Derisa 11 nëntori po afrohet, një prej mënyrave për të shënuar Ditën e veteranëve është vizita në galerinë e artit në “Prairie State College” në Chicago. Aty do të zërë vend ekspozita që titullohet “Action/Reaction” dhe do të sjellë punime kolektive të artistëve që janë pjesë e “Dirty Canteen”.
Artistët të cilët janë të përfshirë në këtë ekspozitë kanë shërbyer në konfliktet në Afganistan, Kosovë dhe Irak, transmeton “Koha Ditore” shkrimin e chicagotribune.
“Veprat e tyre janë shumë të ndryshme. Kur i pashë mu dukën shumë bindëse. Mendova se është një përmbledhje e mrekullueshme. Vendosa që datën e hapjes ta caktoj diku rreth Ditës së veteranëve, në mënyrë që të lidhet me temën”, ka thënë drejtoresha e galerisë Beth Shadur.
Georges Sanon, koordinator i Qendrës së Studentëve të Veteranëve në “Prairie State College”, ka vendosur që kësaj ngjarjeje t’ia shtojë edhe një tjetër ngjarje duke e ftuar muzikantin Eugene Vinyard që me datën 12 nëntor të bëjë muzikë. Ekspozita do të shpalosë 24 punime nga artistë; janë siç Jesse Albrecht, Amber Hoy, Ash Kyrie, Giuseppe Pellicano, Erica Stone dhe Ehren Tool. Ata vijnë nga katër anët e Amerikës. Veprat do të paraqiten në mediume të ndryshme, ku përveç pikturës do të ketë edhe punime multimediale, si dhe punime në letër e qeramikë.
“Njëri prej artistëve bën gota”, ka thënë Shadur.
“Ai bën qindra gota të tilla. Ai ndien se këto gota janë mënyra e tij më e mirë për të zhvilluar ndjenjën e paqes. Më pas ai i shpërndan ato. Deri më tani ka krijuar dhe falur me qindra të tilla. Më pas në secilën gotë ai vë nga një imazh të ndryshëm.
Disa prej tyre u dedikohen ushtarëve të caktuar që kanë rënë gjatë misioneve në vendet ku kishte konflikte. Ato po ashtu janë shumë të shtrenjta, kështu që në ekspozitë do të kemi 22 të tilla”, ka thënë ajo. Shadur, e cila për katër vjet drejtoi “Christopher Art Gallery”, ka thënë se arti ta ushqen shpirtin.
“Ne krijojmë mundësi për studentët tanë, fakultetin, stafin dhe komunitetin, në mënyrë që ata të përjetojnë artin në mënyrën që ndryshe nuk do të mund të shihej në këtë pjesë”, ka thënë ajo. “Për mua, gëzimi më i madh është që të kem mundësi të sjell diçka e cila më pas do të ngjallte diskutime rreth edukimit dhe natyrisht për kënaqësinë që sjell vetë arti”, ka shtuar ajo.
“Pjesa më e madhe e veprave bazohet në këtë ide. Lidhjen në mes të ushtarëve dhe civilëve dhe kthimi i tyre në jetën e përditshme duke u munduar që të gjejnë një vend në botën e rregullt. E kjo mund të vërehet në secilin prej punimeve këtu”, ka shtuar ajo.