Partia Demokratike parashikon organizimin e protestave në të gjithë vendin. Burime pranë PD deklaruan për “Shqiptarja.com” se tubimi i djeshëm tejkaloi pritshmëritë, ndërsa protesta e ardhshme do të jetë jashtë Tiranës, duke i dhënë kështu dimension kombëtar protestave të opozitës.
Vetë kryetari Basha u shpreh se PD s’do ndalet pas kësaj proteste derisa shqiptarët t’i japin fund fatkeqësisë. Gjithashtu, përmes një njoftimi për shtyp, Partia Demokratike thotë se në protestën e 8 dhjetorit morën pjesë 400 mijë shqiptarë, të cilët sipas saj, “u tubuan në shesh kundër qeverisjes Rama-Meta” dhe bënë thirrje për dorëheqje dhe zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme”. Por ndryshe nga deklarata e PD-së, policia ka deklaruar se në protestën e opozitës kanë marrë pjesë jo më shumë se 10 mijë vetë.
Në rrethe
Burime pranë PD thanë dje për “Shqiptarja.com” se protestat do të zhvendosen edhe në rrethe, por pa dhënë detaje specifike se cili do të jetë qyteti pas Tiranës. Turit të dëgjesave që kryetari demokrat organizoi në disa qytete, mendohet t’ia lënë vendin protestat, të cilat për demokratët janë një rrugë pa kthim për zgjedhjet e parakohshme. Kjo është edhe kauza e opozitës tashmë, e cila do të lakohet protestë pas proteste.