MOSUL PROVINCE IRAQ/AL-HOL SYRIA
Në tetor 2016, Umm Aysha dhe tre fëmijët e saj u ulën përdhe në sheshin e një pazari të bombarduar së bashku me një turmë grash të tjera, të gjitha të veshura me perçe të zeza në bazë të rregullit të Shtetit Islamik.
Ato gjendeshin në periferi të qytetit Mosul në Irak, ndërsa u largoheshin luftimeve pasi forcat irakiane, siriane dhe të koalicionit po godisnin militantët e Shtetit Islamik në të gjthë rajonin nga lagja në lagje, qyteti në qytet dhe fshat më fshat. “Shtëpia jonë u bombardua”, tha ajo për Zërin e Amerikës duke treguar se përse iku.
Ajo betejë shkoi drejt shuarjes e po ashtu edhe Shteti Islamik humbi territoret që kishte zaptuar gjatë tre viteve të mëparshme. Të shtunën, pas pesë vjet luftimesh, militantët humbën bazën e tyre të fundit, një kamp i bombarduar në Siri. Ai që dikur ishte “kalifat” i vetëshpallur, që përfshinte territore të mëdha të pushtuara në Irak dhe Siri dhe i betuar ndaj një fushate shkatërrimi, tani është shndërruar në një kryengritje amorfe.
Por përveç zemrave të thyera, shtëpive dhe familjeve të shpërbëra, Shteti Islamik është duke lënë një kërcënim të ri në prag të zhdukjes, tha Badran Chiya Kurd, një këshilltar për grupin opozitar Forcat Demokratike Siriane që mbështeten nga Shtetet e Bashkuara, të cilat deklaruan fitoren përfundimtare. Militantët po rigrupohen dhe shpresojnë të vazhdojnë sulmet në Siri, Irak dhe në mbarë botën, tha ai.
Rimëkëmbja për zonat tashmë të shkatërruara të Shtetit Islamik, përfshirë qytete të rëndësishme në Siri dhe Irak, do të kërkojë vullnet politik, investime dhe arsimim, sipas zotit Kurd. Nëse zonat do të vazhdojnë të jenë të shkatërruara pa shërbime civile dhe përparim ekonomik, ekstremizmi do të vazhdojë të lulëzojë pavarësisht se kush është zyrtarisht në krye të vendit.
“Nëse nuk e zhdukim ekstremizmin, Shteti Islamik mund të rikthehet në çdo moment dhe destabilizojë trojet tona”, shtoi ai në një bisedë telefonike nga Qameshli në Siri.
Gjatë muajve të fundit Forcat Demokratike Siriane (SDF) luftuan për qytetin Baghuz, bastioni i fundit i Shtetit Islamik. Lufta ishte e përgjakshme ndësa mbështetësit e Shtetit Islamik u derdhën nëpër kape dhe burgje, shpesh me zotimin se IS do të ringjallet përsëri. Por madje edhe në vitin 2016, kur shkatërrimi i pashmangshëm i Shtetit Islamik po bëhej i dukshëm në Mosul, Umm Aysha kishte parë pjestarë të grupit që planifikonin si do të mbijetonin.
“Ishin dy militantë të veshur me perçe mes grupit të grave me të cilat erdhëm”, pëshpëriti ajo. “Ata kishin bërë grim dhe ishin lyer”.
Heqja e perçes
Korrespondentët e Zërit të Amerikës u takuan për herë të dytë me Umm Aysha-n disa javë më vonë në nëntor të vitit 2016, por fillimisht nuk e njohën. Ajo kishte hequr petkun e zi që i mbulonte trupin dhe perçen e fytyrës dhe kishte vënë një shami ngjyrë rozë, madje po buzëqeshte. Ajo ishte në një prej kampeve që strehonin familjet e zhvendosura në Irakun verior, ku disa javë pa shpërthime kishin sjellë lehtësim për banorët. Kampi po mbushej me shpejtësi ndërsa po hapeshin kampe të tjera në Irak dhe Siri.
Miliona njerëz po braktisnin shtëpitë e tyre ndërsa vazhdonin luftimet. “Është kjo këtu”, tha ajo duke na treguar tendën që familja e saj do ta quante shtëpi gjatë sezonit të dimrit, pavarësisht motit të ashpër me shi dhe të ftohtë. Ajo nuk e dinte atëherë se kjo tendë do të bëhej shtëpia e saj e vetme.
