Nga Mero Baze
Deri tani për 24 orë, janë provuar këto gënjeshtra.
E para, Lulzim Basha nuk ka bërë asnjë deklarim pranë Institutit të Ndërtimit dhe Task Forcës së Emergjencave për dëmtim të apartamentit nga tërmeti. As ndonjë banor i atij pallati nuk është ankuar. Pra thjesht ka gënjyer, se është zhvendosur nga pallati për shkak të tërmetit.
Së dyti, deri tani nuk rezulton asnjë kontratë qiraje e Lulzim Bashës për dy vilat e marra nga ai dhe vjehrri i tij në një rezidencë luksoze në periferi të Tiranës. D.m.th Lulzim Basha nuk ka asnjë deklarim për marrje me qira të vilave.
Pra ka gënjyer që i ka marrë me qira, ose më keq akoma, nuk ka deklaruar kontratën.
Nga ana tjetër, gazeta ka prova se Lulzim Basha ka lidhje interneti dhe kontratë uji në banesë në emër të vet.
Për më tepër do t’i lëmë shansin Lulzim Bashës të thotë gënjeshtrat e radhës, që t’ia provojmë.
Nga një interesim i shpejtë, të dy vilat kanë qenë më parë në përdorim nga dy Ambasada të huaja Perëndimore në Tiranë. Njëra nga Ambasada e Suedisë dhe tjetra nga ajo e Sllovenisë.
Qiraja e vilave ka qenë 3 mijë euro në muaj. Kur është zgjidhur kontrata me to, pronari ka pretenduar se i ka dalë një klient për t’i shitur.
Tani Lulzim Basha duhet të zgjedhë të dëshmojë, nëse i ka blerë, apo i ka marrë me 3000 euro në muaj qira, që bëjnë 6000 euro të dyja në muaj.
Sa për pishinën, ka të drejtë. Ato kanë një pishinë për të dy vilat, dhe me sa dimë ne, ky shkon mirë me vjehrrin dhe ai besoj do ta lejojë të lahet tek pishina e vet.
Por përtej humorit që shkakton papërgjegjshmëria për të gënjyer dhe për të mos qenë transparent me deklarimin e pasurisë, Lulzim Basha është shembulli më i keq i ndonjë politikani shqiptar, që nuk ka pranuar të bëjë asgjë transparente në jetën e tij politike.
Në fund të vitit 2004, kur erdhi në Tiranë, u prezantua se kishte mbaruar Universitetin e Utrehtit dhe punonte në organizata ndërkombëtare, në poste të rëndësishme.
Siç u vërtetua më pas, ai është diplomuar për master në 31 gusht 2005, pasi ishte dekretuar ministër.
Shtypi ka publikuar vërtetime nga Universiteti i Utrehtit që ai ka kryer studimet para-universitare në vitin 1999 dhe masterin në vitin 2005, dhe ai kurrë nuk ka dhënë shpjegim se si ka punuar gjatë kësaj kohe, që ka qenë edhe student.
Lulzim Basha nuk ka dhënë kurrë sqarim për pasurinë e tij. Ai ka deklaruar rreth 1 milionë euro pasuri kur ka ardhur në vitin 2005, dhe asnjëherë s’ka treguar burimin e tyre, ndërkohë që të rezulton të ketë qenë student deri më 2005, ndërkohë që ka kryer punë të rëndomta si përkthyes pranë UNMIK, përfshi dhe një periudhë si dixhej në Kosovë. Këto të ardhura mjaftojnë për të jetuar, por jo për një milionë euro pasuri.
Lulzim Basha ka mohuar nga komplekset bursën e Sorosit, edhe pse ajo është në evidencat e Soros-it. Jo se është krim, por për shkak të zakonit të tij për të mos qenë transparent.
Lulzim Basha ka shmangur përballjen me drejtësinë për skandalin e “Rrugës së Kombit”, duke mbyllur çështjen me procedurë, dhe kurrë nuk ka dhënë shpjegime për publikun, se në çfarë rrethanash i ka marrë ato vendime abuzive.
