“Lonely Planet”, guida numër një në botë për turizmin, e sidomos për turizmin aventurier, i ka bërë një dhuratë të majme Shqipërisë, duke e renditur në mes të dhjetë destinacioneve më të vlefshme të vitit të ardhshëm.
Duke pasur parasysh impaktin që “Lonely planet” ka mes të apasionuarve të turizmit dhe zbulimit të vendeve të reja, klasifikimi i Shqipërisë mes dhjetë vendeve më me vlerë për t`u parë në 2019, mund të konsiderohet një reklamë e vërtetë.
“Shqipëria është një xhep me një vlerë të madhe, fshehur nën sytë tanë, me plazhe fantastike, një histori unike, dhe jo me dyndje njerëzisht si në Mal të Zi apo në Greqi”, thotë “Lonely Planet” për lexuesit e saj.
Pasi vlerëson maksimalisht ushqimin, por edhe destinacionet arkeologjike, si Butrinti apo Apollonia, “Lonely Planet” nënvizon edhe faktin se Shqipëria ofron male të mrekullueshme, fshatra jashtë kohës, por edhe një kryeqytet si Tirana, i ndryshëm nga çdo vend tjetër në Europë.
Shqipëria, së bashku me Poloninë dhe Slloveninë, janë tre vendet e vetme europiane të listës me 10 vende, ku përfshihen edhe destinacione si Shtetet e Bashkuara, Ekuadori, Argjentina apo Bangladeshi.
ma.me