Spanja nuk do të marrë pjesë në asnjë mision ushtarak në Ngushticën e Hormuzit, pasi e konsideron luftën SHBA-Izrael kundër Iranit si të paligjshme, deklaruan të hënën ministrat e Mbrojtjes dhe të Punëve të Jashtme të Madridit.
Qeveria e majtë e koalicionit e drejtuar nga kryeministri Pedro Sánchez ka kritikuar ofensivën dhe ka ndaluar avionët amerikanë që të përdorin bazat e përbashkëta ushtarake në jug të Spanjës.
Ministrja e Mbrojtjes, Margarita Robles, hodhi poshtë kërkesën e presidentit amerikan Donald Trump për mbështetje ushtarake për sigurimin e kësaj rruge detare, të cilën Teherani e ka bllokuar de facto për trafikun e cisternave të naftës, si edhe kërcënimet e tij për një “të ardhme shumë të keqe” për aleatët e NATO-s që nuk do të ndihmojnë.
“Spanja nuk do të pranojë kurrë masa të përkohshme, sepse objektivi duhet të jetë përfundimi i luftës, dhe që ajo të përfundojë tani,” tha Robles.
Situata në ngushticë është një shqetësim i madh për europianët, por qëndrimi i Bashkimit Europian duhet të jetë që lufta të përfundojë, pavarësisht konsideratave ekonomike, tha ministri i Jashtëm José Manuel Albares.
“Nuk duhet të bëjmë asgjë që do të shtonte edhe më shumë tensionin apo do ta përshkallëzonte më tej situatën,” u tha ai gazetarëve në Bruksel.
Disa vende të BE-së, si Gjermania, Italia apo Greqia, kanë sinjalizuar gjithashtu se nuk do të bashkohen në operacionet ushtarake në ngushticë, ndërsa të tjera, përfshirë Danimarkën, nuk kanë marrë ende një vendim.











