Lumi i Valbonës është një nga lumenjtë më të rrëmbyeshëm të Alpeve Shqiptare, me ujë të ftohtë dhe të kristaltë, ujvara dhe kanione piktoreske, të cilat tërheqin çdo vit dhjetra-mijëra turistë të huaj dhe vendas.
Megjithatë, e gjithë kjo industri turistike e ngritur mbi traditën e mikëpritjes dhe bukuritë e natyrës në zemrën e Alpeve Shqiptare rrezikon të zhduket, dhe bashkë me të, edhe të ardhurat me anë të të cilave banorët e këtyre zonave sigurojnë jetesën.
Qeveria shqiptare ka miratuar gjatë dekadës së fundit tre marrëveshje koncesionare për ndërtimin e 14 hidrocentraleve në lumin e Valbonës dhe në përrenjtë malorë që përbëjnë sistemin e tij ujëmbledhës.
HEC-et kundërshtohen me forcë nga organizatat mjedisore, të cilat shprehen se digat rrezikojnë të shkatërrojnë luginën, e cila është e mbrojtur dhe gëzon statusin e parkut kombëtar. Sipas tyre, studimet mbi ndikimin në mjedis që investitorët kanë bërë për projektet, kanë të meta serioze.
Kundër HEC-ve janë ngritur edhe banorët e zonës, të cilët thonë se projektet energjetike nuk janë konsultuar me komunitetin dhe rrezikojnë të ardhurat e tyre të bazuara tek turizmi malor.
“E ardhmja duket e ndritur, por nëse ndërtohet qoftë edhe vetëm njëri prej këtyre projekteve, do të thotë fundi i eko-turizimit, i cili është i bazuar tërësisht në ofrimin natyrës së pacënuar,” thotë Catherine Bohne, një qytetare amerikane e martuar në Valbonë, e cila prej tre vitesh udhëheq rezistencën e banorëve vendas kundër projekteve energjetike.
Tre kompanitë që kanë fituar kontrata koncesionare për ndërtimin e HEC-eve në luginën e Valbonës- “Tplan,” “Valbona Energy Company” dhe “Gener2”- i hedhin poshtë akuzat, duke pretenduar se jo të gjitha projektet janë brenda zonës së mbrojtur të parkut kombëtar, ndërsa argumentojnë se ato janë hartuar për të pasur një ndikim sa më të vogël në mjedis.
Kompanitë thonë se disponojnë të gjithë dokumentacionin dhe lejet e duhura për ndërtim dhe se kanë mbajtur konsultime me komuninetin.
“Kërcënuesit e vërtetë të Valbonës janë ata që sot e shesin veten si ambientalistët e Valbonës. Ata kanë ndërtuar hotele disa katëshe në buzë të [lumit] Valbonës pa asnjë leje, kanë prerë pishat dhe ujërat e zeza i derdhin në Valbonë. Madje e kanë zhdukur edhe troftën, pasi e gjuajnë me dinamit,” u hakërrye Flamur Buçpapaj, koncensionari i HEC-it “Tplan,” i vetmi nga projektet në fazë ndërtimi.
Qeveria pranon se vlerësimi i ndikimit në mjedis i projekteve të miratuara ka probleme serioze, por ajo ankohet se kontratat e nënshkruara me ndërtuesit janë të vështira për t’u sfiduar ligjërisht.
Duke qenë se prishja e njëanshme e këtyre kontratave mund të kishte implikime të mëdha financiare, qeveria ka ngritur një grup pune me qëllim gjetjen e një zgjidhjeje për të minimizuar ndikimin e këtyre projekteve- e cila duhet të jetë e pranueshme si nga banorët, ashtu edhe nga investitorët.
“Jemi duke parë se çfarë mundësish ka, por janë kontrata që kanë forcën e ligjit dhe që ka shumë implikime financiare. Qeveria po shikon çdo lloj mundësie se si të adresojë edhe shqetësimet që janë ngritur nga shumë organizata mjedisore apo banorë,” tha Dardan Malaj, zëdhënës i ministrisë së Energjisë.
‘Oda e miqve’ të natyrës shqiptare
Në vitin 1992, Kol Gjoni mendonte vetëm e vetëm të largohej nga fshati Rrogam i Tropojës, i vetmi fshat katolik i atyre anëve. Me majën e Jezercës që i mbron krahët, në 1000 metra mbi nivelin e detit, me kulla guri 200 vjeçare, jetesa në këtë fshat ishte thuajse e pamundur pas rrëzimit të diktaturës.
“Nga 350 frymë që ishim, ngelëm apo nuk ngelëm 40 frymë. Nuk kishte rrugë, punë jo e jo, 6 muajt e vitit të izoluar nga dëbora, ndërsa pak gjëra mund të prodhojmë vetë për shkak se bën shumë ftohtë,” thotë Kola.
Pesë vëllezërit e Kolës u larguan nga fshati, sepse jeta ishte shumë e vështirë. Kola rrëfen se ai gjithashtu bleu një copë tokë në rrethinat e Shkodrës, me mendimin që së paku do të kishte mundësi të çonte fëmijët në shkollë në qoftëse shpërngulej. Asokohe, ai bënte habi me këshillën e disa priftërinjve katolikë italianë për të mos e braktisur këtë bukuri të pazakontë, por ta kthente atë në biznes.
Sot, 24 vite më pas, shtëpia që nisi të ndërtonte në Shkodër ka ngelur thjesht karabina, por kulla e vjetër që i la i ati, është kthyer në “Guest house”-in më të famshëm të luginës së Valbonës. Gjatë sezonit të verës, kur vërshojnë turistët, e gjithë shtëpia është në dispozicion “të mysafirëve”, siç i quan ai. Pyetjes se ku rrinë vetë gjatë kësaj periudhe, me urtësinë që i buron nga përvoja, i përgjigjiet: “pyetja e drejtë do të ishte ku flemë, sepse ne nuk rrimë.”
Me vetëm 8 klasë shkollë, pa dëgjuar kurrë për industrinë e turizmit, por me “vesin” e përjetshëm të mikëpritjes së malësorëve, Kola, së bashku më banorët, ia ka dalë që ta shndërrojë këtë zonë në një destinacion turistik mjaft të kërkuar. Sepse, siç shprehen ata që kanë bujtur tek hani i tij “te Kol Gjoni hahet edhe buka, edhe fjala”.
