Presidenti kinez, Xi ka kërkuar në një telefonatë me presidentin amerikan, Trump ulje të toneve në grindjen atomike me Korenë e Veriut. Ndërsa kancelarja Merkel nuk sheh zgjidhje të konfliktit me mjete ushtarake.
Donald Trump duhet të mënjanojë „fjalët dhe veprat”, që çojnë në një gjendje të tensionuar, paralajmëroi presidenti kinez, Xi Jinping presidentin amerikan. Sipas të dhënave të televizionit kinez, Xi nuk i bëri thirrje vetëm SHBA-së për vetëpërmbajtje, por të gjitha palëve që të „ushtrojnë vetëpërmbajtje” dhe të „vazhdojnë rrugën e dialogut dhe të një zgjidhjeje politike”. Gjithashtu presidenti kinez ka theksuar, se është në interesin e përbashkët të Kinës dhe SHBA-së çarmatimi atomik i Gadishullit Korean dhe sigurimi i paqes dhe stabilitetit në rajon.
Ashpërsimi i toneve
Së fundmi SHBA dhe Koreja e Veriut kanë ashpërsuar tonet. Donald Trump kërcënoi këtë javë Korenë e Veriut se SHBA do të reagojnë me „zjarr, zemërim” ndaj provokimeve të tjera. Ndërsa të premten nga Pheniani u tha se SHBA duhet të llogarisin me „një dështim të turpshëm”, nëse do të këmbëngulin ende „me aventurën ekstreme ushtarake” si edhe rrugën e sanksioneve dhe presionit. Trump është shprehur se Kim do të „pendohej” nëse do të sulmonte SHBA-në. “Shpresoj, që ata ta kuptojnë këtë që them në tërësinë e saj, bashkë me pasojat. Dhe këtë që them e mendoj kështu.”
Merkel: Zgjidhje e konfliktit në kuadër të KS
Por fjalëve të ashpra nuk u përgjigjen hapa konkretë. Sipas raportimeve të mediave nuk ka shenja për një lëvizje të trupave amerikane, aeroplanmbajtëseve apo avioneve luftarakë. Nuk ka po ashtu asnjë shenjë, se 150.000 ushtarët amerikanë të stacionuar në Korenë e Jugut po strehohen në vende të sigurta. Shtëpia e Bardhë bëri vetëm të ditur, se njësitë luftarake amerikane janë të “gatshme” të mbrojnë Guamin. Në të njëjtën kohë Japonia po përgatitet ndaj një sulmi të Koresë së Veriut. Një system mbrojtës raketor, sipas raportimit të televizionit NHK po instalohet ndërkohë në disa qytete në perëndim të vendit. Në pamjet televizive shihen automjete të ushtrisë me pajisjet përkatëse.
Ndërkohë politikanë nga e gjithë bota i kanë bërë thirrje për përmbajtje SHBA-së. Kancelarja gjermane, Angela Merkel bëri thirrje që të përforcohen përpjekjet në kuadër të Këshillit të Sigurimit për një zgjidhje paqësore të konfliktit dhe përmes bashkëpunimit me Kinën. Merkel nuk e sheh zgjidhjen e këtij konflikti tek mjetet ushtarake.
DW