Pas mbledhjes së kryesisë së LSI, nënkryetari saj Petrit Vasili bëri publik platformën e kësaj force politike në lidhje me transparencën e fondeve, shpenzimeve dhe donacioneve të kësaj partie. Vasili tha se të gjitha të ardhurat financiare të LSI do të bëhen publike, përfshi këtu edhe aktivitetet publike që ajo do të kryejë.
“Të zgjedhurit e LSI duhet të kenë vlera të panegociueshme, të ketë zbatim me përpikmëri të ligjeve të shtetit, të mos përfshihen në asnjë ndërhyrje që bie në ndëshkim me ligjin. Për këdo do merren masa, të ketë distancim nga korrupsioni dhe abuzimi me detyrën. Kjo linjë politike është konstante konsekuente, dhe do jetë për çdo veprimtar, aktivist tonin”,- shtoi më tej Vasili.
Vasili është shprehur se LSI mbështet qëndrimin e kryeministrit Rama sa i takon politikave fiskale të vendit për vitin 2016.
“E gjithë paketa e paraqitur sot nga Rama është një qëndrim politik dhe shtetëror për t’u përshëndetur, pasi ky pason një aksion të gjerë kundër informalitetit, i mirëpritur dhe i mbështetur, pasi formalizimi i ekonomisë është një nga elementët thelbësore të një ekonomie që funksionon. Kjo fushatë e madhe në terren do të krijonte mundësinë për të pasur të dhëna të qarta. Qeveria është për t’u mbështetur për këtë qëndrim të mbajtur. Mbështetja jonë është e plotë në këtë rast, pasi synohet formalizimi i ekonomisë. Shqipëria ka ambicie për t’u rritur ekonomikisht”, tha Vasili.