Analisti Fatos Lubonja komentoi në rubrikën “Opinion”, në News24 dhe situaten e krijuar nga pandemia e koronavirusit, ku tha se është një situatë shqetësuese dhe që ka krijuar ankth te qytetarët.
“Po e shohim dhe po e përjetojmë. Na ka hyrë një lloj ankthi për të ardhmen tonë dhe të familjarëve. Është shqetësuese situata, në kuptimin e rritjes së numrave.
Në horizont duket një shpresë që lidhet me vaksinën. Jemi të shqetësuar se sa do të arrijmë ne të kapim fazën e vaksinës.
Gjendja tani më duket shumë e vështirë, shumë e rrezikshme, jemi gati në gjendjen e imunitetit të tufës, dhe më duket se nuk kemi instrumente.
Testimi është i rëndësishëm për të kapur asimptomatikët dhe për t’i izoluar që të mos infektojnë të tjerët. Sa më shumë testime, aq më shumë frenohet virusi, por përgjigjet duhet të dalin shpejt.
Duhen më shumë spitale, më shumë dhoma, më shumë personel.
Ka shumë njerëz që thonë se po shkove në spital, vdiqe. Njerëzit do të rrinë në shtëpi, por kjo ka problemet e veta. Në botë janë rritur kontaktet dhe shërbimet.
Unë kam ndjesinë që jemi lëshuar në dorë të fatit”, u shpreh ai.
I pyetur nëse është pro një mbylljeje tjetër të vendit, Lubonja deklaroi se “Kam ndjekur Italinë, ku ka kritika, për atë që thuhet ‘duke parë, duke bërë’.
Kjo ka një gjë pozitive, se jemi para të panjohurës, por ka dhe kritika, sepse thuhet se nuk janë bërë studime serioze për të parë se ku do të shkohet.
Në këtë kuptim, unë mendoj se duhet të izolohemi më shumë, por që të ndodhë kjo duhet dhe siguri ekonomike. Shifrat tona për mendimin tim nuk janë reale, sepse nuk i dimë ato që vdesin nëpër shtëpi. E keqja jonë është se e vëmë alarmin kur derdhet qumështi.
Duhet ta pranojmë që ky virus ka një rrezikshmëri për 5% të popullsisë, ndërsa 95% e popullsisë është asimptomatike ose me simptoma të lehta. Megjithatë, njerëzit duhet të ruhen për veten, por edhe për njëri-tjetrin”.











