Papa Leo XIV ka përsëritur thirrjen e tij për paqe në Lindjen e Mesme, duke kërkuar ndalimin e menjëhershëm të dhunës dhe rikthimin e dialogut mes palëve në konflikt.
Gjatë lutjes së tij javore në Vatican, Papa u shpreh se për dy javë me radhë popujt e rajonit kanë vuajtur pasojat e rënda të luftës.
“Të dashur vëllezër dhe motra, për dy javë popujt e Lindjes së Mesme kanë vuajtur dhunën e tmerrshme të luftës. Mijëra njerëz të pafajshëm janë vrarë dhe shumë të tjerë janë detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre”, tha ai.
Ati i Shenjtë theksoi se është pranë të gjithë atyre që kanë humbur familjarët e tyre në sulmet që kanë goditur shkolla, spitale dhe zona të banuara. Ai u bëri thirrje përgjegjësve të konfliktit që të ndalin përshkallëzimin e dhunës.
“Në emër të të krishterëve të Lindjes së Mesme dhe të të gjitha grave dhe burrave me vullnet të mirë, u drejtohem atyre që janë përgjegjës për këtë konflikt. Armëpushim! Le të rihapen shtigjet e dialogut”, u shpreh Papa.
Sipas Papës, dhuna nuk mund të sjellë kurrë drejtësinë, stabilitetin dhe paqen që popujt e rajonit presin.











