Nga Edison Ypi
E dashur Mbesë, ma plotëso një dëshirë. Ulu, shkruaj një kryevepër. Një libër të madh. Të paparë e të padëgjuar. Një superlibër. Aq të bukur, të dashur, të dobishëm, sa të mos harrohet edhe pasi bota të shembet. Një mrekulli që do pëlqehet nga të gjithë, nga kalamajtë dhe qindvjeçarët, deri te ata që ende s’kanë lindur. Një Iliadë të kohëve moderne. Një libër të shenjtë, një Bibël, Kuran, për mëkatarët dhe të tjerët. Të vlefshëm për gjithkënd që mendjen e përdor. Secilin që në kraharor ka një zemër. Pranon me shpirt. Refuzon me arsye. Nuk ka dhjamë në qafë. Nuhat me hundë. Ha me lugë. Merr me pirun. Copton me thikë. Mahnitet me madhështinë e Zotit.
Ndërtoje atë tempull për çfarë të duash. Për shembull, për çudinë e çudirave, dukurinë e frikshme gjerësisht të përhapur të farkëtimit të prangave, zinxhirëve, zgjedhës, me duart e veta. Pra për komplicitetin e viktimave në ndërtimin dhe funksionimin e diktaturave, përsosjen e krimeve, hapjen e varrit të vetes. Pasojat dramatike. Tmerret rrënqethëse. Viktimat e panumërta.
Ose xhevahirin e ardhshëm letrar gdhende për koston aq të lartë të progresit që kalon përmes vështirësive të pafundme, shkatërrimeve, vonesave, sherreve, kufomave, dhe kërkon kohë dëshpërimisht të gjatë. Shkaqet, arsyet, pse-në e kësaj dukurie cfilitëse. Viktimat, dëmet, pasojat.
Në daç, Mbesë e dashur, kryeveprën në fjalë kushtoja njërit prej krimeve më të përhapura që përsëritet e përsëritet e s’ka të ndalur: gjykimit të kollajtë të të tjerëve, pa konsideruar mëkatet e vetes. Zbërtheje një herë e mirë këtë çbalancim të përbindshëm, këtë asimetri llaftarisëse që po torturon botën prej shekujsh.
Ose veprën monumentale bëje për çmimin e Jetës. Si varion ai çmim i çuditshëm që shpesh është aq i ulët, madje edhe zero, për veten. Ku dhe kur ulet e ngrihet. Cilat rrethana e favorizojnë apo e refuzojnë, e ulin apo e ngrenë, si dhe gjeografinë e këtij çmimi makabër.
Në mos, dyshimet, përpëlitjet e njeriut për të gjetur si është më mirë të jesh, rebel, antikonformist, i papërkulshëm, apo konvencional, konformist, i epshëm – mund të jetë lajtmotivi i atij kryelibri që e pres me padurim morboz. Se vetëm lepur ose vetëm ujk nuk mund të jetë askush. Sa i tillë e sa i atillë duhet me qenë?
Katedralja letrare që do ndërtosh mund të jetë gjithaq sa dhe për revolucionet që iniciohen nga idealistët në favor të turmës së ndërkryer, dhe gërryhen shpejt nga fukarenjtë e ngopur rishtas nën vështrimet qortuese të vizionarëve të zhgënjyer.
Një tjetër sugjerim i ethshëm: bëje në daç edhe për pangopësinë, pasurimin e pafundëm, egërsinë, meskinitetin, mediokritetin, paturpësinë, rrenën, hajdutërinë, veset, ligësitë, pabesitë, mosmirënjohjen, dhimbjen, vuajtjen, persekutimin. Veç mos rri pa e bërë atë skaner të thellë për të gjetur diagnozat, sëmundjet, huqet, veset e viktimave.
Njerëzit do mahniten dhe do dehen nga aroma e plumbit të shtypshkronjës ku do jetë shtypur Libri yt, o Mbesa ime. Do braktisin kompjuterët dhe djallëzitë e tjera që ua helmuan dhe shkatërruan jetët: modemat, email-et, rrjetet sociale; bashkë me to edhe zbrazëtinë e përsosmërisë kompjuterike, dhe do i vërsulen të babëzitur gjerdanit të perlave, kapitujve, fjalive, fjalëve, gërmave, tingujve të Librit tënd mahnitës.
Letra e bardhë e shkruar që zverdhet me kalimin e kohës, ky kthim lavdiplotë te Gutenbergu i shypshkrimit, do godasë si rrufe. Do udhëtojë bashkë me gjakun në çdo skutë të trurit të secilit lexues. Do jetë një mahnitje artistike dhe utilitare totale, integrale, mbarëplanetare, e pandodhur kurrë më parë.
Miliona njerëz do çjerrin me thonj e do përgjakin fytyrat duke u kërkuar pasardhësve falje me duar të ndera dhe sytë nga qielli.
S’ka rëndësi çfarë do jetë apo çfarë do quhet mrekullia që do erruptojë truri yt inkandeshent: roman, novelë, skenar filmi apo teatri. Veç ulu, shkruaje. Për një mijë arsye. Mes tjerash, edhe sepse dikur me plehrat e letërsisë nuk qeshëm kot sa lotë na dolën nga sytë dhe spasma nga goja.
Bëje. Po s’e bëre, do na mbulojë rrena, hajdutllëku, burracakëria dhe një mijë të zeza të tjera. Dhe do pllakosë errësira. Mesjeta që po troket te dera, do hyjë brenda.