Lulzim Basha ka rol kyç në vrasjet e 21 janarit si ish- ministër i Brendshëm dhe dëshmitë e Sokol Olldashit e Bamir Topit tregojnë se ai ka tentuar të përdorë pushtetin për të devijuar hetimet dhe për t’i mbyllur ato. Ai kurrë nuk është marrë nën hetim për këto vrasje dhe kurrë nuk ka dhënë shpjegime publike.
Lulzim Bash ka emëruar konsull nderi të Shqipërisë shokun e tij të ngushtë, turkun problematik Kamil Ekim Alptekin, i cili sot është nën hetim ndërkombëtar nga SHBA, për terrorizëm dhe pastrim parash. Lulzim Basha është dëshmitar në martesën e tij.
Kurrë nuk ka dhënë shpjegime pse ka përdorur pushtetin në Shqipëri për një mik të tij, i cili përlyen emrin e Shqipërisë.
Lulzim Basha ka privatizuar financat e Partisë Demokratike dhe ka përdorur vulën dhe siglën e saj për financime të dyshimta të një lobisti në SHBA. Hetimet amerikane dëshmojnë se janë para të ardhura nga Rusia në emër të Partisë Demokratike. Sa herë ka folur për këtë çështje ka gënjyer.
Një herë tha këto pars i mblodhën shqiptarët në SHBA, pastaj tha nuk e di se kush ja ka dhënë lobistit. Është ende në hetim në SHBA e Tiranë, por kurrë nuk ka thënë dy fjalë njësoj.
Lulzim Basha përdor një veturë super të shtrenjtë në dosjen e të cilës Prokuroria mund të verifikojë fare lehtë, se qysh ditën e parë që ka ardhur në Shqipëri, ajo veturë ka shofer, shoferin e Lulzim Bashës.
Atë e ka blerë fillmisht pronari i një kompanie nga Elbasani, që merrte tendera nga Lulzim Basha në Tiranë, pasaj ja ka transferuar një kompanie tjetër që shet e blen makina, por makina ka mbetur gjthnjë me shofer, shoferin e Lulzim Bashës.
Ai asnjëherë nuk ka dhënë shpjegime se si mund të ndodhë që një makinë ndërron pronarë, por kurrë përdoruesin. Dhe e ka gjithë jetën me qira.
Lulzim Basha i ka dy vajzat e tij në shkollën më të shtrenjtë në rajon, për të huajt që gjendet në Tiranë, ku kostoja vjetore e të dyjave është minimumi 40 mijë euro. Kur e pyet publikisht, thotë që vajzat i kam si gjithë të tjerët në shkollë në Tiranë, dhe harron se “gjithë të tjerët” nuk janë ata 30 milionerë që kanë fëmijët aty.
Kjo e fundit e marrjes së dy vilave është vazhdimi i këtij stili për të mos u përballur kurrë me skandalet që i botohen në shtyp.
Gjithmonë thotë një gënjeshtër dhe pastaj vazhdon u shet moral shqiptarëve dhe të huajve, si njeri që lufton korrupsionin.
Të gjithë e mbajmë mend se si Lulzim Basha, i bënte gjyq përfaqësisë së Bashkimit Europian në Tiranë, pse kishte blerë një vilë tek rezidenca “Rolling Hills”. Tani vetë, bashkë me vjehrrin, jeton në dy vila që përdorte më parë Ambasada e Suedisë dhe ajo e Slovenisë.
Është koha që ky njeri të përballet me faktet dhe të mos lejohet t’u shesë moral shqiptarëve të stresuar nga varfëria, ndërkohë që vetë jeton në luks të paverifikuar dhe shpenzime milionerësh.
Është koha që ILKPD të bëjë hetim të thelluar për pasuritë e tij dhe deklarimet e tij, dhe të hetojë asetet reale që posedon, që nga vetura e deri tek vilat.
Mbi të gjitha, është koha që demokratët që shpresonin tek revolucioni i Bashës, dhe ishin gati t’i vinin zjarrin Shqipërisë, të kuptojnë se ai nuk po na gënjen ne të tjerëve, se ne e dimë kush është. Po tallet me ata.