Sipas Kolës, gjatë sezonit të 2015-ës, vetëm hani i tij ka pritur 3 mijë turistë, ndërsa në 15 Hanet e Zonës në total kanë ardhur diku te 50 mijë turistë nga e gjithë bota.
Kola thotë që të ardhurat nga turizmi kanë sjellë mirëqënie jo vetëm në Valbonë, por edhe në fshatrat që janë rreth e rrotull qytetit të Bajram Currit dhe Shkodrës.
“Tek ata ne marrim vezën e freskët, pulat, perimet, bulmetin… është kthyer në një industri të madhe dhe leku nuk mbetet vetëm tek ne që banojmë këtu, por shpërndahet në shumë persona” tha ai. “Dhe të gjithë këtë zinxhir e kemi ngritur vetë, pa asnjë mbështetje nga shteti”.
I gjatë, energjik, me mustaqet tipike të malësorëve, lufta për mbijetesë duket se i ka vulosur tiparet e vrazhda të Kolës. I bindur se Valbona dhe malësorët janë një dhe larg njëri-tjetrit janë të huaj, ai rrallë zbret deri në qytetin e Bajram Currit. Por së fundmi i është dashur ta bëjë shpesh këtë rrugë.
Pasi ndërtoi vetëm me tre fëmijët dhe gruan të ardhmen në fshatin që nuk kishte asnjë të ardhme, është vënë në krye të një beteje tjetër; atë të mbrojtjes së Valbonës nga projektet e qeverisë për ndërtimin e HEC-eve.
“Kjo është një marrëzi. Malësorët e kanë zakon që në pjesën më të bukur të shtëpisë të vendosin “Odën e Miqve”. Asnjë kullë malësori nuk ka kuptim pa odën e miqve. Dhe lugina e Valbonës është “Oda e Miqve” e natyrës shqiptare,” tha ai.
Kola ankohet se ndryshe nga sa pretendojnë kompanitë koncesionare, nuk bëhet fjalë vetëm për një turbinë, por do të vendosen edhe shtyllat e transmetimit të energjisë që do ta çojnë energjinë në rrjet, të cilat do të dëmtojnë pejzazhin.
“Një zviceran nuk ka pse vjen të na vizitojë ne, kur Zvicra ka plot Alpe e natyrë të bukur. Ata vijnë tek ne pikërisht se këtu është vetëm natyrë,” tha Kola . “Dhe të jeni të sigurtë, që unë do të vazhdoj të mos kem drita, ashtu siç nuk kam edhe sot, sepse kjo energji para se të vijë tek unë, duhet të shkojë të futet së pari në rrjet”.
Po të mos ishte për Catherine Bohne, që të gjithë tashmë e njohin si amerikania e Valbonës, ndoshta banorët e kësaj ane nuk do të kishin shumë njohuri për projektet e HEC-eve që janë parashikuar të ndërtohen në këtë zonë. Catherine la Amerikën dhe u vendos përfundimisht në Valbonë në vitin 2007. Për të Valbona ishte një dashuri me “shikim të parë.”
“Erdha për një vizitë një javore, por jam akoma këtu dhe ky është vendi ku dua të jetoj,” thotë Catherine me atë të qeshurën e saj karakteristike.
Ajo është martuar në Valbonë, dhe vetëm pak kohë pasi ndërtoi buzë lumit “guest house”-in e saj, në vendin ku kish qenë dikur një HEC i vogël, nisi të ndërtohej një HEC i ri, i cili është vetëm pak metra larg shtëpisë së saj.
Që prej tre vitesh, Catherine ka nisur të organizojë në protesta jo vetëm banorët e Valbonës, por edhe aktivistë mjedisorë, personalitete të të gjitha fushave, shqiptarë që kanë emigruar dhe turistë e agjenci turistike nga mbarë bota, që e kanë futur udhëtimin drejt luginës së Valbonës në një prej destinacioneve të tyre kryesore.
Protesta e 11 prillit, e cila u zhvillua në Tropojë ishte më e madhja, ndërsa u mbështet në të njëjtën kohë nga një grup aktivistësh mjedisorë të mbledhur përpara kryeministrisë në Tiranë, të cilët kërkuan anulimin e lejeve të HEC-eve në parkun kombëtar të Valbonës. Një ditë më pas, më datë 12 prill, kryeministi Edi Rama u prit me protesta nga një grup shqiptarësh në Neë York, ku kishte shkuar për një vizitë zyrtare.
Trokitjet e Catherine në zyrat e mjedisit të bashkisë së Bajram Currit dhe në ato të qeverisë në Tiranë për të kërkuar shpjegime dhe dokumente se çfarë projektesh ka për këtë zonë, takimet e shumta me aktivistë mjedisorë, me banorët për t’u shpjeguar se çfarë po ndodh, korrespondencat me njerëz me ndikim në jetën politike dhe shoqërore të vendit, si dhe punët e hotelit ku pret dhe përcjell çdo ditë të vitit grupe turistësh nga e gjithë bota –janë vetëm një pjesë e përpjekjeve të saj për ta ruajtur bukurinë e pacënuar të luginës së Valbonës.
“Nuk do të heq dorë për asnjë arsye. Kjo është një luftë që unë e dua, duhet ta mbrojmë Valbonën. Të mos mendojmë vetëm për ne, por edhe për ata që do të jetojnë pas nesh në këtë vend,” thotë ajo.
Projektet për HEC-e në Valbonë
E shpallur park kombëtar i kategorisë së Dytë në vitin 1996, me një sipërfaqe totale prej 8 mijë hektarësh, lugina e Valbonës ka potencialin të shndërrohet në asetin më të rëndësishëm turistik në vend, si pjesë e një parku gjigant që do të bashkojë kurorën e Alpeve me Kosovën dhe Malin e Zi. Por as ky status nuk e shpëtoi parkun kombëtar të Valbonës nga ambicia e qeverisë Berisha për ta shndërruar Shqipërinë në superfuqi energjetike rajonale.
Janë tre kontrata koncensionare të firmosura, që parashikojnë ndërtimin e 14 HEC-eve mbi lumin Valbona. Nëntë prej tyre projektohen të ngrihen në 25 kilometrat e para të Valbonës që janë 100% në pjesën e parkut Kombëtar.
