• Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh
Friday, November 6, 2026
  • Login
Javanews
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi
No Result
View All Result
Javanews
Home Kryesoret

Lufta dhe paqja që duhen fituar njëkohësisht

by Astrit Patozi
25/03/2020 19:48
Shperndaj ne FacebookShperndaj ne Twitter

Nga Astrit Patozi 

Bota tashmë ka ndryshuar dramatikisht dhe pyetja e vetme është ku do të ndalet kjo tatëpjetë deri ditën që të shpallet fitorja mbi armikun e padukshëm. Ata, që na thonë se do të përqafohemi e do ta vazhdojmë jetën njësoj si më parë, ose nuk e kuptojnë fare çfarë po ndodh, ose nuk duan të na e shtojnë edhe më shumë ankthin për të ardhmen.

Tri javë më parë shumë prej nesh u mërzitën shumë ngaqë ndeshjet e futbollit nisën të zhvillohen pa tifozë.

Pas një jave jo pak u shqetësuan që në fillim ndeshjet dhe pastaj me radhë kampionatet nisën të pezullohen. Ndërsa sot mund të kenë ngelur shumë pak njerëz në botë që janë ende të merakosur nga perspektiva e zymtë e futbollit. Natyrisht, përveç lojtarëve, trajnerëve, arbitrave, menaxherëve etj, që e kanë jetën të lidhur drejtpërdrejt me këtë industri.

Do të mjaftonte vetëm ky shembull për të kuptuar se jemi realisht në luftë dhe se kjo nuk është thjesht një metaforë për të na sensibilizuar që ta marrim seriozisht koronavirusin. Mirëpo historia na ka mësuar se lufta ka ligje të tjera, të cilat jo domosdoshmërisht ka nevojë të shkruhen.

Njerëzimi i ka hequr në kurriz me qindra herë, por të paktën në dy raste në mënyrë masive gjatë shekullit të kaluar. Dhe sa herë që ka ndodhur, shoqëritë janë përshtatur, duke nisur që nga shtetet më të mëdha, e deri tek ndividët më të thjeshtë.

Ata që në kohë paqeje shisnin traktorë, gjatë luftës filluan të prodhonin tanke, ata që merreshin me enë kuzhine, nisën të fabrikonin fishekë dhe predha, ndërsa shtëpitë e modës i lanë mënjanë veshjet estravagante dhe u turrën të qepin uniformat ushtarake.

Duhet ta kuptojmë një herë e mirë që lufta i ndryshon në mënyrë drastike prioritetet e shteteve dhe të njerëzve dhe se kjo nuk vlen vetëm për kohën, që ajo zhvillohet, duke pasur armikun përballë, por edhe gjatë fazës së rehabilitimit, e cila vjen pas fitores.

Sot shëtitjet buzë detit, baret dhe pub-et e të shtunës, udhëtimet e zakonshme jashtë qytetit në fundjavë, ndeshjet e Champions League, koncertet e të famshmëve në stadiume, tubimet për të drejtat e kafshëve e shumë të tjera si këto tingëllojnë si shaka pa kripë dhe jo si ngjarje normale të dikur përditshmërisë sonë të tronditur.

Puna është se shumë prej këtyre zakoneve tona mund të jenë goditur aq fort, sa edhe pas luftës mund të mos kenë më për një kohë të gjatë të njëjtën rëndësi. Dhe gjithë sekreti është si të nisim të mendojmë që tani për atë që na pret nesër nesër.

Për shkak se bota është kapur e papërgatitur, për fat të keq, ka pasur kudo një ngathtësi të frikshme për t’u përshtatur, që nis nga shtetet më të fuqishme dhe përfundon tek personazhet më të famshëm të planetit. Dhe ta mendosh se gjithçka është rrokullisur në vetëm tre muaj.

