Në komisionin parlamentar të ligjeve u vendos për shtyrjen edhe me një vit të procesit të zhvendosjes së lojërave të fatit në periferinë e kryeqytetit. Për projekligjin në fjalë u ra dakort që bizneseve të kazinove tu jepet kohë deri më janar të vitit 2017, që këta të fundit t’i zhvendosin sipërmarrjet e tyre drejt periferisë së Tiranës. Nga ana tjetër, kreu i komisioni të ligjeve Fatmir Xhafaj dha një tjetër zgjidhje mbi këtë çështje. Sipas tij më e mira do të ishte vendosja e një moratoriumi për lojërat e fatit dhe mbyllja e plotë e tyre, si e vetmja zgjidhje për të disiplinuar këtë biznes.
“Çfarë problemi ka që ta pengojë qeverinë të vendosë një moratorium për lojërat e fatit, e t’i mbyllë plotësisht lojërat e fatit? Vetëm kështu mund t’i disiplinojmë lojërat e fatit”- tha Xhafaj.
Por Zv.Ministrja e Financave Irena Beqiraj, e pranishme në komision për të raportuar mbi draftin, tha se një masë e tillë do të ishte ekstreme dhe do të largonte nga puna mijëra persona.
“E kemi diskutuar por tashmë është industri e ngritur që punëson disa njerëz. Nëse do të vendosim moratorium do të ishte një vendimmarrje ekstreme. Është një industri botërore jo shqiptare. Lojërat e fatit janë edhe në Evropë dhe me këtë projektligj duam ta kthejmë nga plagë sociale në mjet argëtimi, ta disiplinojmë me ligj. Ka rreth 5600 të punësuar”- tha Beqiraj.
“Lotaria kombëtare nuk ka shumë punonjës pse duhet lënë. Është problem financiar apo social për vendet e punës që mbylleshin.”- shtoi Xhafaj.
“Problemi social nuk zgjidhet me masa drastike. Në këtë industri janë investuar para nga bizneset. Marrja përsipër e mbylljes totale të tyre mund të zgjidhte plagën sociale por do të sillte një problem ekstrem”- reagoi zvministrja Beqiraj.
Në draftin e qeverisë për lojërat e fatit parashikohet lëvizja e 12 kazinove të liçensuara në Tiranë si dhe sanksionimi që pikat e basteve sportive të kenë një distancë, jo më të vogël se 200 metra mes tyre.