Kontrata e parë koncensionare është ajo e firmosur midis ministrisë së Energjetikës dhe subjektit “Tplan” shpk në vitin 2009, ndërkohë që në 2012-ën ka marrë lejen e ndërtimit nga Këshilli Kombëtar i Territorit. Është i vetmi projekt që ka nisur punën në 2013-ën për ndërtimin e një HEC-i me kapacitet 2.3 megavat, më i vogli që parashikohet të ngrihet në këtë zonë.
Vetë kompania “Tplan” pretendon se thjesht po “rindërton HEC-in e Enver Hoxhës”, por banorët janë skeptikë, pasi kanali që po ndërtohet nga “Tplan” është shumë më i madh se sa ka qenë kanali ekzistues, që sipas tyre tregon se uji që ai do të marrë është shumë më tepër.
Investitori Flamur Buçpapaj i shpjegon BIRN se në fakt ai po zbaton një projekt të hartuar nga qeveria shqiptare.
“Projekti që po zbatoj unë nuk është hartuar nga ne, por nga vetë qeveria shqiptare, pasi ka qenë qeveria shqiptare që ka hapur tenderin në 2007-ën për rindërtimin e HEC Valbonë, që ka ekzistuar që në 1969,” tha ai.
“Sigurisht që ky projekt nuk është identik me HEC-in e ndërtuar në 1969, i cili kishte një kapacitet vetëm prej 0.5 megavat, pasi për kaq kapacitet askush nuk ka interes të investojë,” shtoi Buçpapaj.
Buçpapaj thotë se sipas projektit të hartuar nga qeveria, HEC Valbonë do të jetë 85% në gjurmët e HEC-it ekzistues, gjatësia e kanalit do të jetë rreth 500 metra, lartësia e tij do të jetë 2 metra, nga të cilat është e detyrueshme që 60 cm të jenë gjithmonë bosh.
“Sasia e ujit që do të marrim është e përcaktuar në projekt dhe uji nuk do të preket gjatë stinës së verës,” shpjegon Buçpapaj, i cili thotë se dokumentet e para i ka marrë në vitin 2007, ndërsa të fundit në vitin 2016. “Për këtë HEC ne kemi investuar 3 milionë euro dhe në tetor të këtij viti e vëmë në punë,” shtoi ai.
Buçpapaj nënvizoi që kompania e tij nuk ka pasur asnjë pretendim të ngritur, as nga qeveria e mëparshme dhe as nga ajo “socialiste.”
“Siç e shikoni, dokumenti i fundit i firmosur është në vitin 2016, ku unë i paguaj shtetit 45 milionë lekë të vjetra në vit, për 10 vite me radhë për fondin pyjor, ndërsa kam marrë përsipër detyrimin që të mbjell aty ose diku tjetër 2 hektarë pyje,” thotë ai.
Për këtë, Buçpapaj tregon lejen e marrë nga ish komuna Margegaj ku citohet se po ndërton në pronë publike, tokë jo bujqësore por në një zonë shkëmbore dhe me bimësi të rrallë.
Kontrata e dytë koncensionare është ajo e firmosur mes Genc Rulit në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe shoqërisë “Gener 2” sh.p.k, në korrik të vitit 2009.
Kontrata është e formës BOT dhe i ka dhënë të drejtën e zbatimit të projektit për zhvillimin e 4 HEC-eve “Dragobia Energy” sh.p.k, që është 100% në pronësi të kompanisë “Gener 2”.
Në projektin fillestar, fuqia e instaluar parashikohej të ishte 51 megavat ndërsa prodhimi vjetor i energjisë 246 milion kËh, ndërsa vlera totale e investimit përllogaritej 100 milionë euro.
Që të 4 këto projekte janë 100% brenda zonës së parkut natyror. Por ndryshe nga propozimi fillestar për 4 HEC-e të vogla, kompania “Dragobia Energy” ka zhvilluar vetëm dy nga projektet që parashikonte në kontratën koncensionare.
Një raport teknik i hartuar në qershor të 2013-ës u referohet si “HEC Dragobia”.
“Hidrocentrali i Dragobisë në rrethin e Tropojës përbëhet nga dy HEC-e të veçantë, HEC-it të Dragobisë mbi lumin e Valbonës dhe me vepër marrje në kuotën e 670m.m.n.d dhe godinë centrali në kuotën 535 m.m.n.d dhe HEC-it të Çeremit, me vepër marrje në kuotën e Çeremit pranë fshatit Çerem, në kuotën 1112 m dhe me godinë centrali në kuotën e 683 metra, para bashkimit të tij me lumin e Valbonës,” përcaktohet në projektin teknik.
Të dy këto HEC-e parashikohen të kenë një fuqi prej 26.9 megavat. Projekti teknik sqaron se uji do të futet në tubacione për një gjatësi prej rreth 5 km.
“Në HEC-et e kaskadës Dragobia sistemet e derivacionit përbëhen nga tunele pa presion me gjatësi 3090 m për HEC-n e Çeremit dhe 2711 m për HEC-in e Dragobisë. Projekt zbatimi i HEC-eve Dragobi-Çerem në lumin e Valbonës është porositur nga Subjekti “Dragobia Energy” shpk, i cili ka fituar të drejtën e shfrytëzimit hidroenergjitik të këtij lumi në formën e koncensionit të tipit BOT për një periudhë 35 vjeçare”. Kjo kontratë koncensionare, e fimosur në kohën e qeverisë Berisha e ka marrë lejen ndërtimore nga KKT në vitin 2014, në kohën e qeverisë Rama.
Drejtori i “Dragobia Energy”, Gëzim Pani i tha BIRN që për shkak të shqetësimeve mbi ndikimin në mjedis, kompania e ka reduktuar numrin e HEC-eve të projektuara për ndërtim nga 4 në 2.
“Projekti ynë fillestar në Dragobi përbëhej nga 4 hidrocentrale. Duke vlerësuar ndikimin e madh në mjedis të dy prej tyre, në bashkëpunim me ministrinë e Mjedisit dhe ministrinë e Ekonomisë, ne e ndryshuam projektin duke eliminuar veprat qe kishin impakt negativ,” tha Pani.