Ata që na thonë më shumë se të tjerët që jemi në luftë, duhet të na e tregojnë në radhë të parë se po bëjnë gjënë e duhur që ajo të mbarojë sa më shpejt dhe me sa më pak kosto. A janë duke u përshtatur sa duhet qeveritë, organizatat ndërkombëtare, agjencitë, bankat, gjigandët e biznesit dhe të industrisë, mediat dhe të tjerët, në radhë të parë me rrethanat e luftës, dhe pastaj me atë që na pret pas përfundimit të saj?

Vështirë shumë të thuhet, ndonëse tani nuk ka shumë mundësi për t’u ndalur gjatë në analiza, sa kohë që armikun e kemi ende tek dera. Por që të jemi ushtarë të bindur të kësaj lufte, na duhen patjetër prova se edhe komandantët i kemi njësoj të përgatitur.

Është shumë e vështirë të pranosh se gjithçka është nën kontroll, kur të thonë se është vënë një dispozicion vetëm një paketë masash, të cilat do të na mundësojnë të mos vdesim për bukë për një farë kohe. Ndërkohë ne sot kemi nevojë që i gjithë buxheti dhe çdo gjë tjetër që ka një shtet apo qeveri në dispozicion të jetë në funksion të luftës dhe të asaj që vjen mbrapa. Sepse, po aq sa rrezikohet mbijetesa në kushtet e luftës, aq vihet në pikëpyetje edhe vazhdimi i jetës më vonë.

Qofsha i gabuar, por unë mendoj se kjo është një sfidë më e madhe dhe me e ashpër se dy luftërat e fundit botërore. Dhe ky nuk është një perceptim që vjen nga paniku, të cilin, falë Zotit, nuk e ndjej ende. Sepse ajo mund të mos i ketë aq të shumta viktimat, nëse do të fitohet shpejt, por është e sigurt se do t’i ketë më të rënda pasojat.

Sepse është e para herë në histori që e gjithë bota po fiket njëkohësisht, pa e ditur askush me saktësi se kur do të ristartojë. Ndryshe, nga të gjitha rastet e ndodhura më parë.

Gjatë luftërave botërore ka pasur hapësira të pamata me miliarda njerëz, që nuk kanë shkrepur asnjë pushkë dhe vazhdimi normal i jetës në ato vende ka qenë një garanci e madhe për ata që përgjakeshin me njëri-tjetrin, se pasojat e luftës do të kapërceheshin shpejt. Sot kjo garanci nuk ekziston, prandaj edhe bota po e vuan më shumë se çdo herë tjetër.

Por përtej kësaj, nuk ka asnjë dyshim se njerëzimi do ta fitojë këtë luftë dhe jeta do të triumfojë. Sfida është që gjithkush duhet të përshtatet pa humbur kohë me rrethanat e reja të luftës dhe me paqen, që do të vijë pas saj, duke u përgatitur që tani se shumëçka nuk do të jetë më si parë. Në radhë të parë, për ta pasur më të lehtë luftën, por edhe për të nisur që tani punën për rindërtimin, kur çlirimi të arrihet.

Merita është ta bësh sa më shpejt e të mos jesh në radhën e parë të atyre që do të kenë më shumë dëme apo viktima.

Dhe kjo vlen, si për qeveritë, që nuk kanë pse presin apo ndjekin domosdoshmërisht njëra-tjetrën, ashtu edhe me çdo aktor tjetër, që nga kompanitë e bankat shumëkombëshe, e deri tek individët më të varfër dhe më të pambrojtur, kudo në botë.

Të parët që do ta fitojnë betejën e njëkohshme me armikun dhe me paqen e panjohur do të jenë ata që këtë ndalesë të papritur të botës do ta konsiderojnë si një mundësi për t’i bërë një remont kapital makinave të tyre.

Next Post
Varhelyi i shkruan Ramës, konfirmon 50 milionë eurot e BE për Shqipërinë

Varhelyi i shkruan Ramës, konfirmon 50 milionë eurot e BE për Shqipërinë

Leave a Reply Cancel reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

TË FUNDIT

U arrestua për llogari të Greqisë, por pranoi edhe dy vrasje në Shqipëri, zbulohen emrat e dy vëllezërve shkodranë që ekzekutoi Nikolin Pali!

