz, Melonin, Zelenskin, Erdoganin e dy dyzina liderësh të tjerë të kontinentit, menuja e 16 majit bëhet “e rëndë në kalori”.

Vjen kësisoj e përsëritet një situatë e njohur për të gjithë ne shqiptarët, ku opozita njofton çdo javë izolimin e afërt qeverisë socialiste në planin ndërkombëtar dhe rregullisht ky lloj parashikimi hidhet poshtë nga ajo që ndodh në terren. Aty ku thuret rrjeta e ndërlikuar e raporteve me shtetet dhe institucionet, e ku Edi Rama ka treguar se di të notojë më me shkathtësi sesa me ndërtimin e një ujësjellësi në Kukës apo një cope rrugë në Përmet.

Kemi mësuar mjaftueshëm në këto 30 e kusur vite se kjo rrethanë, pra mbajtja e raporteve të ngushta me vendet dhe institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare përbën një koeficient që nuk i shërben vetëm karrierave personale të krerëve tanë politikë, por edhe vetë vendit. Një shtet i vogël dhe i ekspozuar ekonomikisht dhe në planin e sigurisë si Shqipëria, ka nevojë konstante të ruajë e forcojë marrëdhëniet me miqtë dhe partnerët.

Bilanci 12 vjeçar i qeverisjes së majtë në planin e brendshëm ka treguar prej kohësh shenja plakjeje e konsumi. Është një bilanc i cili do ta vendoste në risk fitoren e mandatit të katërt nëse nuk do të shoqërohej në sfond nga një proces i vazhdueshëm dhe për disa aspekte edhe i papritur hapjeje dhe bashkëpunimi të ngushtë me vendet kryesore të Evropës e SHBA.

Kjo është hipoteka e vërtetë e qeverisjes së Ramës në katër vitet e fundit, kur negociatat me BE u hapën dhe kur miliona turistë zbuluan “papritur” se të vish në Ksamil është po aq bukur dhe komode sa të shkosh në një ishull grek të Egjeut.

Politika e jashtme dhe turizmi, të përmbledhura nën nocionin e “hapjes” së vendit, janë suksesi i vërtetë 12 vjeçar i qeverisjes socialiste. I cili kontraston edhe më shumë kur vendoset përballë pozitës së vështirë të kundërshtarit kryesor Sali Berisha. Një politikan i veteran i cili dikur priste Xhorxh Bush në Tiranë, kurse sot gëzohet e rreh shuplakat se e ftoi ambasada greke në festën kombëtare, teksa këshilltari i Trump Lacivita është kthyer tashmë në një lloj fantazme elektorale për të dhe opozitën shqiptare! Pozitë shumë e ndryshme kjo nga ajo e kundërshtarit që po bën gati tapetin e kuq të 16 majit!

Next Post
“Mbase i dhimbsemi Amerikës”, protestë para SPAK: Të hetohet Beleri për “Masakrën e Peshkëpisë”

"Mbase i dhimbsemi Amerikës", protestë para SPAK: Të hetohet Beleri për "Masakrën e Peshkëpisë"

Comments 3

  1. Lili says:
    9 months ago

    Vijnë të marrin valixhet me para për t’i siguruar Sulltan Edi Ramës mandatin e katër,të pestë derisa ky Tradhtar i Kombit Shqiptar të vdesë nga natyra…O Zot .një përbindësh që na e bëri peshqesh:Fatos Nano