“Pas shumë analizash të thelluara nga të dyja palët është rënë dakord që të zhvillohen vetëm dy prej tyre, pa ndikuar negativisht si në parametrat mjedisore, ashtu dhe në ato ekonomikë,” shtoi ai, duke nënvizuar që punimet do të nisin shumë shpejt dhe se vlera totale e investimit kap shumën e 2.4 miliardë lekëve të reja.
Kontrata e tretë koncensionare është firmosur nga zv.ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjitikës, Enno Bozdo dhe shoqëria koncesionare “Valbona Project Company” sh.a., në datë 15.08.2013.
Kjo është një ndër kontratat më të debatuara për shkak se është firmosur në fund të mandatit të qeverisë Berisha, në muajin gusht të 2013-ës, ndërsa në shtator erdhën në pushtet socialistët. “Valbona Project Company” sh.a është 99% në pronësi të “4A-AL” dhe 1% në pronësi të kompanisë kanadeze “AECOM” (më parë e njohur si RSE). “Valbona Project Company”, ka licencë për ndërtimin e 9 HEC-eve mbi lumin e Valbonës dhe përrenjtë e saj.
Bozdo i tha BIRN se koha kur është firmosur kontrata midis qeverisë dhe koncesionarit nuk ishte arsye e mjaftueshme për ta sulmuar projektin.
“Nëse do ta sulmosh, duhet të shikosh nëse është bërë procedura sipas ligjit dhe a është respektuar e gjithë procedura” tha ai. “Konkretisht procedurat për HEC-in e Valbonës kanë nisur në vitin 2010, unë kam firmosur në mes të 2013 kur ishte edhe përfundimi i procesit. E konsiderojnë vendim politik, pasi qeveria Berisha ishte në ikje, por kjo nuk është një leje kioske,” shtoi Bozdo.
Fuqia parashikohet të jetë 51 megavat, ndërsa prodhimi vjetor 245 milionë KWh. Tre prej HEC-eve parashikohet të ndërtohen 100% brenda parkut Kombëtar të Valbonës, ndërsa 6 të tjerët nga Shoshani në Bujan, ku do të krijohet edhe një liqen i madh. Kjo kontratë është ende në pritje të lejes së ndërtimit nga KKT-ja.
Gjatësia e lumit që do të futet në tunel parashikohet të jetë rreth 12.1 km. Në total, nëse realizohen të dy lejet koncensionare, ajo e “Dragobia Energy” dhe e “Valbona Energy Project” parashikojnë që lumi i Valbonës të futet në tunel për më shumë se 17 km përgjatë 50 km të gjatësisë së tij.
Por edhe ky projekt duket se do të pësojë ndryshime drastike dhe në fund do të ndërtohen jo më 9, por vetëm 3 HEC-e.
“Ne kemi kërkuar dhe projektuar vetë një reduktim nga ku rezulton që vetëm një HEC do të jetë brenda Parkut Kombëtar. Gjithashtu, kemi hequr nga projekti versionin me digë, për të minimizuar në maksimumin e mundshëm impaktin në mjedis,” i tha BIRN “Valbona Project Company” nëpërmjet një përgjigje me shkrim.
Pavarësisht këtyre projekteve ambicioze të investitorëve për zhvillimin e hidrocentraleve në Valbonë, banorët e kësaj zone pretendojnë se kanë qenë në errësirë të plotë në lidhje me planet për ta shndërruar luginën në një sektor prioritar të energjisë.
“Ne nuk dinim asgjë. E kuptuam vetëm kur erdhën fadromat dhe na thanë se po rindërtojnë HEC-in e kohës së monizmit, por aty po ndërtohet një kanal i madh me diametër 3 metra, shumë më i madh se sa ishte ai ekzistuesi,” tregon Catherine me shqipen e saj të pastër.
Ajo thotë se askush nuk i ka pyetur apo të ketë marrë mendimin e tyre. Kur banorët më në fund e morën vesh, ata filluam të kërkonim kudo, në bashki, komunë, ministri Mjedisi, zyrë rajonale mjedisi dhe kuptuan që HEC-i që po ndërtohej ishte vetëm maja e ajsbergut.
“Në janar të këtij viti mësuam se përveç atij ishin miratuar edhe 4 projekte të “Dragobia Energy” dhe më e tmerrshmja ishte se ndërsa kërkonim për lejet mjedisore të tyre, mësuam se ishte edhe një licencë tjetër që parashikonte ndërtimin e 9 HEC-eve të tjera… katastrofë,” thotë Catherine.
“E kuptoni se çfarë kanë bërë këta? – pyet Kol Gjoni. “I kanë lënë çelësat e Valbonës dhe çdo përroi të saj në dorë këtyre kompanive private.”
Kola anokohet se biznesmenët duan të marrin të gjithë ujin e lumit dhe ta fusin në tubacione, duke i lënë banorët në thatësirë.
Banorët janë të bindur që HEC-et do të shkatërrojnë lumin, duke e vendosur atë në tuba gjigandë. Si pasojë, çdo gjë rreth e rrotull tij do të vdesë.
“Këta janë ato kuçedrat që pijnë ujin dhe lënë banorët pa ujë, siç na i kanë treguar të parët në përralla,” thotë ai.
Probleme me dokumentacionin
Edhe pse të 14 HEC-et e projektuara në luginën ë Valbonës kanë marrë miratimin e ministrisë së Mjedisit dhe agjencive të saj, ekspertët mendojnë se dokumentacioni i përgatitur dhe i paraqitur në të gjitha kontratat koncensionare pranë organeve kompetente lë për të dëshiruar.
“Lejet mjedisore janë qesharake dhe plot mangësi,” shpjegon Abdulla Diku, ekspert i zonave të mbrojtura mjedisore.
Sipas Dikut, një kompani që ka parashikuar të investojë 15-20 milionë euro, të paktën duhet të tregojë seriozitet dhe profesionalizëm kur harton një projekt.
Diku thotë se autorët që ka përgatitur dokumentin e lejes mjedisore për “Dragobia Energy,” kur flasin për ndikimin në mjedisin e Luginës së Valbonës, citohen të thonë mes të tjerave që: ” Zbatimi i projektit për ndërtimin e HEC-it në komunën e Tropojës do të ndikojë pozitivisht në peizazhin ku ai do të zhvillojë aktivitetin.” (Raporti i Ndikimit në mjedis të “Dragobia Energy.” fq 44).
