Ministria Turke e Mbrojtjes Kombëtare njoftoi sot vendosjen e një sistemi mbrojtës ajror Patriot në qytetin Malatya, ku ndodhet edhe baza e radarit Küreçik, si pjesë e forcimit të masave të mbrojtjes ajrore të NATO-s në rajon për shkak të zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme.
“Forcat e Armatosura Turke janë plotësisht të përkushtuara për të siguruar sigurinë e vendit tonë dhe të qytetarëve tanë. Në dritën e zhvillimeve të fundit në rajonin tonë, po merren masat e nevojshme për sigurinë e kufijve dhe hapësirës ajrore tonë dhe po zhvillohen konsultime me NATO-n dhe aleatët tanë,” thuhet në deklaratën e ministrisë.
Sipas njoftimit, vendosja e sistemit Patriot synon të forcojë mbrojtjen e hapësirës ajrore turke dhe të mbështesë masat e përforcuara të NATO-s: “Përveç masave kombëtare që kemi marrë, NATO ka rritur masat e mbrojtjes ajrore dhe raketore. Në këtë kontekst, një sistem Patriot është vendosur në Malatya për të mbështetur mbrojtjen e hapësirës sonë ajrore.”
Ankaraja thekson se po monitoron nga afër zhvillimet në rajon dhe vazhdon të koordinohet me aleatët e saj të NATO-s: “Duke ruajtur aftësitë e saj të mbrojtjes dhe sigurisë në nivelin më të lartë, vendi ynë do të vazhdojë të vlerësojë zhvillimet në bashkëpunim dhe konsultim me NATO-n dhe aleatët tanë dhe të ndjekë paqen dhe stabilitetin rajonal,” përfundon deklarata e Ministrisë së Mbrojtjes Turke.