Gjatë 28 muajve të ardhshëm, zonat e kontrolluara nga Shteti Islamik ranë në duart e forcave irakiane, siriane dhe të koalicionit. Mijëra civilë u vranë në sulmet ajrore ndërsa trupat e militantëve të vrarë ishin shpërndarë në mbarë rajonin. Në muajt e fundit të luftimeve, shumë prej luftëtarëve më të përkushtuar të Shtetit Islamik përfundimisht u dorëzuan pas tërheqjeve për muaj apo vite me grupin militant para betejës së fundit në Baghuz.
Kampet dhe burgjet siriane tani janë të mbushura me mbështetësit e Shtetit Islamik, përfshirë mijëra luftëtarë të huaj, gratë e fëmijët e tyre, nga vende që po hezitojnë dhe në disa raste po refuzojnë t’i pranojnë ata.
Shumë zona, dikur të pushtuara nga Shteti Islamik, janë rindërtuar dhe shumë të tjera ende jo. Banorët thonë me zë të ulët se ende kanë frikë nga Shteti Islamik dhe përshkruajnë rrethanat që çuan në formimin e grupit dhe që janë ende të pranishme. Rajoni mbetet i paqëndrueshëm, i varfër dhe njerëzit shpesh ndjehen të lënë pas dore nga autoritetet.
“Ishte fat që u larguam herët,” Umm Aysha i tha Zërit të Amerikës nga fundi i shkurtit të këtij viti ndërsa zjente beteja e fundit në Siri. Ne u ulëm në një qoshe jashtë tendës së saj paksa të izoluar nga stoqet me çarçafë plasmasi e batanije të stivosura pranë tendës së saj. Ajo mbante në krahë fëmijën e saj më të vogël. Aysha kishte lindur gjashtë muaj më parë dhe nuk ka jetuar kurrë jashtë një kampi. “Po të kishim qendruar me Shtetin Islamik, kush e di se si do të ishin fëmijët e mi?”
E ardhmja e fëmijëve
Tre fëmijët e rritur të Umm Aysha-s luanin në diell, duke pozuar për fotografi. Për arsye të ndryshme ata nuk shkonin në shkollë. Marëa është 12 vjeç dhe qëndron në shtëpi për të ndihmuar nënën. Nahida është 4 vjeç dhe thotë se nuk ka çantë shkolle. Mahmoud është 8 vjeç dhe disa fëmijë në shkollë e ngacmojnë ndërsa nëna e tij ka frikë se disa prej fëmijëve që kanë patur etërit e tyre luftëtarë të Shtetit Islamik, mund t’i mësojnë djalit të saj ide ekstremiste. “Pa dyshim se ata do të rriten me të njëjtat ideologji si baballarët e tyre”, tha ajo. “U them fëmijve të mos flasin për këto gjëra.”
Në kampin al-Hol në Siri një javë më vonë, ndërsa Shteti Islamik ishte në grahmat e fundit në betejën në Baghuz, fëmijët atje thanë se nuk po shkonin në shkollë. Me rreth 62 mijë të sapoarshur në kamp që nga 4 dhjetori 2018, kampi është në krizë, mungojnë tendat dhe shumë furnizime të nevojshme. Më shumë se 90 për qind e njerëzve të sapoardhur në kampin al-Hol janë gra dhe fëmijë. Punonjësit e kampit thonë se pothuajse të gjithë kanë lidhje me Shtetin Islamik. Disa nga nënat na thanë se kanë në plan t’i rrisin fëmijët për të mbështetur gjeneratën e ardhshme të Shtetit Islamik dhe shpresojnë se djemtë e tyre do të bashkohen me kryengritjen.
“Fëmijët e mi janë të lirë të bëhen luftëtarë ose jo,” tha Umm Mohammed, një nënë me pesë fëmijë e mbuluara e tëra me të zeza. “Por Shteti Islamik ishte i mirë”. Sikurse Umm Aysha, Umm Mohammed nuk e di se kur do të jetë në gjendje që bashkë me fëmijët të largohet nga kampi.
Në anën tjetër të kufirit gjendet Iraku. Umm Aysha thotë se edhe pse ka frikë se Shteti Islamik së shpejti do të riorganizohet, kjo nuk është arsyeja e vërtetë që ajo ende jeton në kamp dy vjet pasi braktisi shtëpinë e saj. Ajo jetonte në periferi të Mosulit; lagja e saj u shkatërrua dhe ajo nuk ka para për të rindërtuar shtëpinë.“Ku të kthehemi?”, shtron pyetjen ajo ndërsa ngre supet./Voa/