“A ka logjikë kjo?” pyet Diku. Sipas tij, gafat në lejet mjedisore janë nga më absurdet. Për shembull, ekspertët që kanë hartuar raportin e ndikimit në mjedis të “Valbona Project Company” shkruajnë se” ka zogj, kafshë, peshk e të tjera lloje endemike apo ekzotike .” (fq 35)
Për shkak të këtyre gafave, por edhe sepse mendojnë se gjatë hartimit të raporteve të ndikimit në mjedis nuk është paraqitur me vërtetësi se si do të ndryshojë i gjithë ekosistemi i zonës nga ndërtimi i këtyre HEC-eve, një grup prej 8 ekspertësh të pavarur kanë hartuar një oponencë teknike të Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis të projektit të “Dragobi Energy.”
“Nga vështrimi dhe studimi i VNMKD (Raporti) është konstatuar se Vlerësimi i Ndikimit në Mjedispërmban shumë mangësi dhe konkluzione me të meta serioze,” thuhet në raportin e tyre.
“VNM-ja është sa amatore, po aq dhe jo reale, madje megjithëse konsiderohet VNM, ajo s’ka prekur asgjë nga mjedisi, si ai peizazhor, klimaterik (sa do të reduktohet avullimi, sa do të zvogëlohet niveli i oksigjenit në ujë, kush janë llojet dhe habitatet që preken etj.)” shton raporti.
Bazuar në rishikimet e ekspertëve të pavaruar të fushave të ndryshme – duke përfshirë ekologjinë, florën dhe vegjetacionin, faunën, peizazhin, aspektet sociale dhe etike – studimi gjeti se ndikimi i dy hidrocentraleve në kaskadën e Dragobisë mbi florën dhe faunën tokësore e ujore është i fuqishëm, ndërkohë që ka pasur të meta serioze në metodologjinë dhe strukturën e VNM-së, neglizhim të përgjithshëm të ndikimeve, analizë sipërfaqësore të masave zbutëse (e ndikuar kjo nga mungesa e të dhënave), analiza sipërfaqësore (madje mungesë) të ndikimeve të devijimeve dhe zvogëlimit te rrjedhës së ujit mbi larminë biologjike të ujërave të ëmbla dhe habitateve përreth.
“Devijimet e ujit përmes tuneleve dhe zvogëlimi i sasisë së ujit në shtratin lumor do të shoqërohet me pasoja mjedisore të pariparueshme,” thonë ekspertët në raportin prej 15 faqesh, që i është dërguar që prej një muaji ministrisë së Mjedisit dhe i kërkohet që të rishikohet edhe një herë kjo leje mjedisore.
Zamir Dedej, kreu i Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura, shpjegon se e ka marrë në dorë këtë raport dhe se po përpiqen që të gjejnë zgjidhjet se si mund të veprohet në këto raste.
“Jam shumë dakord që leja e mjedisit e marrë në 2013-ën për HEC-et e Çeremit dhe Dragobisë ka disa non sense. Nuk ka analiza, nuk përmendet fare që jemi park kombëtar, analiza dhe të dhënat e sasisë hidrologjike shpesherë janë të gabuara,” tha ai.
“Por nga ana tjetër, ligji thotë që lejen e mjedisit mund ta kundërshtosh deri në një muaj pasi është paraqitur, gjë që nuk është bërë,” shtoi Dedej.
Sipa Dedejt, ministria e Mjedisit dhe Këshilli i Ministrave duhet të marrin një vendim për ta hedhur poshtë këtë leje, por për shkak se kontrata është firmosur nga ministria e Ekonomisë, kjo vendimmarrje është ligjërisht komplekse sepse mund të jetë pikënisje nga koncesionari për një padi civile kundër qeverisë.
“Në këtë pikë, i kemi duart e lidhura, por megjithatë ne kemi bërë gati vërejtjet tona në aspektin mjedisor për këto leje, dhe po i dërgojmë pranë të gjitha institucioneve për të parë nëse së paku mund të rishikohen këto kontrata,” tha Dedej.
“Unë vazhdoj të përsëris, dhënia e këtyre lejeve koncensionare ka qenë një vendimmarrje vetëm politike, dhe duhet prapë vetëm një vendimmarrje politike për ta zgjidhur këtë çështje,” shtoi ai.
Gëzim Pani, dretori i “Dragobia Energy” shprehet se VNM-ja e analizuar nga ekspertët e pavaruar është vetëm një nga VNM-të e shumta të projektit, i cili ka një dosje voluminoze kur vlerësohet ndikimi i tij në mjedis.
“VNM-ja është përpiluar e shqyrtuar nga dy grupe të ndryshme ekspertësh të licencuar nga ministria e Mjedisit. Gjithashtu, VNM-ja ka kaluar shumë filtra institucionale nga ekspertë të ndryshëm, ka pësuar ndryshimet e nevojshme dhe është aprovuar më shumë se njëherë,” tha Pani.
Ai i ftoi ekspertët e pavarur që kanë shqetësime në lidhje me VNM-në t’ia drejtojnë shqetësimet e tyre kompanisë; megjithatë, shtoi se jo çdo oponencë mund të jetë e saktë.
“Ne kemi kaluar me sukses disa vlerësime të VNM-së dhe fakti që ka një oponencë që nxjerr shkelje, nuk do te thotë që domosdoshmerisht ka shkelje – kjo e thënë pa paragjykuar aftësitë e ekspertëve që kanë bërë këtë oponencë vullnetare,” nënvizoi Pani.
Për kompaninë “Valbona Energy Company”, kontestimet e ngritura nga aktivistët mjedisore për projektin e saj janë të pabaza dhe po bëhen vetëm për të bërë zhurmë.
“Pretendimet e ngritura nga ambientalistët mbi VNM-në nuk janë të vërteta, është pretendim subjektiv me tendencën e mirëfilltë për të qenë i zhurmshëm,” tha kompania.
“Vetëm një pjesë e projektit do të zhvillohet brenda zonës së mbrojtur, dhe kjo pjesë është marrë parasysh që në dokumentat standarde të tenderit, ku paraqiten terma të cilat janë detyrime kontraktuale,” shtoi kompania.
Konsultime me të “vdekurit?”
Konsultimet me publikun janë një tjetër pikë e ‘nxehtë” e debatit për vlefshmërinë e dokumentacionit që kanë paraqitur firmat koncensionare.
