Partia Demokratike ka qenë e lidhur ngushtë me krimin dhe trafikun e drogës, ndaj sot akuzon dhe baltos policinë e shtetit. Kështu i ka shpjeguar Kryeministri Edi Rama sulmet e pafundme të opozitës ndaj qeverisë dhe uniformave blu për luftën anti-kanabis, gjatë konferencës së Ministrisë së Brendshme ku u prezantuan rezultatet e deritanishme të aksioneve të Policisë.
Në fjalën e tij Rama theksoi se vetëm në 2 vite qeverisje është asgjësuar drogë e mbjellur në vendin tonë, sa nuk ishte asgjësuar në 8 vite të qeverisjes së djathtë. Sipas tij, Ministrat e PD po “flinin mbi kanabis” pasi ishin të lidhur ngushtë me trafikun e narkotikëve.
Jo vetëm kaq, por për shefin e qeverisë, PD ka përfituar gjatë qeverisjes së saj miliarda euro duke lejuar trafikun e drogës. Për këtë arsye, siç nënvizoi Rama, sot opoita me logjikën e saj hedh baltë ndaj punës së Policisë së Shtetit.
Sipas Kryeministrit, kur dëgjon selinë blu të flasë për akuza ndaj Policisë, të bën të mendosh se ata flasin nën efektin e narkotikëve, për shkak se gjatë 8 viteve qeverisje e lejuan atë.
“Sa më shumë vendet, policitë e ndryshme në të gjithë globin, drejtuesit e tyre, janë përpjekur të luftojnë dhëmbë për dhëmbë me këtë industri kriminale, aq më shumë është rritur sasia e baltës nëpër media. Pse? Të jetë thjesht politike? Ka plot rrugë të tjera për të bërë betejë politike. Nuk jemi dhe nuk ka qeveri të përsosur që opoita do të duhet të shpike përditë. Kjo nuk ka vend sepse në shifrat e ekspozuara nga ky operacion flitet për rrënjë, për hektarë, për sasira droge. Por ato përkthehen në euro. Janë miliarda që deri dje shkonin diku, sotnuk shkojnë më. Dhe ky është një operacion që ka prekur interesa kolosale. Nëse do të ndiqnim logjikën e opozitës, sepse është bërë modë në Shqipëri, edhe pse unë e kam neveritur, çfarë duhet të thonim për Ministrat e Brendshëm që sot predikojnë sikur të ishin ëngjëj të anti-drogës të rënë nga qielli i virtyteve. Pse kanë fjetur gjumë gjatë kësaj kohe? Logjika e tyre është se kanë qenë kokë e këmbë të lidhur me këtë industri kriminale. Me logjikën e tyre kanë përfituar miliona e miliarda. Me logjikën e tyre duhet të ishin sot të parët për dëmin kolosal që i kanë bërë Shqipërisë duke mos reaguar asnjëherë ndaj kërkesave të përsëritura të palës italiane. Por logjika e tyre është e tyre. Sepse ata flasin sikur të jenë nën ndikimin e drogës.” theksoi në fjalën e tij.
Kryeministri përsëriti shifrat e rezultateve të luftës anti-kanabis, ndërsa u shpreh se këto nuk i ka nxjerrë qeveria por Guardia di Finanzia
“Duhet të jetë shumë dekurajuese për ju, që si policë të ngrihen dyshime se po shkojmë si “mish për top”, duke dëgjuar akuzat e opozitës se ministri dhe qeveria qenka e lidhur me të gjithë aktivitetin kriminal. Është vërtetë për t’u ndjerë thellësisht keq si shqiptarë kur dëgjon shqiptarë, njerëz me pushtetin e të pasurit mikrofon, laps në dorë dhe një dritare nga ku përçojnë informacion që marrin pjesë kolektivisht në këtë përbaltje të madhe. Se në rastin më të mirë, minimumi duhet të heshtin. Së paku me Policinë e Shtetit nuk duhet të merreshin nëse goja nuk ua thotë dot të mbështesin të gjithë ata burra dhe gra që nisen çdo mëngjes në këtë mision. Se nuk është sasia e mbjellë e drogës, që është 8 herë më e vogël në raport me 2013, por akoma më e tmerrshme është se sa janë shkatërruar gjatë 2013 dhe gjatë këtij viti. Vetëm 7% të gjithë sasisë së mbjellë është shkatërruar në 2013, dhe pjesa më e madhe në 3 muajt e fundit kur ne morëm detyrën dhe shpallëm këtët luftë. Ndërkohë që janë 94.2% më shumë bimë narkotike të shkarkuara, dhe kjo nuk është shifër e qeverisë, por të Guardia di Finanzias. Por unë atyre nuk ma zë goja as tua zë emrin, se përpara jush ata janë askush se flinin mbi kanabis. Për këdo që ka kuriozitetin të lexojë se çka ndodhur në vende të tjera, ka një përputhje tragjike midis sasisë së rezultateve dhe sasisë së baltës.” tha Kryeministri Rama