U arrestua për llogari të Greqisë, por pranoi edhe dy vrasje në Shqipëri, zbulohen emrat e dy vëllezërve shkodranë që ekzekutoi Nikolin Pali!

November 6, 2026
Po hetonte çështjet penale ndaj Trump, jep dorëheqjen në mënyrë të beftë prokurori amerikan!

Po hetonte çështjet penale ndaj Trump, jep dorëheqjen në mënyrë të beftë prokurori amerikan!

November 6, 2026
Ndahet nga jeta ish-senatori Rockefeller, miliarderi që zgjodhi t’u shërbente të varfërve! Pasuria, karriera politike dhe bizneset

Ndahet nga jeta ish-senatori Rockefeller, miliarderi që zgjodhi t’u shërbente të varfërve! Pasuria, karriera politike dhe bizneset

November 6, 2026
E rëndë në Greqi, shqiptari plagoset në atentat me dy plumba! Dërgohet në spital në gjendje kritike, 2 të ndaluar, ja pista e dyshuar

E rëndë në Greqi, shqiptari plagoset në atentat me dy plumba! Dërgohet në spital në gjendje kritike, 2 të ndaluar, ja pista e dyshuar

November 6, 2026
Shkeljet në trajtimin e mbetjeve spitalore, Prokuroria e Tiranës dërgon në gjyq 13 persona, mes tyre 10 zyrtarë

EMRI/ Prokuroria e çoi në gjyq se mashtronte furnitorët dhe fshihte të ardhurat nga shitja e betonit, ja kush është biznesmeni italian!

November 6, 2026
Jasir Asani parakalon Cristiano Ronaldon në Champions-in aziatik

Jasir Asani parakalon Cristiano Ronaldon në Champions-in aziatik

November 6, 2026
“Lobimi dhe biznesi”, ligji i ri krijon transparencë në përfaqësimin e interesave dhe rrit besimin e publikut

“Lobimi dhe biznesi”, ligji i ri krijon transparencë në përfaqësimin e interesave dhe rrit besimin e publikut

November 6, 2026
‘Fatura’ e humbjes së zgjedhjeve, vijnë pasojat e para! Trump ndryshon shefin e kabinetit, Stephen Miller zë vendin e Susie Wiles

‘Fatura’ e humbjes së zgjedhjeve, vijnë pasojat e para! Trump ndryshon shefin e kabinetit, Stephen Miller zë vendin e Susie Wiles

November 6, 2026
Dy nxënëse tërhiqen nga denoncimi ndaj mësuesit në Selenicë, prindërit: Nuk kemi asnjë problem me të!

Dy nxënëse tërhiqen nga denoncimi ndaj mësuesit në Selenicë, prindërit: Nuk kemi asnjë problem me të!

November 6, 2026
Princi Harry pas rikthimit në Britani: Shpresoj të pajtohem me familjen

Princi Harry përshkallëzon betejën ligjore me “Daily Mail”, do ta apelojë vendimin për rrëzimin e padisë së tij!

November 6, 2026
  • Adresa: Rruga “Mihal Popi”, Pallatet 1 Maji, Shkalla 26, Apartamenti 5, Tiranë
  • Email: javanews.al@gmail.com
  • Kontakt
  • Kreu
  • Rreth Nesh

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

No Result
View All Result
  • Politikë
  • Kronikë
  • Ekonomi
  • Bota
  • Sport
  • Kulturë
  • Opinion
  • Tendencë
  • Të tjera
    • Media në Tranzicion
    • Kosova
    • Editorial
    • Kuriozitete
    • Teknologji
    • Sociale
    • Horoskopi
    • Dossier
    • Shëndetesi

© 2025 JAVA NEWS - Të drejtat mbi përmbajtjen mbrohen sipas etikës profesionale dhe ligjeve të Republikës së Shqipërisë.

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In