“Dragobia Energy” ka paraqitur si provë një listë me firmat e 20 personave, ndërsa ai i “Valbona Energy Company” është mjaftuar vetëm me 12 firma. Por pas publikimit të këtyre listave emërore, banorët kanë reaguar duke thënë se firmat janë falsifikuar.
Agim Gjyryqi, më 11 prill kishte dalë në sheshin e Bajram Currit për t’iu bashkuar protestës për mbrojtjen e Valbonës nga HEC-et. Aty mësoi për herë të parë se e kishte emrin në listën e banorëve që kanë kanë fimosur dhe i kanë dhënë miratimin subjektit “Valbona Project Company” sh.p.k që të ndërtojë 9 HEC-e në kaskadën e Valbonës. E takuam në protestë Agimin dhe ishte krejtësisht i habitur kur pa emrin në listë.
“Unë jam banor i qytetit të Bajram Currit dhe nuk kam asnjë lidhje me zonën ku po ndërtohen këto HEC-e. Kështu që nuk ka përse më kërkohet mua mendim të ndërtohet apo jo aty… Unë nuk kam firmosur asnjë letër dhe as kam qenë në ndonjë takim, por edhe sikur të kisha qenë nuk do të kisha firmosur asnjëherë,” tregon Agim Gjyryqi.
Por ky nuk është rasti i vetëm. Catherina Bohne pretendon se i tillë është edhe rasti i banorit Ram Aliaj nga fshati Dragobi, që rezulton që pas konsultimeve të zhvilluara nga “Dragobia Energy”, të ketë firmosur më 3 prill të 2013, duke i dhënë miratimin për ndërtimin e HEC-it në fshatin e tij. “Në të vërtetë, ky person ka vdekur më 5 prill të 2010-ës, siç edhe vërtetohet nga certifikata e tij e vdekjes,” thotë Catherine duke na treguar certifikatën e vdekjes.
Gëzim Pani, që ka drejtuar prej fillimit projektin “HEC Dragobia”, në një reagimin zyrtar nga Gener2 i thotë BIRN se “publiku është njoftuar sipas ligjeve në fuqi. Personave prezentë u është shpjeguar projekti dhe ashtu siç e parashikon ligji u është kërkuar të vendosin emrin dhe firmën me dëshirë dhe vullnet të lirë”.
Ndërsa “Valbona Energy Project” i tha BIRN se nëse dikush ka kryer një proces të rremë identifikimi, atëherë përgjegjësia është individuale.
“Nga ana jonë janë kryer të gjitha detyrimet ligjore me korrektesë, duke organizuar konsultimin, ftuar komunitetin vendas, që kanë plotësuar dhe firmosur vetë të gjitha gjeneralitetet, prezantuar projektin e të tjera me radhë. Në qoftëse ndonjë nga personat e pranishëm, me dije, me keqdashje apo për mungesë pjekurie, mund të ketë kryer një proces të rremë identifikimi, përgjegjesia nuk mbetet mbi ne.”
Për shkak të pretendimeve për abuzime në tërësi gjatë procedurave të konsultimit publik, autoritet e kanë parë të domosdoshme ta ndryshojnë duke forcuar rregullat. Tashmë nuk do të jetë vetëm një konsultim i thjeshtë, por banorët duhet të lëshojnë një deklaratë koncensioni dhe të firmosin një për një deklaratën dhe jo në grup.
Kush do të ndërtojë në Valbonë?
Kompania Gener2, që është në pronësi të biznesmenti të njohur Bashkim Ulaj duket se do të ndërtojë pjesën më të madhe të HEC-eve mbi lumin Valbonë. Zyrtarisht, Gener2 shprehet se ajo është zhvilluese dhe ndërtuese vetëm e 2 HEC-eve dhe konkretisht HEC Dragobia dhe HEC Çerem,nëpërmjet kompanisë së saj “Dragobia Energy” .
“Përsa i përket numrit të hidrocentraleve që do të ndërtohen në lumin e Valbonës, në rradhë të parë duhet sqaruar që ne si kompani kemi një projekt të vetëm me 2 hidrocentrale dhe nëqoftëse ka 12 hidrocentrale të tjera për t’u ndërtuar, atëherë duhet t’u drejtoheni kompanive përkatëse,” tha kompania Gener2 për BIRN.
Por duket se Gener2 është edhe pas projekteve që do të zhvillojë “Valbona Project Company”, e cila sipas ekstraktit të QKR-së rezulton të jetë themeluar në gusht të 2010-ës.
Andri Kasneci, i cili është administrator i “Valbona Project” që nga 9 janari i 2014-ës, ka qenë për tre vite me radhë drejtor i prokurimeve pranë Gener 2, konkretisht për periudhën korrik 2010- gusht 2013.
Si për koicidencë, edhe kontrata koncensionare e “Valbona Project” është firmosur pikërisht në gusht të 2013-ës, ndërsa procedurat për projektin kanë nisur që në vitin 2010. Një tjetër “rastësi” që i lidh këto dy kompani është edhe fakti se numri i telefonit fiks që “Valbona Project” ka deklaruar në ekstraktin e QKR-së i përket kompanisë Gener2.
BIRN e mësoi këtë fakt gjatë përpjekjeve për t’i marrë një reagim mbi kontestimet e projektit administratorit Kasneci, por në anën tjetër të receptorit u përgjigj një vajzë: “Alo Gener2, me çfarë mund t’u ndihmojmë”.
Vetë kompania Gener2 e mohon që të ketë lidhje me kompaninë dhe projektet që po zhvillon “Valbona Project” dhe shpjegon se e vetmja lidhje mes tyre është fakti që janë asistuar nga e njëjta kompani e huaj për hartimin e projektit. Ndërsa sa i përket numrit të telefonit fiks, Gener2 shprehet se do të kërkojë menjëherë që të ndryshohet kjo e dhënë në QKR.
Kompania e tretë që do të ndërtojë mbi gjurmët e HEC-it të kohës së komunizmit është “Tplan,” në pronësi të Flamur Bucpapaj, një biznesmen i njohur në fushën e ndërtimeve.
