Lëvizja Socialiste për Integrim ka publikuar shpenzimet e kryera prej saj në aktivitetet e bëra me rastin e festave të fundvitit. LSI ka publikuar të dhënat në faqen e saj zyrtare, ku shkruhet se janë shpenzuar rreth 730.920 lekë për festën e vitit të ri.
Në sqarimin që jepet poshtë tabelës së specifikuar thuhet se “fondet për shpenzimet e këtij aktiviteti janë prodhuar nga kontributet e çdo pjesëmarrësi si dhe nga kontributet vullnetare të LRI-së”, të cilat janë derdhur në llogarinë bankare pranë “Credins Bank”.
Shuma totale e mbledhur është 855.300 lekë, pra rreth 124.380 lekë më shumë sesa u shpenzuan për festën. 40 mijë lekë të reja u shpenzuan për gazin e ngrohjes, në mjedisin që u zgjodh për të bërë mbrëmjen.
Qiraja e ambientit ka kushtuar 20 mijë lekë. Ledi, fonia, skena, ndriçimi, të gjitha së bashku kapin shifrën e 300 mijë lekëve. Pijet që kanë konsumuar të ftuarit në këtë festë kanë kushtuar rreth 200 mijë lekë të reja ose 2 milionë të vjetra.
Ndërkohë sqarohet se DJ dhe këngëtarët që kënduan në festë janë anëtarë të LSI-së, ndaj kjo pjesë është bërë falas.