Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, ka bërë një shkrim ku shpjegon arsyet, sipas tij, të sulmit dhe akuzave që po i bëhen Ilir Metës. Ai shkruan se Meta është një pengesë që PD të vijë e vetme në pushtet, ndërsa për PS-në, që ta mbajë e vetme pushtetin.
Sipas tij, nga 2005a e deri më tani, është provuar që pa Metën dhe LSInë, as PD dhe as PS nuk mund të vijnë dhe qendrojnë në pushtet. Rama ndërkohë shkruan se eksponentë të PSsë, nuk lënë fjalë pa thënë tek diplomatët e huaj kundër LSIsë.
“E djathta e di shumë mirë që nuk mund të rikthehet dot në pushtet e vetme, sepse ajo asnjëherë nuk ka ardhur në pushtet prej vetvetes, pasi nuk ka përbërë dhe nuk përbën shumicë në Shqipëri.
Prandaj provokon, akuzon e demonizon duke u rrekur të identifikojë të keqen me Ilir Metën, i cili nuk ishte i tillë (pra, i keq!), kur e ndihmoi të rikthehej në pushtet në vitin 2005 dhe as kur e mbajti në pushtet në 2009n. PS-ja ndërkaq e sheh gjithë këtë fushatë si një test; po sikur ta provojmë një herë vetëm? Për më tepër, nuk do të ishte keq që gjithë kostoja e pjesës së keqe të qeverisjes të shkarkohet diku jashtë saj. E nëse kjo nuk artikulohet zyrtarisht, nëpër korridore, jo vetëm me diplomatë të huaj, disa syresh nuk lënë fjalë pa thënë duke përgojuar e fajësuar LSI-në edhe për listat e deputetëve a këshilltarëve problematikë! LSI-ja është paragjykuar për aleancat e saj duke ia konsideruar pjesëmarrjen në qeverisje si arrivizëm. Po pse nuk shihet më realisht çështja? Po të kishin mundësi të qeverisnin vetë të dy krahët e bipartizmit në Shqipëri, a do t’i kishin kërkuar aleancë Ilir Metës? Me aq llum sa prodhon çdo ditë makineria e tyre, kurrsesi jo.
Atëherë, çfarë mbetet? Ta anatemojmë, ta akuzojmë, ta përbaltim e mundësisht ta zvogëlojmë që të mund të rikthehemi në një kohë të artë pa të tretë. Mirëpo ja që nuk mendojnë kështu shqiptarët; ata duan ekuilibër e eurointegrim, ata duan qendërzim të politikës, prandaj edhe të gjitha farsat e gjeneruara këto kohë kanë vetëm fatin e dështimit”, shkruan ai për Panorama.
Luan Rama shprehet se Meta është i vetmi politikan i rëndësishëm pas komunizmit që ka mbijetuar dhe imponohet, pasi tashmë Fatos Nano dhe Sali Berisha janë defaktorizuar.
“Pas përmbysjes së komunizmit, vërejmë se nuk ka mbetur kush tjetër në politikë prej protagonistëve të vijës së parë si faktor përcaktues, përveç Ilir Metës. Lideri historik i së majtës, Fatos Nano, në përpjekje për të jetësuar institucionin e dorëheqjes si sjellje politike në shoqëritë demokratike, u largua nga jeta publike aktive, me iluzionin se baza e partisë do ta kërkonte siç kish ndodhur më parë për ta konsideruar emrin dhe kontributin e tij edhe më tej. Ndërsa lideri historik i së djathtës, Sali Berisha, u detyrua të largohet nga roli i protagonistit të radhës së parë, pas humbjes së zgjedhjeve në vitin 2013, ani pse rreket të shfaqet herë pas here të enjten e Kuvendit a në ndonjë takim me gazetarët si për të dëshmuar se ende është aty.
Pra, nga të tre faktorët përcaktues të zhvillimeve politike e qeverisëse (Nano, Berisha, Meta), Ilir Meta, i vënë prej muajsh në qendër të goditjes, dikush duke e sulmuar, dikush duke spekuluar, dikush duke heshtur, është i vetmi që vazhdon të ndajë fituesin nga humbësi, qeverisjen nga opozita. Por, ndërsa Nano e Berisha u bënë faktorë, sepse drejtonin, i pari, të majtën dhe, i dyti, të djathtën, Ilir Meta u bë faktor prej ndikimit politik si individ me personalitet të spikatur ndër gjithë të tjerët, pa pasur pas forcën e një partie, sepse LSIja u krijua më 2004ën, kur Ilir Meta ishte bërë ndërkaq ai që është në realitetin politik shqiptar”, shkruan Rama.