Turizëm vs. Energji
Në shtator të 2015-ës, Qendra Rajonale e Mjedist (REC) përgatiti një studim alternativ për ndikimin social, ekonomik dhe mjedisor të HEC-eve të vegjël në rrjedhjet ujore në Shqipëri, ku është përpjekur të bëjë një analizë midis asaj që përfitojmë dhe humbasim nga ndërtimi i HEC-eve.
Sipas REC, kontributi i sektorit të energjisë elektrike si rrjedhojë e licencimit të mbi 500 HEC-eve të vegjël, të mesëm dhe të mëdhenj mendohet të jetë vetëm 2% e Prodhimit Kombëtar Bruto, PKB, ndërsa kontributi total i turizmit në PKB-në e vendit mendohet se ishte 13.9% për 2013.
“Nga këto shifra mund të arrijmë në përfundimin e përgjithshëm se licencimi për zhvillim të HEC-eve në zona siç janë parqet kombëtare, zonat e mbrojtura dhe zonat me vlera të larta turistike përveçse përbën një dëm mjedisor me ndikim negativ të drejtpërdrejtë në ekonominë dhe punësimin në vend, kryesisht ekoturizmit, turizmit natyror, ujor dhe më gjerë,” shkruan REC.
Për deputetin e Partisë Socialiste, Besnik Baraj, anëtar i komisionit të veprimtarisë prodhuese dhe pjesë e departamentit të kimisë në fakultetin e shkencave të Natyrës, ndërtimi i HEC-eve në një zonë të mbrojtur me ligj është krejtësisht absurd.
“Nuk ka pse të komprementohet një zonë e tillë, pasi në këtë rast është kompromentuar edhe legjislacioni shqiptar që parashikon ndërhyrjet në zonat e mbrojtura të bëhen në harmoni në mjedisin,” tha Baraj.
“Natyra është i vetmi avantazh që ne kemi, por ne po duam ta shkatërrojmë me duart tona. Unë nuk e di se çfarë mund të ofrojë Shqipëria në fushën e turizmit përveç natyrës së paprekur. Turistët nuk vijnë se kemi komoditet më të mirë në hotele, pastërti më të madhe, etj,” shtoi Bare.
Kreu i shoqatës së Energjisë së Rinovueshme, Mihail Caci, thotë se qeveria shqiptare ka treguar një mungesë vizioni në lidhje me projektet hidroenergjetike në zona të mbrojtura dhe është ajo që duhet të mbajë përgjegjësi për lejet që janë dhënë dhe jo investitorët.
“Edhe Lura është Park i mbrojtur, por të gjithë e dimë se çfarë ka ndodhur me të, dhe aty nuk projektohet të ndërtohet asnjë HEC. Qeveria, pasi ka ngritur dhjetra agjenci, ka nxjerrë qindra ligje, akte nënligjore e udhëzime që rregullojnë procedurat e koncensioneve, kujt ia kërkon këtë përgjegjësi?”- pyet Caci.
Sipas Cacit, shumica e investitorëve në hidroenergji nuk janë seriozë, por edhe pse koha për të realizuar investimin e tyre ka kaluar, qeveria vazhdon t’u rinovojë licencat ose të miratojë ndryshime në projekt. Caci vuri në pikëpyetje edhe idenë që HEC-et në Valbonë duhet të anulohen, sepse ndikojnë negativisht turizmin.
“Edhe këtu unë kam një pyetje: a ka ndonjë plan se ku dhe kur do të investohet për turizmin? Nëse heqim këto 200 milionë euro investime nga HEC-et në Valbonë, nga turizmi ç’plan kemi?”
Sipas tij, të dyja palët, si qeveria edhe biznesi nuk janë treguar seriozë për sa i përket lejeve koncesionare për ndërtimin e HEC-eve.
“Të mos harrojmë se nga 526 HEC-e, vetëm 70 prej tyre janë vënë në punë apo janë në proces investimi, pra për mendimin tim vetëm këto 12% janë investitorët seriozë, ndërsa pjesa tjetër janë investitorë joseriozë që e kanë biznes një leje koncensioni dhe në çdo kafene që të dalësh shitet nga një hidrocentral. Po ashtu dhe institucionet shtetërore që japin kaq shumë dhe pa kriter nuk janë seriozë,” përfundoi ai.
Megjithatë, Gëzim Pani i “Dragobia Energy” i tha BIRN që zhvillimi i projekteve energjitike në luginën e Valbonës, ndryshe nga sa perceptohet, nuk është në dëm të turizmit lokal.
“Përkundrazi, në sajë të këtij projekti do të rehabilitohen disa dëmtime në mjedis, si mbushje gropash, mbjellje pemësh, sistemime të vendeve ku ka rrëshqitje, etj, gjë që e bën zonën më estetike dhe më atraktive për turistët,” tha ai.
I të njejtit mendim është dhe kompania tjetër, “Valbona Energy Company,” e cila i tha BIRN që kundërshtia e banorëve dhe aktivistëve mjedisorë kundër projektit ishte “miopike.”
“Veprat e ndërtuara nuk cënojnë turizmin, nuk dëmtojnë ambientin. Të ardhurat e siguruara nga turizmi i zonës, pa i nënvlerësuar ato, nuk krahasohen me vlerën e madhe të parave të derdhura për bizneset lokale nga ndërtimi i këtyre projekteve,” tha kompania.
Sipas “Valbona Energy Company” vetëm vlerat e tatimeve që do të paguhen në shtet nga këto projekte tejkalojnë të ardhurat e gjithë turizmit në zonë.
“Mos harrojmë të theksojmë se taksat që derdhen tek pushteti lokal rrisin mundësitë për zhvillimin e projekteve në shërbim të banorëve. Zinxhiri i të mirave që burojnë nga projektet është i madh dhe është subjekt i gjatë diskutimi dhe studimi,” tha kompania.
Në kërkim të zgjidhjeve
Përballë kundërshtimeve të banorëve, akuzave për paligjshmëri dhe pretendimeve të investitorëve se i kanë të gjithë letrat në rregull, konflikti i krijuar në Alpet Shqiptare nga ëndrrat e autoriteteve për energji të lirë përbën një sfidë që nuk është e thjeshtë të zgjidhet.
E pyetur nga BIRN, qeveria pohoi se po eksploron të gjitha mundësitë për të gjetur një zgjidhje që kënaq si investitorët, por edhe banorët e aktivistët që e kundërshtojnë investimin.