    Reply
  2. L.Xh says:
    9 months ago

    Minxhoz i nderuar, do të përdor një shprehje në zhargonin popullor krutan, për të vlerësuar këtë shkrim : “E ke qarë me lot e me curila”…
    Gjithkujtë i ke dhënë, pjesën që i takon, kripën, uthullën, sheqerin dhe mjaltin, pa lënë pas dore edhe dajakun modest.
    Pyetja shtrohet, më mirë një Vuçidolas, 81 vjeçar e që është lindur e rritur nga prinder gdhë pa shkrim e këndim, e në vendin e theqafjes ardhur në Tiranë me valixhe dru ahu me gozhdë nallbani, që flet anglisht Vuqidoli, apo një tiranas i lindur e i rritur në Tiranë, nga dy prinder intelektualë kalibri që flet e shkruan lirshem minimalisht tre gjuhë të huaja ?
    Për komente të tjera nuk ja vlen.
    Këtu është e keqja tek ne, sepse deri më sot, na kanë drejtuar njerëzit dru me pre, katundarë në tru e në koncept, që çdo qytetari e kanë hipokrizi.
    Populli Shqiptar, kësajë rradhe, do të shkojë në Europë pa tjetër me Edi Ramën, duke përjashtuar njëherë e mirë fshatarin nga theqafja si kreu i këtijë vëndi.
    Me konsiderate Minxhoz.

    Reply
  3. PRoShi says:
    8 months ago

    I bashkohem L.Xh -së.
    Por korrigjoj se ekonomia e marrë me një buxhet prej 8 miliard dhe e çuar në 25 miliard ku gjatë këtij 4 vjeçari do të shkojë në 35 miliard nuk flet për ekonomi të rraskapitur por për një potencial e një ekonomie agresive në progresin gjeometrik.
    Urime Minxhozit.

    Reply

Leave a Reply to L.Xh Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

Kurti i ka numrat për të formuar qeverinë e re pa opozitën. Ja si ndahen mandatet në Kosovë

Kurti i ka numrat për të formuar qeverinë e re pa opozitën. Ja si ndahen mandatet në Kosovë

December 28, 2025
Kurti drejt fitores në zgjedhjet e Kosovës, Vetëvendosja nis festën me fishekzjarrë në Prishtinë

Kurti drejt fitores në zgjedhjet e Kosovës, Vetëvendosja nis festën me fishekzjarrë në Prishtinë

December 28, 2025
Zgjedhjet/ Në 81% të kutive të votimit të numëruara VV kryeson me mbi 50 % të votave. PDK forcë e dytë, LDK e treta

Zgjedhjet/ Në 81% të kutive të votimit të numëruara VV kryeson me mbi 50 % të votave. PDK forcë e dytë, LDK e treta

December 28, 2025
Numërohen 41% e kutive të votimit në Kosovë/ Kurti kryeson me 49% të votave, PDK 20% e ndjekur nga LDK me 14%

Numërohen 41% e kutive të votimit në Kosovë/ Kurti kryeson me 49% të votave, PDK 20% e ndjekur nga LDK me 14%

December 28, 2025
Deputet, nga “Hiçi”

Salianji, si Lul Basha, e Genc Pollo dikur…

December 28, 2025
Tronditëse në SHBA/ Dy helikopterë përplasen me njëri-tjetrin në New Jersey, një person humb jetën

Tronditëse në SHBA/ Dy helikopterë përplasen me njëri-tjetrin në New Jersey, një person humb jetën

December 28, 2025
Dalin shifrat e para për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Kurti kryeson, por nuk e bën dot qeverinë

Dalin shifrat e para për zgjedhjet e parakohshme në Kosovë. Kurti kryeson, por nuk e bën dot qeverinë

December 28, 2025
Europa e mbytur nga kokaina/ 440 organizata kriminale, në krye rrjetet shqiptare, belge, italiane…

Europa e mbytur nga kokaina/ 440 organizata kriminale, në krye rrjetet shqiptare, belge, italiane…

December 28, 2025
Zyrtare/ Luis Enrique shpallet trajneri më i mirë në Globe Soccer Awards 2025

Zyrtare/ Luis Enrique shpallet trajneri më i mirë në Globe Soccer Awards 2025

December 28, 2025
Festat sjellin rritje të qarkullimit, sportele shtesë në pikat kufitare. Intensifikon masat e sigurisë

Festat sjellin rritje të qarkullimit, sportele shtesë në pikat kufitare. Intensifikon masat e sigurisë

December 28, 2025
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In
WP2Social Auto Publish Powered By : XYZScripts.com