“Do të ishte e tepërt t’i kërkoje kësaj qeverie llogari për gjëra që janë bërë më parë dhe që do duan kosto të mëdha financiare për t’i zhbërë. Gjithësesi, ne jemi të gatshëm të gjejmë një zgjidhje që është edhe në ekuilibër me kërkesat që ka shoqëria,” tha Dardan Malaj, zëdhënës i ministrisë së Energjisë.
Malaj shtoi se për shkak të shqetësimeve të ngritura nga organizatat mjedisore, aktivistë të pavarur dhe banorët e Valbonës, qeveria ka ngritur një grup pune për të adresuar zgjidhjen e konfliktit.
“Unë nuk dua të flas para kohe, por po shikohen të gjitha mundësitë se si mund të zbuten, pakësohen e zgjidhen problematikat e krijuara në harmoni qoftë me investitorët, zgjidhje që të jetë e pranueshme edhe për banorët dhe që patjetër të mbrojë mjedisin,” shtoi Malaj.
Megjithatë një zyrtar që është pjesë e negociatave i tha BIRN se institucionet janë angazhuara që të gjejnë zgjidhje me sa më pak kosto dhe jo domosdoshmërisht më të volitshmen.
“Ministria e Mjedisit, ministria e Bujqësisë që ka marrë administrimin e ujrave, ministria e Energjetikës dhe të gjitha institucionet e varësisë po përpiqen të gjejnë një zgjidhje me kosto minimale. Së pari, po negociojmë me ndërtuesit, nëse mund të gjendet mundësia që të spostohen në zona më pak sensitive. Së dyti, çdo HEC-i do t’i vendoset një matës uji, për të monitoruar kështu sasinë e ujit që do të marrë nga rrjedha ujore,” tha zyrtari që kërkoi të mbetej anonim, sepse nuk ishte i autorizuar të fliste.
Ndërkohë, Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura ka bërë tashmë gati planin e menaxhimit të parkut kombëtar Valbonë, që ndonëse ka hasur fillimisht në disa kundërshti nga ministria e Energjetikës, do të kalojë në qershor për firmë në Këshillin e Ministrave.
“Por edhe ky plan menaxhimi, do ta mbrojë zonën që nga momenti i miratimit e tutje, ndërsa nuk ka efekt për kontratat e nënshkruara më parë”, – na shpjegon i njëjti burim.
Dëshira e qeverisë për të hyrë në negociata dhe për të parë mundësitë për rikonfigurimin e projekteve duket se nuk do të jetë një alternativë që koncensionarët do ta marrin në konsideratë. Gener2 i tha BIRN se ata e kanë riparë njëherë projektin dhe kontrata e tyre koncensionare ka klauzola të qarta.
“Me autoritet shtetërore ne kemi një kontratë koncesionare me klauzola shumë të qarta dhe të mbështetura mbi legjislacionin përkatës. Për ne dhe për autoritetet ka një marrëdhënie që është ligjore,” tha Pani.
“Valbona Energy Company” nuk ka marrë ende leje ndërtimi nga Këshilli Kombëtar i Territorit, por edhe në këtë pikë Malaj pretendon se shteti i ka duart e lidhura.
“Shqyrtimi i aplikimeve për dhënie leje ndërtimore nga KKT-ja është një fazë proceduriale e cila bazën e ka tek kontrata koncensionare që ia ka dhënë të drejtën subjektit,” u shpreh ai.
“Rrjedhimisht, KKT-ja nuk mundet që të refuzojë dhënien e një leje ndërtimore pa patur shkaqe të arsyeshme ligjore. Në të kundërt, konsiderohet si pengesë e njëanshme e ushtrimit të të drejtës së fituar nga subjekti përmes kontratës koncensionare,” shtoi Malaj.
Ndryshe nga ai, Baraj i tha BIRN se në këto kushte, qeveria ka mjaftueshëm argumente për t’i anuluar lejet koncensionare në këtë zonë.
“Mendoj që aty ka kaq shumë shkelje, saqë këto koncensione janë të kompromentuara dhe qeveria mund të ketë argumente për t’i anuluar,” tha Baraj.
Sipas Barajt, ndërtimi i HEC-eve është miratuar në një zonë shumë sensitive ku ndalohen me ligj ndërhyrje të kësaj natyre. Ai thotë gjithashtu se lejet mjedisore janë bërë shkel e shko, sepse nuk është parë efekti akumulativ i HEC-eve.
“Duke qenë se në një gjatësi shumë të shkurtër parashikohen 14 HEC-e, ata nuk mund shihen si të shkëputur nga njëri-tjetri. Studimet e vlerësimit në mjedis që unë kam parë në shumë raste janë ‘copy paste’ aq sa shumë herë kanë edhe gafa skandaloze,” thotë ai.
Baraj nënvizon se në këto projekte nuk është respektuar transparenca dhe firmat e konsultimeve publike janë falsifikuar.
“Ne duhet të bëjmë një bilanc numerik të asaj që fitojmë dhe asaj që humbin dhe ajo që humbasim nga mosshfrytëzimi i kapaciteteve turistike është jashtëzakonisht e madhe,” përfundoi ai.
Për profesor Aleko Mihon, nëse qeveria ka një vizion për zhvillim të qëndrueshëm, projektet e HEC-eve duhet të largohen nga Valbona.
“Ne po ecim qorrazi nëpër këto kontrata,” i tha ai BIRN.
Ndërsa Olsi Nika, një tjetër aktivist mjedisor që e ka kthyer çështjen e Valbonës në kauzë të rëndësishme, i ka shpresat tek plani i menaxhimit të Parkut.
“E gjithë kjo ka ndodhur pasi mungonte plani i menaxhimit , që përcakton zonat ku mund të ndërhyhet dhe çfarë mund të ndërhyhet. Ai tashmë është gati dhe miratimi i tij do ta shpëtonte Parkun e Valbonës,” thotë Nika.
“Ne nuk duam të kënaqemi se nga 14 projekte të paraqitura do të ndërtohen vetëm 6 HEC-e, nga të cilat 4 do të jenë brenda parkut Kombëtar. Ne duam që brenda kësaj zone të mos ndërtohet asnjë HEC dhe ne për këtë do të luftojmë,” tha ai.
BIRN/ Esmeralda Keta